“Si gjarpri rreth qafës..”/ Rritet presioni ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit, analistët: Një test për shtetësinë e Kosovës

Politika

“Si gjarpri rreth qafës..”/ Rritet presioni ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit, analistët: Një test për shtetësinë e Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 27 prill 2024 Në ora: 10:42
James O

Çështja e themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe ka një histori në vete dhe po del të jetë një problem i madh për Kosovën.

Vendi ynë aktualisht gjendet në një presion të madh nga ndërkombëtarët, por edhe nga liderët vendor për themelimin e Asociacionit.

Kështu, pas kalimit të fazës së dytë të Kosovës për t’u anëtarësuar në KiE, ka nisur me të madhe trysnia ndaj vendit tonë për themelimin e asociacionit.

Së fundi, në gjë të tillë Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, ia kërkoi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, duke thënë se Kosova është zotuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Uashingtoni pret që ky zotim të përmbushet.

Kurse, kryeministri Kurti gjatë një vizite në Gjermani e ka përmendur themelimin e Asociacionit  vetëm si zotim për anëtarësim në KiE duke mos dhënë detaje të tjera.

A do të shpëtojë Kosova nga asociacioni?

Ahmeti: Çdo tentim për të krijuar nivel të tretë të pushtetit është i dëmshëm dhe me pasoja të pa ripariueshme për të ardhmen e vendit

Analisti Hidajet Ahmeti në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se nuk duhet të bëhet kompromise me shtetësinë e Kosovës.

Image
Hidajet Ahmeti

Sipas tij, tentimet për të kërkuar një nivel të tretë të pushtetit është i dëmshëm dhe bart pasoja të pa riparueshme.

“Presionet mund të shtohen nga të gjitha anet, por nuk duhet të bëhet kompromis me shtetësinë e Kosovës. Nuk duhet lejuar të eksperimentohet me atë që është ndërtuar deri më tani, pasi me kompromise të tilla, Kosova do ta humb mundësinë e të qenit shtet me sovranitet të plotë. Çdo tentim për të krijuar nivel të tretë të pushtetit është i dëmshëm dhe me pasoja të pa riparueshme për të ardhmen e vendit”, përfundon ai.

Elezaj: Presioni i madh e ka vënë Kosovën para një përgjegjësie tepër të madhe politike

Analisti Rexhep Elezaj, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se kjo çështje iu ka lidhur Kosovës si gjarpri rreth qafës, duke ia zënë frymën zhvillimit të saj ekonomik dhe social.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas tij, për këtë fajin më të madh e kanë ish qeveritë dhe ish kryeministrat e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, duke nënshkruar marrëveshje në vitin 2013 dhe 2015 që Kosova të merrte për obligim shtetëror që për serbët lokalë ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, qe 12 vite Kosovës iu ka lidhur si gjarpri rreth qafës, duke ia zënë frymën zhvillimit të saj ekonomik dhe social, mbase një skenar ky puro antishqiptar i kurdisur në zyrat e errëta të shovinistëve serbë, në krye me akademikët fashist në “Francuska-7”, me seli në Beograd, dhe ky si mjet dhe metodë kolonialiste-hegjemoniste, me qëllim për ta marrë peng pavarësinë e Kosovës, por dhe si prezencë e shtetit serb në Kosovë.

Dhe, rreth këtij skenari fashist të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës, pa asnjë dyshim, fajin më të madh e bartin ish qeveritë dhe ish kryeministrat e Kosovës, H. Thaçi dhe I. Mustafa, të cilët në vitin 2013 dhe 2015 nënshkruan në Bruksel marrëveshjen me të cilën Kosova merrte për obligim shtetëror që për serbët lokalë ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Madje marrëveshjen e vitit 2015 e ka ratifikuar vetë Kuvendi i Kosovës, me të cilën shteti i Kosovës obligohej që ta formonte asociacionin në fjalë, pa menduar fare se po mbillnin një kancer brenda Kosovës, shërimi i të cilit, siç po tregojnë rrjedhat e fundit politike në Ballkanin perëndimor dhe Evropë, është bërë i pamundur”, thotë ai.

Kurse, për kërkesat Elezaj thotë se janë bërë të neveritshme dhe Qeverinë e Kosovës e ka vënë para një përgjegjësie tepër të madhe politike, ose ta formojë asociacioni ose ta refuzojë atë në mënyrë të prerë, opsion ky që Kosovës mund t’i kushtojë me mos anëtarësim në KiE.

Se a mund t’i shmanget Kosova asociacionit, Elezaj thotë se një gjë të tillë e ka të vështirë duke u bazuar në deklarata të ndërkombëtarëve.

“Pra, kërkesat e vazhdueshme të zyrtarëve serbë pranë faktorëve ndërkombëtarë, që ta detyrojnë qeverinë e Kosovës ta përmbush obligimin e saj për themelimin e këtij Asociacioni, përveç se janë bërë tejet të neveritshme, ato kanë marrë edhe formën e një presioni të madh ndërkombëtar ndaj Kosovës, sidomos nga ana e miqve tanë amerikan, siç e tregoi këtë edhe takimi i fundit i z. J. O’Brien me kryeministrin Kurti në Gjermani, nga i cili në mënyrë të prerë kërkoi që menjëherë të filloi me procedurën e formimit të këtij asociacioni, gati në formë ultimative, që pa dyshim, qeverinë e Kosovës e ka vënë para një përgjegjësie tepër të madhe politike, e cila është vënë në mes dy opsioneve tepër të vështira; ose ta formojë asociacionin, alias “Zajednicën”, ose ta refuzojë atë në mënyrë të prerë, opsion ky që Kosovës mund t’i kushtojë me mos anëtarësim në KiE, e më pas edhe në organizata tjera ndërkombëtare, por edhe me dëmtimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-të..!?

Se, për çfarë arsyesh SHBA-të po i bëjnë kaq shumë presion qeverisë së Kosovës që ta formojë asociacionin në fjalë dhe me kaq urgjencë, unë këtë nuk jam në gjendje ta kuptoj, përveç mundësisë, se duke e formuar këtë asociacion palës serbe mund t’i heqin nga dora alibinë e saj 12 vjeçare, se pala kosovare është ajo e cila nuk po i zbaton marrëveshjet me Serbinë, akuza këto të cilat pala serbe nuk i ka hequr nga goja qe 12 vite në çdo takim me ndërkombëtarët.

Mbase, pas insistimit këmbëngulës amerikan, që qeveria e Kosovës duhet ta plotëson obligimin e marrë edhe me marrëveshjen e 27 shkurtit në Bruksel (Plani franko-gjerman) si dhe Aneksit të Ohrit për zbatimin e saj (Neni 7.), mund të qëndrojnë krejtësisht shkaqe të natyrave tjera politike dhe strategjike, por të cilat opinioni i gjerë në Ballkan nuk do t’i mësojë kurrë.

Në bazë të deklaratave të shumta nga funksionarë amerikan, por edhe deklaratat e disa krerëve shtetëror në Evropë, mendoj se qeveria e Kosovës e ka shumë vështirë që t’i shmanget formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, ani pse dihet botërisht fakti, se nuk ka shqiptar në Kosovë i cili do pranonte formimin e një “Republika srpska” në Kosovë, me përjashtim nëse miqtë tanë amerikan na japin garanca me shkrim, se një asociacion i tillë nuk do ta rrezikojë kurrë pavarësinë dhe sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës”, përmbylli ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat