Qytetarët serbë të gatshëm për nënshkrim të peticionit

Lajme

Qytetarët serbë të gatshëm për nënshkrim të peticionit

Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 10:21
Foto ilustrim

Qytetarët serb në veri të vendit janë shprehur të gatshëm për nënshkrim të peticionin për largimin e kryetarëve shqiptarë dhe hapjes rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Disa qytetarë serbë dhanë mendimet e tyre rreth këtij peticioni.

“Unë do ta nënshkruaja peticionin. Unë nuk jam jurist, nuk e di si janë procedurat por mund të jetë më lehtë kështu me peticion. Unë mendoj se duhet të respektohet marrëveshja e Brukselit, të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.“

“Po praktikisht ata në zgjedhjet ilegale morën pjesë. Me katër për qind ata po komandojnë. Le të shpallen zgjedhjet, nëse fitojnë në zgjedhje unë do ta njoh rezultatin e çfarëdo zgjedhjeje. Sa për nënshkrim peticioni as që më ka pyetur kush. Për largim të tyre(kryetarëve),  po do të nënshkruaja”.

Ndërsa, qytetarë shqiptarë të Mitrovicës së veriut, kanë mendime të ndryshme në lidhje me peticionin për largimin e kryetarëve.

“Më mirë është me u bë peticioni sepse vetë fakti që ata që bëjnë peticion ndaj një qeveria ose institucioni e pranojnë shtetin e Kosovës dhe kështu më mirë kish qenë me u bë peticioni”.

“Kjo me marrëveshje duhet me shku, s’ka aty një herë për njëherë zgjedhje të mira qysh duhet mirëpo ata masi u dorëzuan vetë u larguan pse mos me punu tonët normal është kjo,  kanë punu punojnë dhe me vazhdu me punu dhe ma mirë është”.

Të hënën KQZ-ja i hapi rrugë organizimit të peticionit për largimin e kryetarëve duke i kthyer përgjigje kërkesës së tre kryesuesve të kuvendeve komunale për komunat përkatëse të cilët kishin kërkuar nga KQZ-ja të dinë nëse anëtarët e grupeve nismëtare janë votues në ato komuna dhe se sa është 20 për qindëshi i votuesve në secilën nga këto komuna.

Por me përgjigjen që i ktheu KQZ-ja nuk është i kënaqur kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglani.

“Unë e kam marrë përgjigjen nga KQZ-ja por ajo s’është  adekuate s’është në  përmbajtje të ligjshmërisë së udhëzimit administrativ sepse aty përgjigja është se ata janë votues të pjesës veriore dhe sa banorë janë më të drejtë vote ..por udhëzimi administrativ siç e parasheh ata duhet me u regjistruar si iniciatorë të grupit, ata s’kanë dhanë asnjë kërkesë as s’kanë kërkuar regjistrimin nga kryesuesi por unë do të kërkoj edhe nga  KQZ-ja se a janë regjistruar sepse kanë pas të drejtë me u regjistruar në kuadër  të KQZ-së, pa atë kërkesë edhe rrugë është e mbyllur sepse unë nuk do të marrë hapa tutje sepse ata duhet të marrin përgjegjësinë për mbajtjen e peticionit”, tha Uglani.

Në anën tjetër, analisti dhe gazetari serb, Branislav Kërstiq, e sheh si të stërzgjatur procedurën përmes peticionit, teksa është skeptik për një rezultat pozitiv në zgjedhjet për largimin e kryetarëve ku kërkohet të sigurohen 50 për qind plus 1 votë e qytetarëve.

“Problemi është që Beogradi zyrtar dhe Lista serbe kanë nis këtë proces me gabime procedurale…tash jemi në hapin e dytë ku na pret peticioni s’jam i sigurt a është Beogradi zyrtar apo Lista serbe të interesuar për zgjedhje te jashtëzakonshme dhe nuk jam i sigurt sepse pas peticionit duhet pas  periudhës 30 ditë edhe referendumi të cilin është i nevojshëm me dalë  50%.1 votues më duket që Lista serbe në këtë moment se ka kapacitet”, deklaroi Krstiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat