Janjiç: Takimi në Bruksel për dinarin u aranzhua sa për këtë arsye

Lajme

Janjiç: Takimi në Bruksel për dinarin u aranzhua sa për këtë arsye

Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 20:33
Dushan Janjiç

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiç, ndërsa ka vlerësuar se Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës është vendim legjitim i Kosovës dhe se për një gjë të tillë QUINT-i e Serbia janë njoftuar qysh në dhjetor të vitit të kaluar, ai ka konsideruar se takimi i së martës në Bruksel për të diskutuar për këtë çështje është blerë kohë.

“Takimi i sotëm u aranzhua për të blerë kohë dhe për të krijuar një platformë politike mbi bazën e së cilës Banka Kombëtare e Serbisë dhe Banka Qendrore e Kosovës do të bien dakord për disa zgjidhje alternative për transferimin e parave”, ka thënë Janjiç në një intervistë për N1.

Marrë për bazë se Bashkimi Evropian shumë shpejtë do të hyjë në një proces zgjedhor, analisti serb ka potencuar se takimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të vazhdojnë në nivel teknik.

Një cikël i ri i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u zhvillua këtë të martë në Bruksel nën kujdesin e BE-së.

Takimi midis ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak s’prodhuan ndonjë rezultat konkret.

Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, deklaroi se “shumë pyetje mbeten pa përgjigje” dhe sëkëndejmi, do të nevojiten “takime shtesë” për këtë çështje në të ardhmen.

“Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, shkroi Lajçaku menjëherë pas përfundimit të takimeve që u zhvilluan të martën e 27 shkurtit.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, pas përfundimit të takimeve në Bruksel për çështjen e ndalimit të valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës, tha se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë, dhe asgjë tjetër.

“Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera”, ka thënë Ismajli, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai ka potencuar se rregullorja e BQK-së është në fuqi dhe e njëjta nuk do të ndryshojë.

“Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfer legal. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, Petar Petkoviç, shef i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, njëherësh kryenegociator i palës serbe në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, pas takimeve të së martës, institoi që diskutimet për këtë çështje të bëhen në nivel politik, derisa akuzoi palën kosovare për dëbim të serbëve nga Kosova.

Në një prononcim për gazetarë pas takimeve që u zhvilluan të martën e 27 shkurtit nën ndërmjetësimin e Emisarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, kryenegociatori serb e cilësoi ndalimin e dinarit për transaksione me para të gatshme “vendim politik” të Kosovës, qëllimi i së cilës është “dëbimi i serbëve” nga territori kosovar.

Petkoviç deklaroi se qëllimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në këtë drejtim është “shuarja e institucioneve serbe” që, sipas pretendimeve të zyrtarit serb, duhet të jenë “themel” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Ai paralajmëroi gjithashtu se diskutimet për çështjen e dinarit do të vazhdojnë në të ardhmen, por jo në nivel teknik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat