Senatori që e mbështet Kosovën, del kundër shitjes së aeroplanëve F-16 në Turqi

Lajme

Senatori që e mbështet Kosovën, del kundër shitjes së aeroplanëve F-16 në Turqi

Më: 1 mars 2024 Në ora: 14:30
Bob Menendez

Senatori amerikan, Bob Menendez, ka njoftuar se është kundër aeroplanëve luftarakë të tipit F-16 në Turqi, duke thënë se ky shtet nuk e ka fituar besimin e mjaftueshëm që marrëveshja të çohet përpara.

“Sot, unë qëndrova i vendosur kundër shitjes së aeroplanëve luftarakë F-16, pajisjeve ndërlidhëse dhe municionit në Turqi. Më lejoni që të jem i qartë, Turqia nuk e ka fituar besimin e nevojshëm që kjo marrëveshje të vazhdojë tutje” – shkroi Menendezi në rrjetin X.

“Erdogani ka bërë të qartë vazhdimisht se ai nuk do t’i ndërpresë kërcënimet e tij ndaj aleatëve fqinj të NATO-s ose të fillojë që të veprojë në mënyrën që një aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkuara do të duhej të vepronte. Për më tepër, shpërfillja e të drejtave të njeriut nga qeveria turke dhe autoritarizmi i saj në rritje e bëjnë atë partnere të paqëndrueshme dhe jo të besueshme” – shkroi më tej ligjvënësi nga ShBA-ja.

“Shpreh keqardhje që dhënia e dritës së gjelbër nga Administrata e Bidenit për këtë shitje nuk kërkoi garanci më të mëdha nga Turqia për të drejtat e njeriut dhe për ndërprerjen e agresionit kundër fqinjëve të saj” – shtoi senatori amerikan.

Menendezi ka shprehur përkrahje për Kosovën. Vitin e kaluar, ai tha se Kosovës i duhet njohja reciproke nga Serbia për të arritur paqe afatgjate, e jo ndarje përmes Asociacionit.

Senati i Shteteve të Bashkuara të enjten mposhti bindshëm një përpjekje të senatorit republikan, Rand Paul, për ta ndalur shitjen e aeroplanëve luftarakë F-16 dhe pjesëve për modernizimin e tyre në Turqi, të cilën administrata e presidentit Biden e kishte miratuar, pasi Ankaraja ia kishte dhënë dritën e gjelbër hyrjes së Suedisë në NATO.

Senatorët votuan me 79 vota kundër rezolutës për shfuqizimin e shitjes miliardëshe, ndërsa vetëm 13 ligjvënës amerikanë në dhomën e lartë të Kongresit e përkrahën atë, raporton agjencia “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat