46 vjeçari në Lipjan pret ekipin e emergjencës e të policisë me armë në dorë, arrestohet pas intervenimit të NjSI-së

Lajme

46 vjeçari në Lipjan pret ekipin e emergjencës e të policisë me armë në dorë, arrestohet pas intervenimit të NjSI-së

Më: 16 mars 2024 Në ora: 08:27
Kur ka shkuar Policia, i njëjti ka filluar t’i fyente e madje ka gjuajtur në drejtim të tyre por plumbi ka goditur murin e shtëpisë.

Dhjetëra thirrje për ndihmë mjekësore emergjente, pranojnë ekipi i shërbimit emergjent në Lipjan brenda ditës. Por një e tillë për të shkuar në fshatin Sllovi të kësaj komune, pasditen e së enjtes, doli të ishte ndryshe.

Aty i priste një 46 vjeçar, i cili kishte edhe armë në duar, çka u desh të ftohej policia e Kosovës.

Kur ka shkuar Policia, i njëjti ka filluar t’i fyente e madje ka gjuajtur në drejtim të tyre por plumbi ka goditur murin e shtëpisë.

Për arrestimin e tij është dashur intervenimi i njësisë më elitare të Kosovës, të njësisë speciale Intervenuese. Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqi ka thënë se reagimet e të njëjtit, vijnë për shkak të problemeve me shëndetin mendor.

“Gjatë kohës kur kanë qenë të intervenojnë, ose thjesht të ofrojnë shërbime tek pacienti, kanë pasur vështirësi në këtë proces, kemi të bëjmë me një pacient të shëndetit mendor.. Stafi është në rregull, nuk ka pasur të lënduar, këto kanë qenë reagime të pacientit duke marr parasysh gjendjen e tij shëndetësore”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, që i dyshuari është dërguar në mbajtje, Prokuroria në Prishtinë, ka kërkuar që i njëjti t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik.

“Është dërguar në QKUK, për ta marr trajtimin e nevojshëm derisa në anën tjetër, me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar, për shkak të veprës penale të perdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm, dhe të armëmbajtjes pa leje, prokurori i shtetit”, ka thënë Laureta Ulaj.

Në shtëpinë e të dyshuarit, nuk ishte askush, familjarë të tjerë të tij kanë thënë se ai gjithmonë ka pasur vështirësi porse asnjëherë nuk kishte shkaktuar ndonjë problem.

Të njëjtit kanë thënë se aktualisht nuk ishte duke marr ndonjë trajtim mjekësor, por para shumë vitesh i ishte nënshtruar një trajtimi në institucione psikiatrike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat