Vuçeviq kryeministër i Serbisë, “sinjal se Vuçiq dëshiron të nxisë tensione dhe ta avancojë politikën e tij me botën serbe”

Lajme

Vuçeviq kryeministër i Serbisë, “sinjal se Vuçiq dëshiron të nxisë tensione dhe ta avancojë politikën e tij me botën serbe”

Më: 3 prill 2024 Në ora: 16:12
Millosh Vuçeviq

Propozimi i Millosh Vuçeviqit për kryeministër të Serbisë nga presidenti Aleksandër Vuçiq edhe pse dyshohet se ishte organizator i sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, po shihet nga njohës të zhvillimeve politike në Beograd dhe ish-ushtarak nga Kosova si rrezik për përshkallëzim të situatës në Kosovë.

Në sytë e politikanit jotipik serb Nenad Çanak, kur një Ministër i Mbrojtjes bëhet Kryeministër, kjo tregon qartë një vazhdimësi të plotë të doktrinës ushtarake që është ndjekur deri tani.

“Unë mendoj se rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe një ofensivë e mundshme ruse në Ukrainë ose një përshkallëzim në një pjesë tjetër të botës të shkaktuar nga Kremlini mund të rrisin tensionet në rajon”, thotë Çanak.

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, po ashtu thekson se çështja në këtë fazë është “pritja e dobësimit të vëmendjes së NATO-s në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë”, dhe pastaj përdorimi i këtij dobësimi të vëmendjes për “një ndërhyrje të mundshme ushtarake dhe militarizimin e brendshëm në Serbi”.

Prandaj, ai insiston që Bashkimi Evropian duhet të luajë një rol shumë më aktiv në këtë, por sipas tij, kjo ende nuk ka ndodhur.

“Vuçeviç është një njeri shumë i denjë, e mban fjalën dhe është shumë operacional në çdo detyrë. Megjithatë, thellë në vetvete, ai është ideologjikisht besnik ndaj ideve të Vuçiçit, babai i Vuçeviçit ka qenë anëtar i partisë së Vojisllav Sheshelj, partisë origjinale të Vuçiçit, që nga dita e parë dhe mbetet i tillë”.

Për ish-komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastratin, mandatimi i Vuçeviç-it pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, të fituara nga Partia Progresive Serbe (SNS) – të kontestuara nga opozita serbe, përkatësisht koalicioni “Serbia kundër dhunës”, tregon se presidenti serb nuk është i interesuar për paqe.

“Nominimi i tij tregon qartë politikën e Vuçiçit, sepse ai nuk është i interesuar për të sjellë paqe apo marrëveshje me Kosovën, por përkundrazi me këtë normimin ai është i gatshëm që të nxisë apo avancojë politikën e tij me botën serbe”, theksoi Kastrati për AP.

Tutje, ushtaraku e thotë me bindje se Serbia është e interesuar “për një luftë” në Ballkanin Perëndimor, meqë sipas tij, “Vuçiç ia ka dhënë një premtim presidentit të Rusisë, Vladimir Putinit që në Ballkanin Perëndimor duhet ta nxitë një konflikt të armatosur”.

“Rusia me qendrën e saj në Nish, ka angazhuar shumë gjeneralë që t’i përgatisin terroristët për t’u futur në Kosovë ose Bosnje dhe Hercegovinë”.

Por, kush është Millosh Vuçeviç?

Vuçeviç është pasues i Vuçiç-it si kryetar i SNS-së, dhe konsiderohet si njëri nga njerëzit më besnik të tij. Ai ka qenë kryetar i Novi Sadit, dhe përflitet si miku më i ngushtë i Andrej Vuçiç-it, vëllaut të presidentit serb.

Po ashtu, kryeministri i ardhshëm serb është edhe njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të sanksionuarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kriminelit Zvonko Veselinoviç, por edhe i biznesmenëve të tjerë serbë që merren me aktivitete kriminale.

Vuçeviç nuk është një emër i panjohur edhe për publikun në Kosovë. Ai është një vazhdimësi e politikave aktuale desabilizuese të pushtetit në Serbi karshi Kosovës.

Madje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte akuzuar atë drejtpërdrejtë si organizator të sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Kurti, në një postim në Facebook më 23 tetor të vitit të kaluar, thoshte se organizator i sulmit terrorist të 24 shtatorit është “Klani i Novi Sadit”, në krye të të cilit, sipas të parit të ekzekutivit kosovar, është Vuçeviç.

“Sulmin paramilitar e terrorist në Banjë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviç-it, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiç”, shkruante Kurti.

“Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radojiçiç po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS”, shtonte ai.

Sipas Kurtit, para dy dekadave në Serbi sundonte “Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandër Vuçiç, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”.

Ndërsa, në periudhën e tij si Ministër i Mbrojtjes së Serbisë, gjatë kohës së tensioneve në Veri të Kosovës, disa herë ushtria serbe është urdhëruar që të jetë në gatishmëri të lartë.

Madje, më 27 tetor të vitit të kaluar, pak më shumë se një muaj pas sulmit terrorist në Banjë, vetëm një ditë pas takimeve që kishin pasur Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç në Bruksel me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë e me përfaqësues të Bashkimit Evropian, kishte provokuar situatën duke deklaruar se serbët do të ishin “të lumtur ta shihnin Ushtrinë e Serbisë në Kosovë”.

Millosh Vuçeviç ka lindur në vitin 1974 në Novi Sad. Në biografinë zyrtare thuhet se ka mbaruar shkollën fillore “Vasa Stajiç” në vendlindje dhe gjimnazin “Jan Kolar” në Baçki Petrovac. Ai u diplomua në Fakultetin Juridik në Novi Sad në vitin 1999.

Pas mbarimit të universitetit, në biografinë e tij zyrtare, thuhet se shkoi për të shërbyer si ushtarak në Vranjë, e më pas në Gjilan, derisa nuk specifikohet nëse ka qenë pjesëmarrës apo jo në luftë.

Tutje, theksohet se nga 1999 deri në vitin 2012 ka ushtruar profesionin e avokatit në zyrën e avokatisë familjare.

Vuçeviç është anëtar i Partisë Progresive Serbe që nga viti 2008 – para kësaj periudhe nuk ka të dhëna për aktivitetin e tij politik. Ai u zgjodh president i bordit të qytetit të SNS në vitin 2011. Ai u bë nënkryetar i SNS në vitin 2016 dhe më pas u rizgjodh në atë pozicion në nëntor 2021.

Po ashtu ai u zgjodh kryetar i komunës së Novi Sadit në shtator të vitit 2012, pas së cilës pushoi së punuari si avokat dhe më pas u emërua kryetar bashkie për herë të dytë në korrik 2016, dhe për herë të tretë në shtator 2020.

Ai dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Novi Sadit më 24 tetor 2022 dhe më 26 tetor u bë Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Branbiç-it.

Gjatë kohës sa ka qenë në krye të komunës së Novi Sadit, ndaj Vuçeviqit ka pasur akuza për korrupsion, si dhe për bashkëpunim me biznesmenë që merren me aktivitete kriminale, siç është rasti i Veselinoviqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat