Kompleksi ose sindroma e vajzës së mirë

Life style

Kompleksi ose sindroma e vajzës së mirë

Më: 25 prill 2023 Në ora: 13:27
Foto ilustrim

A jam një vajzë e mirë? Është një pyetje që mund t’ia keni bërë vetes në një moment gjatë jetës. Cilësitë që lavdërohen tek vajzat e vogla, të tilla si të qënit të qeta, të urta, të sjellshme dhe të këndshme mund të përkthehen në ‘sindromën e vajzës së mirë’, kur ato mund të rriten, gjë që mund të jetë jo e shëndetshme.

Por çfarë është sindroma e vajzës së mirë? Rashbha Dochania, Assistant Professor në Jindal Institute of Behavioural Sciences, e përkufizon ‘sindromën e vajzës së mirë’ si mendësia ku një person përpiqet të perceptohet vazhdimisht si i mirë, i duhur dhe i virtytshëm.

Ky kompleks buron që nga fëmijëria e hershme, ku një individ modelohet në sjellje të caktuara që konsiderohen si ‘të përshtatshme’, thotë një tjetër psikologe klinike.

Është normale që prindërit të duan që fëmijët e tyre të jenë të sjellshëm. Që nga fëmijëria, fëmijëve iu mësohet që të jenë të sjellshëm, të bindur, të edukuar, miqësorë, të kujdesshëm për të tjerët dhe jo egoistë. Shumë prindër duan që fëmijët e tyre të jenë njerëz të mirë që të pranohen në shoqëri dhe rrënjosen disa sjellje dhe modele që çojnë në pranim dhe vlerësim. Sipas tyre, kjo është mënyra e duhur për të arritur qëllimet duke i bërë të tjerët të lumtur. Megjithatë, kjo është ajo që qëndron në themel të sindromës së vajzës së mirë dhe kjo gjendje mund të jetë akoma më e komplikuar veçanërisht nëse është implantuar që në fëmijëri. Në fund, këta fëmijë do të përjetojnë vështirësi, do të ngarkohen emocionalisht dhe e kanë të vështirë të përmbushin dëshirat e tyre sepse u kërkohet të bëjnë të tjerët të lumtur.

Për shembull, familjet, ku njerëzit mësohen t’u japin përparësi nevojave të të tjerëve mbi nevojat e tyre, mund të çojnë në një kompleks të vajzave të mira. Vajzat që janë të ndjeshme ndaj refuzimit apo braktisjes mund të shfaqin më shumë sjellje që lidhen me këtë sindromë, pasi mund të mendojnë se të jesh e sjellshme ose pasive mund t’i ndihmojnë ato që të ruajnë marrëdhëniet dhe të shmangin refuzimin.

Sistemi patriarkal është një tjetër faktor kyç në sindromën e vajzës së mirë, ku vajzave të reja u thuhet vazhdimisht të sillen dhe të veprojnë në një mënyrë të caktuar për t’u konsideruar ‘të mira’. Kjo sjellje komformiste është aq shumë e përvetësuar në kaq shumë vajza, saqë edhe pasi të rriten dhe të fillojnë të punojnë, ato do të vijojnë të shfaqin karakteristika të vajzës së mirë. Shoqëria ka një rol shënjues në zhvillimin e sindromës së vajzës së mirë. Është një formë e kushtëzimit shoqëror që shpesh fillon që në fëmijëri, në shoqëri ku njerëzit, veçanërisht vajzat dhe gratë, pritet që të portretizojnë veten në një mënyrë të caktuar  – për shembull, t’i japin përparësi familjes, të jenë pasive ndaj autoritetit, të kënaqin të tjerët, etj. Kjo mund të çojë në frikën e ofendimit të të tjerëve, frikën e refuzimit, si dhe ndjenjën e pamjaftueshmërisë dhe vetëvlerësimit të ulët. Ajo çon në një nevojë të tepruar për miratim dhe një tendencë për të vënë nevojat e të tjerëve përpara të vetes, për t’iu përshtatur idesë së një vajze të mirë.

Shenjat/simptomat e ‘kompleksit të vajzës së mirë’.

Ky kompleks nuk është i njohur si çrregullim ose një diagnozë. Megjithatë, ka disa sjellje të zakonshme që jan gjetur si të përbashkëta mes vajzave që kanë këtë kompleks, të cilat janë:

Gjithmonë kërkojnë vlerësim dhe miratim nga të tjerët.

Vështirësi për të vendosur kufij dhe për tu thënë jo të tjerëve.

Iu japin prioritet nevojave të të tjerëve mbi nevojat e veta.

Ndjehen fajtore ose kanë turp për të shprehur nevojat dhe dëshirat e tyre.

Ndjehen përgjegjëse për mirëqenien dhe lumturinë e të tjerëve.

Vështirësi për të shprehur zemërimin dhe këmbënguljen.

Marrin shumë më tepër përgjegjësi mbi vete se ç’u takon.

Frika për të zhgënjyer të tjerët.

Nevoja për të qenë gjithmonë e shkëlqyer.

Pra, ‘sindroma e vajzës së mirë’ është manifestimi i tipareve të vlerësuar dhe të lavdëruara mes vajzave të vogla në atë masë që deviimi nga këto tipare i bën ato të ndihen fajtore dhe të frikësohen nga gjykimi. Janë pritshmëritë e shoqërisë se si duhet të jenë vajzat dhe gratë dhe si duhet të veprojnë. Edhe pse ato janë tipare të admirueshme në vetvete, vajzat dhe gratë përfundojnë duke i përvetësuar ato dhe të përpiqen të kënaqin të tjerët, edhe nëse kjo vjen me çmimin e mirëqënies së tyre.

Të jesh një vajzë e mirë rrotullohet rreth idesë se nëse dëshiron të të duan dhe të pranojnë, duhet të jesh e sjellshme dhe e dashur me të gjithë. Sidoqoftë, është një koncept i shtrembëruar, sepse nuk mund t’iu pëlqejmë të gjithë njerëzve që takojmë, pavarësisht sa shumë mund të përpiqemi.

Ky koncept bazohet në një ide akoma më të thellë që thotë se ti nuk je mjaftueshëm e mirë, ndaj që të tjerët të të duan, duhet të bësh gjëra dhe të plotësosh disa kritere fillimisht. Kjo nënkupton që vlera juaj është e barabartë me atë se sa i keni kënaqur njerëzit përreth jush.

Mosvendosja e kufijve i bën vajzat shpesh psikologjikisht të pambrojtura ndaj marrëdhënieve toksike, të varura, abuzive, manipuluese dhe jo të shëndetshme. Vendosin standarde të larta për veten dhe krahasojnë veten me të tjerët. Kanë frikë se mos lëndojnë të tjerët.

Një studim nga Universiteti i Standford, raporton se mbiemrat më të dëshirueshëm për të përshkruar vajzat dhe gratë janë të dashura, të ngrohta, që flasin me butësi dhe janë besnike. Nga ana tjetër, kur pjesëmarrësve iu kërkua të listonin mbiemrat e dëshiruar për burrat, rezultati ishin mbiemra të tillë, si: i pavarur, i sigurt, dominues dhe asertiv. Kërkuesit arritën në përfundimin se gratë janë më të dëshirueshme kur janë të buta dhe burrat kur janë të fortë. Ky studim tregon gjithashtu që paragjykimi gjinor fillon që në fëmijëri.

Në një tjetër hulumtim, nga Harward Business Review tregon se vetëm 7% e grave negociojnë me punëdhënësin e tyre për pagën. Ndërkohë që 57% e burrave negociojnë ku vihet re qartazi diferenca e roleve.

Megjithatë, ka gjithmonë një mënyrë për të dalë nga kjo gjendje. Kjo rrugë është që të filloni të mësoheni me ndryshimin dhe të jeni të guximshme. Ju duhet të thoni qartë atë që dëshironi, të guxoni të rezistoni kur nuk mund t’i ndihmoni të tjerët, t’u përmbaheni parimeve tuaja dhe t’i trajtoni të tjerët siç dëshironi të trajtoheni. Praktikimi i vendosjes së kufijve të shëndetshëm për veten, duke e trajtuar veten me butësi kur bëni gabime, duke sfiduar të menduarit negativ dhe duke u fokusuar më shumë në asetet dhe arritjet dhe së fundmi, mund të kërkoni ndihmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat