Zhernovski: VMRO gënjeu, nuk ka shumicë!

Maqedonia

Zhernovski: VMRO gënjeu, nuk ka shumicë!

Më: 5 nëntor 2021 Në ora: 18:16
Foto ilustrim

VMRO-DPMNE gënjeu kur tha se e ka siguruar shumicën në Kuvend, prandaj kërkojnë zgjedhje të shpejta parlamentare. Këtë e deklaroi Andrej Zhernovski në debatin “Klik Plus”, duke i porositur bashkëbiseduesit të tij nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Stefan Andonovski – në qoftë se kanë shumicë le të caktojnë seancë dhe le ta zgjedhin kryeministrin e ri. Sipas Zhernovskit, është e papranueshme që për shkak të rezultatit nga zgjedhjet lokale, të kërkohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“E thashë, LSDM-ja duhet të korrigjohet shumë që ta përmirësojë këtë rezultat, sepse nëse them se VMRO-DPMNE-ja ka rënë, atëherë LSDM-ja ka rënë më shumë sa u takon votave. Por, të kërkohen zgjedhje të jashtëzakonshme mbi bazë të rezultateve në zgjedhje lokale, kjo absolutisht është e papranueshme, sepse kemi siguruar shumicë stabile e cila do të rritet. Po jua them sërish, nuk mund të kuptoj, një ditë thoni se keni shumicë, kurse nesër kërkoni zgjedhje të parakohshme. Nëse keni shumicë, qysh nesër vendoseni në votim dhe zgjidhni kryeministrin”, tha Andrej Zhernovski nga LSDM.

Por, VMRO-DPMNE-ja nuk tërhiqet nga kërkesa e saj. Siç thotë Andonovski, gjëja më e mirë për vendin do të ishin zgjedhje të shpejta të parakohshme.

“Ende jam i mendimit se zgjidhja më e mirë është që të merremi vesh të gjithë, të gjitha partitë dhe të shkojmë në zgjedhje të shpejta të përkohshme parlamentare, të cilat do të përfundonin deri në fund të dhjetorit. Ta mos fusin Maqedoninë në situata shtesë të ndërlikuara në këtë krizë politike, e cila është duke u afruar”, u shpreh Stefan Andonovski nga VMRO-DPMNE.

Bashkëbiseduesit debatuan edhe rreth përdorimit të mbiemrit “E Veriut”. Zhernovski e pyeti Andonovskin – përse i ka gënjyer mbështetësit e tij se do ta ndryshojnë Marrëveshjen e Prespës, kurse menjëherë pasi morën poste të kryetarëve komune, e ndryshuan retorikën?

Zhernovski: Ju thatë se do ta ndryshoni. Tani po thoni se është realitet. A po më kuptoni?
Andonovski: Ne mund ta ndryshojnë realitetin kur do t’i kemi kushtet në Kuvend. Nuk mund ta ndryshojmë realitetin nga komuna Kisella Vodë, e as nga komuna e Krivogashtanit.

Ndryshe, Zhernovski konsideron se vendimi i kryeministrit Zoran Zaev për dorëheqje është i përshpejtuar, kurse Andonovski porositi se skenari më i mirë për vendin është që Zaevi të largohet sa më shpejt që është e mundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat