Sindikatat në Maqedoni kundër shkurtimit të orarit të punës

Maqedonia

Sindikatat në Maqedoni kundër shkurtimit të orarit të punës

Më: 9 nëntor 2021 Në ora: 07:59
Foto ilustrim

Qeveria e vendit ka propozuar se në bazë të reformave në administratën publike parashikohet dhe shkurtimi i orarit të punës së administratoreve gjatë ditës së premte. Sipas propozim-ligjit, ditën e premte administratorët të punojnë vetëm katër orë. Sipas Qeverisë, kjo praktikë është e bazuar në përvojën e shumë vendeve tjera të botës dhe pret përkrahjen e të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces.

Por në anën tjetër, sindikatat kanë kundërshtuar këtë propozim të Qeverisë dhe nuk pajtohen me implementimin e tij. Branko Axhigogov, kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Fondit të Sigurimit Shëndetësor ka deklaruar se asnjëherë nuk është kërkuar zvogëlimi i orëve të punës në seancat e Drejtorisë së Organeve të Drejtësisë së Shoqatave.

“Projektligji i cili do të shkurtoj orarin e javës së punës vetëm për punonjësit e administratës, nuk është kërkesë e jona dhe një gjë të tillë nuk do ta pranojmë të zbatohet”, shtoi ai. Sipas tij, Qeveria po të kishte një synim të sinqertë për zvogëlimin e orëve në javën e punës, do ta sjellë ndryshim në Ligjin për marrëdhënie të punës dhe do të vlente për të gjithë dhe jo vetëm për punonjësit administrativ. Axhigogov, ka shtuar se shkurtimi i orëve të punës nuk mund të vlej vetëm për një pjesë dhe për pjesën tjetër të mos vlej.

Siç tha ai, nëse një gjë e tillë miratohet, atëherë ai beson se do të anulohet nga Gjykata Kushtetuese. Sekretari i përgjithshëm i DOGJSH, Tërpe Deanovski, ka deklaruar se ata asnjëherë nuk kanë kërkuar shkurtim të javës së punës vetëm administratën shtetërore. Ai sqaron se para tre vitesh ata kanë pasur një iniciativë në përputhje me praktikat evropiane, me ndryshimet në Ligjin për marrëdhënie të punës, që javën e punës ta shkurtojë për një orë në ditë për të gjithë punonjësit dhe jo vetëm për administratën publike.

“Nisma jonë ka qenë që në vendin tonë të ketë shtatë orë pune në ditë dhe kjo të vlej për të gjithë punonjësit, jo vetëm për administratën. Ajo që propozohet në projektligjin për zyrtarët administrativ nuk është propozimi ynë”, thotë Deanovski. Sipas sindikatës, me përcaktimin aktual të pagave të punonjësve në administratë, ka dallime të mëdha në paga edhe vet ndërmjet institucioneve dhe punonjësve me të njëjtin arsim dhe të njëjtat përgjegjësi pune por dallohet se në cilin institucion janë të punësuar. Ndryshe, projekt-ligji për katër orë punë gjatë ditës së premte apo shkurtimi i orëve të punës gjatë javës është propozuar nga BDI gjatë fushatës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare vitin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat