Kryediplomati spanjoll, Albares sot në Shkup

Maqedonia

Kryediplomati spanjoll, Albares sot në Shkup

Më: 14 prill 2023 Në ora: 10:56

Ministri i Punëve të Jashtme, BE-së dhe Bashkëpunimit i Mbretërisë së Spanjës, Hose Manuel Albares Bueno, sot do të qëndrojë për vizitë pune njëditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme.

Përveç takimit me nikoqirin e tij, ministrin Osmani, shefi i diplomacisë spanjolle Albares do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

Krahas marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve, në fokus të bisedimeve pritet të jetë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian, në dritën e presidencës së ardhshme të Spanjës me Këshillin e BE-së në gjysmën e dytë të vitit. Në këtë drejtim është planifikuar nënshkrimi i Memorandumit dypalësh i mirëkuptimit për zhvillimin e bashkëpunimit në procesin e anëtarësimit në BE.

Në takime do të bisedohet edhe për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike, si dhe bashkëpunimi sektorial në segmentet e tjera të jetës shoqërore.

Vizita e Albaresit në Maqedoninë e Veriut është pjesë e turnit të tij ballkanik. Ai pardje ishte në Beograd, dje në Sarajevë ndërsa sot para Shkupit do ta vizitojë edhe Tiranën.

MPJ-ja spanjolle kumtoi se Albares vjen në Ballkan për ta transmetuar interesimin e Madridit për vendet e rajonit dhe të paralajmërojë se Spanja, pasi ta marrë presidencën me BE-në më 1 korrik, do t’i mbështesë përpjekjet e këtyre vendeve për t’iu bashkuar BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat