Kuvendi i RMV-së filloi debatin për ndryshimet kushtetuese

Maqedonia

Kuvendi i RMV-së filloi debatin për ndryshimet kushtetuese

Më: 25 korrik 2023 Në ora: 19:03
Kuvendi

Komisioni për Çështje Kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të martën ka miratuar propozimin e Qeverisë për ndryshimet kushtetuese. Më pas ato duhet të miratohen edhe në seancën plenare, e caktuar që të mbahet më 18 gusht.

Ndryshimet e propozuara nga Qeveria kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës, si popull shtetformues.

Kjo parashihet me atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Bullgarinë, lidhur me identitetin, gjuhën dhe aspektet historike.

Marrëveshja me Bullgarinë, që pati për bazë “propozimin francez” i mundësoi Maqedonisë së Veriut që më 19 korrik të vitit 2022 të hapë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE).

Por, këto bisedime nuk do të mund të vazhdojnë për kapitujt nëse Shkupi zyrtar nuk përmbush kushtin kryesor të marrëveshjes, përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.

Nëse këtë nuk e bën, atëherë Sofja mund të përsërisë veton e vitit 2020 kur bllokoi datën e bisedimeve për Shkupin.

Propozimi i Qeverisë, përveç pakicën bullgare, në preambulën e kushtetutës do të përfshijë edhe pakicat kroate, malazeze, sllovene, hebreje dhe egjiptiane.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovçevski, në fjalimin para deputetëve, tha se me këto ndryshime Maqedonia e Veriut edhe më shumë do të forcojë karakterin e saj multientik dhe se ndryshimet nuk do të rrezikojnë “identitetin dhe gjuhën maqedonase”.

Kreu i Qeverisë tha se ndryshimet janë vendimtare për të ardhmen evropiane të vendit dhe të qytetarëve të tij.

“Ne nuk duhet ta lëshojmë këtë mundësi për të ardhmen tonë evropiane. Ne duhet të bëjnë gjithçka që vendin ta anëtarësojmë në BE, që të mund të sjellim kualitetin evropian në shtëpitë tona. Ndryshimet kushtetuese nuk janë të dëmshme siç pretendon opozita. Gjuha maqedonase është e garantuar dhe këtë e kanë thënë qartazi zyrtarët më të lartë të BE-së”, deklaroi Kovaçevski.

Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen me dy të tretat, apo me 80 vota të deputetëve. Shumica parlamentare aktualisht ka 64 deputetë, që nënkupton se për miratimin e tyre nevojiten edhe 16 vota të partive opozitare.

OBRM-PDUKM-ja tha se asnjë nga deputetët e saj nuk do të votojë për ndryshimin e Kushtetutës nën “diktatin bullgar”.

Nga kjo parti konsiderojnë se përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë nuk do t’u jepte fund “kushtëzimeve bullgare”, andaj edhe ka kërkuar që ndryshimet kushtetuese të miratohen vetëm pas përfundimit të bisedimeve me BE-në, apo para se të zyrtarizohet anëtarësimi në union.

Por, kjo kërkesë e saj është kundërshtuar edhe nga zyrtarë të BE-së, pasi bie ndesh me “kornizën negocuese” për anëtarësim.

“Ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar nuk do të ketë. Ndryshimet kushtetuese që ju propozoni janë të dëmshme për kombin dhe shtetin maqedonas. Ky debat që po zhvilloni do të dështojë. Ne ju propozojmë që fare të mos debatoni por që tani t’i vendosni për votim ndryshimet dhe të shihni nëse ato do të kalojnë”, tha Nikolla Miveski, kryetar i Grupit Parlamentar të OBRM-PDUKM-së.

Kundër ndryshimeve doli edhe partia tjetër opozitare maqedonase “E Majta”, e cila madje kërkoi që për çështjet që kanë të bëjnë me maqedonasit të negociojnë vetëm maqedonasit, duke kërkuar me këtë rast largimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

“Ministri i Punëve të Jashtme në këto momente historike nuk guxon të jetë shqiptar pasi po bisedohet për etnitetin dhe identitetin maqedonas. Për të nuk kanë aspak rëndësi këto çështje. Ai ëndërron për shtet tjetër, jo për shtetin tonë”, tha kryetari i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev.

Partitë shqiptare, ndërkohë, kërkuan që ndryshimet kushtetuese të përfshijnë edhe ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe, e cila njihet si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullsisë.

Aleanca për Shqiptarët që është pjesë e Qeverisë, Lëvizja Besa dhe Alternativa që janë në opozitë, thanë se Qeveria duhet ta shfrytëzojë këtë moment dhe të “përmirësojë padrejtësinë që i bëhet gjuhës shqipe”, e cila është e përkufizuar me “terminologji fyese”.

“Unë, si shqiptar i Maqedonisë së Veriut nuk do të kërkoja asgjë më shumë nga bashkëqytetarët e mi maqedonas përpos asaj që unë po e bëj në mbrojtje dhe konsolidim të identitetit dhe gjuhës maqedonase, po të njëjtën ata ta bëjnë për gjuhën shqipe”, theksoi Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.

Afrim Gashi nga partia Alternativa tha se integrimi në BE do të kishte kuptim vetëm nëse në këtë union të gjitha entitetet hyjnë të barabartë duke respektuar gjuhën dhe veçoritë e njëri-tjetrit.

“Kujt nga ju i pengon togfjalëshi ‘gjuha shqipe’? A ka dikush që e urren gjuhën shqipe? E pse atëherë nuk e keni përfshirë edhe atë në këtë propozim-ndryshim? A është gjuha shqipe më pak e rëndësishme se integrimi?”, u shpreh deputeti Afrim Gashi.

Ndërkohë, thirrje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese ka pasur në vazhdimësi nga përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së. Ata kanë thënë se ndryshime janë domosdoshmëri pasi garantojnë të ardhme evropiane jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe forcojnë paqen dhe stabilitetin në rajon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat