Enes Ibraim i shumicës parlamentare: Njëri nga amendamentet e propozuara është kundër-kushtetues

Maqedonia

Enes Ibraim i shumicës parlamentare: Njëri nga amendamentet e propozuara është kundër-kushtetues

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 10:56
Enes Ibraim

Një deputet i shumicës qeverisëse në RMV është kundër ndryshimeve kushtetuese.

Enes Ibrahim, i cili është anëtar i Partisë për Lëvizjen e Turqve, pjesë e koalicionit qeverisës, në profilin e tij në Facebook ka bërë të ditur se amendamenti i dytë kushtetues i propozuar nga qeveria, i cili është amendament në lidhje me përbërjen e Komitetit për marrëdhënie në mes bashkësive, është anti-kushtetues.

“Amendamenti i propozuar i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Amendamenti XII, i cili i referohet Komitetit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, është jokushtetues”.

“Në fakt, me propozimin e ri, numri i anëtarëve të Komitetit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, në vend të 19 anëtarëve të mëparshëm, duhet të rritet në 43, me çka 16 anëtarë nga radhët e deputetëve të Kuvendit maqedonas dhe shqiptarë, dhe nga një anëtar për të gjitha komunitetet e tjera. Ky propozim nuk respekton përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, të garantuar me Kushtetutë”, ka shkruar Enes Ibrahim në Facebook.

Ndryshe, në propozim-iniciativën për ndryshime kushtetuese të miratuar nga Qeveria, propozohet që në Preambulën e Kushtetutës të shtohen bullgarët dhe pesë kombe të tjera. Në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë duhet të përfshihet edhe populli kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptian.

Krahas këtyre është paraparë edhe një tjetër amendament kushtetues për përbërjen e Komisionit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, me të cilin do të ndryshohet numri i anëtarëve dhe në vend të 19 anëtarëve aktualë, numri do të rritet në 43 anëtarë. 16 deputetë nga radhët e deputetëve në Kuvend maqedonas dhe shqiptarë dhe nga një deputet nga radhët e deputetëve turq, vlleh, rom, serb, boshnjak, bullgar, kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat