Bujar Osmani: Politikanët e papërgjegjshëm rrezikojnë të përsërisin gabimin e vitit 2008 në Bukuresht

Maqedonia

Bujar Osmani: Politikanët e papërgjegjshëm rrezikojnë të përsërisin gabimin e vitit 2008 në Bukuresht

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 13:44
Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë intervistës për “Slloboden Peçat”, komentoi dhe përshëndeti vendimin gjeopolitik të Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave me Ukrainën.

Ai tha se qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë të shqetësuar nga vendimi pozitiv i BE-së për Ukrainën, por nga politikanët që, duke mos miratuar amendamentet e nevojshme kushtetuese, rrezikojnë të përsërisin gabimin e vitit 2008 në Bukuresht.

Sipas Osmanit, kjo do të nënkuptonte një bllokim afatgjatë të shtetit në rrugën e integrimeve evropiane, gjegjësisht rreth çështjeve më të rëndësishme për qytetarët: për standardin, për vendimin e tyre nëse do të qëndrojnë këtu apo do të shkojnë jashtë vendit, për vendet e punës, për pagat e tyre, për shëndetësinë, për arsimin.

“Të zgjuarit mësojnë nga gabimet e të tjerëve, ndërsa jo të zgjuarit nga gabimet e tyre. Ne e vendosim veten në një situatë ku nuk mësojmë nga gabimet tona. Ne po lejojmë disa forca të errëta – nacionaliste, të rrëmbejnë të ardhmen tonë për agjenda personale. Jam i sigurt se më vonë do të gjejmë zgjidhje, sepse kohët nuk janë të Bukureshtit 2008, por teorikisht rreziku është që të humbasim edhe një dekadë”, theksoi Osmani, duke u bërë thirrje partive opozitare që të mos qëndrojnë indiferente në këto kohëra kritike për të ardhmen e vendit, që të mendojnë për gjeneratat e ardhshme në vend, që të mendojnë për zgjedhjet e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat