Reagime pas emërimit të Talat Xhaferit si kryeministër i përkohshëm i Maqedonisë së Veriut

Maqedonia

Reagime pas emërimit të Talat Xhaferit si kryeministër i përkohshëm i Maqedonisë së Veriut

Më: 29 janar 2024 Në ora: 19:32
Talat Xhaferi

Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili të hënën e mori detyrën, tha se kabineti i tij do të angazhohet për zgjedhje të drejta, sipas standardeve më të larta, për mirëqenien dhe dinjitetin e Maqedonisë së Veriut dhe të qytetarëve të saj.

Nga ana tjetër, kanë vazhduar sulmet kundër tij dhe kundër partive qeverisëse nga VMRO-ja e opozitës.

Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi filloi sot punën pas një ceremonie të zakonshme të marrjes së detyrës nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski. Dy drejtuesit politikë u shprehën të kënaqur për bashkëpunimin e deritashëm, ndërkohë që zoti Xhaferi u tha më pas gazetarëve se me përgjegJësi të lartë e merr detyrën e kryeministrit dhe se është i gatshëm për të gjitha sfidat që mund t’i sjellë pushteti.

Ndërkohë, ende pa e marrë detyrën e kryeministrit, VMRO-DPMNE-ja opozitare doli me një komunikatë ku zotin Xhaferi e quan dezertor, ndërsa Lidhjen Social Demokrate në pushtet një “parti tradhtare që ia dhuroi shtetin BDI-së”.

“Lidhja Social Demokrate lejoi edhe një përulje të popullit maqedonas, vetëm për t’i shpëtuar kolltuqet dhe veprimet korruptive”, thuhet më tej në reagim, ndërsa vëren se pozita e popullit maqedonas është vënë në atë të qiraxhiut. “BDI-ja nuk ka numër deputetësh as vota që të ketë kryeministrin e shtetit”, vazhdon reagimi i partisë opozitare maqedonase.

Megjithatë, VMRO-DPMNE ka dy ministra dhe tre zëvendës-ministra në kabinetin e Talat Xhaferit. Ligjvënësit e saj abstenuan gjatë votimit të djeshëm të qeverisë teknike.

Analisti Seladin Xhezairi vlerëson se VMRO-ja do të vazhdojë mospërfilljen ndaj zotit Xhaferi, por se ministrat nga radhët e saj nuk do të mund t’i shmangen zotimeve të përcaktuara me ligj.

“Sa i përket kundërshtimeve, të them kështu kushtimisht, ministrave nga radhët e opozitares VMRO-DPMNE kjo ka qenë e paralajmëruar që prej ditësh se ata nuk do ta përfillin zotin Xhaferi, por në të njejtën kohë sipas marrëveshjes së ashtuquajtur të Përzhinës, kompetencat e ministrave të opozitës janë të përcaktuara dhe nga kjo, gjykoj se nuk do të ketë shmangie”, tha zoti Xhezairi.

Ndërkaq, gazetari dhe analisti Isen Saliu thotë se nuk pati reagime aq të ashpra, sepse ishin paralajmëruar protesta nga maqedonas të pakënaqur për shkak të zgjedhjes së një kryeministri shqiptar.

"Është interesante se pati vetëm nga një diskutim të opozitarëve si dhe fakti që në paraqitjen e tyre, ata theksonin se kundërshtimet i kanë parimore ndaj figurës së Talat Xhaferit, ndaj partisë së tij, por po ashtu theksonin se nuk kanë ndonjë kundërshtim ndaj shqiptarëve. Kjo më bën të mendoj se edhe partitë maqedonase të opozitës janë të vetëdijshme se roli i votuesit shqiptar do të jetë shumë i rëndësishëm se kush do të formojë qeverinë mbas zgjedhjeve të 8 majit. Dhe për këtë arsye nuk duan të paraqiten me qëndrime provokuese që mund ta kahëzojnë votuesin shqiptar tek subjektet politike që nuk preferojnë bashkëpunim me opozitën maqedonase”, tha zoti Saliu.

Talat Xhaferi u bë kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ai ishte edhe kryetar i parë shqiptar i Parlamentit pas pavarësisë së vendit nga Federata Jugosllave dhe ministër i Mbrojtjes, po ashtu. Qarqet nacionaliste maqedonase kanë shfaqur mosdurim ndaj tij si shqiptar, por edhe për rolin e tij si pjesëtar i ish-Ushtrisë Çlirimitare Kombëtare në vitin 2001, ku erdhi pas një karriere si oficer i ushtrisë së Maqedonisë. Zoti Xhaferi ka qenë ushtarak edhe në atë që njihej si Armata Popullore e ish-Jugosllavisë. Ai ka mbaruar studimet master për shkenca juridike. Bashkëpunëtorët e tij e vlerësojnë për profesionalizmin dhe punën parimore.

Qeveria teknike, në krye të së cilës është kryeministri Xhaferi e ka për detyrë kryesore përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 24 prillit, kur mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale dhe më 8 maj zgjedhjet parlamentare bashkë me raundin e dytë të presidencialeve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat