Shkup, tre të arrestuar pas skandalit në klinikën e Onkologjisë

Maqedonia

Shkup, tre të arrestuar pas skandalit në klinikën e Onkologjisë

Më: 30 janar 2024 Në ora: 20:06
Foto ilustrim

Tre persona janë ndaluar në Klinikën e Terapisë Radiologjike dhe Onkologjisë në Shkup, në mesin e të cilëve edhe ish-drejtori Nino Vasev.

Këtë njoftim e konfirmoi Prokuroria Publike pas një kontrolli në mjediset e klinikës nga ana e policisë maqedonase në mëngjesin e së martës. Ndërhyrja policore ka të bëjë me skandalin e njohur të shpërdorimit të ilaçeve në këtë klinikë shtetërore. Bastisje janë bërë edhe në dy vende të tjera dhe prokuroria bën të ditur se kontrolli do të vazhdojë.

Disa pacientë që ndodheshin në çastet e arrestimit në klinikë u thanë gazetarëve se e kishin parë ish-drejtorin, doktor Nino Vasev me pranga në duar të mbuluara me mantel të bardhë, i shoqëruar nga policët. Njëri nga drejtorët e Kinikës së Onkologjisë, Halit Matoshi i tha medias se ndër të ndaluarit tjerë ishte një infermiere dhe një punonjës i klinikës.

Dy drejtorët e klinikës, Violeta Klisarova dhe Halit Matoshi thanë se organet hetuese nuk i kishin pyetur ata asgjë, por vetëm kishin thënë se kanë mandat për bastisje dhe ndalimin e tre punonjësve.

Skandalin e para pak muajve e zbuloi revista javore Fokus që botoi një sërë shkrimesh për një rrjet kriminal-biznesor për shitjen e citostatikëve, ilaçe të shtrenjta për mjekimin e pacientëve të prekur nga kanceri. Në këtë rrjet, sipas revistës, ishin përfshirë më shumë mjekë dhe personel shëndetësor nga klinika e Onkologjisë.

Parlamenti e formoi vjeshtën e shkuar një komision për hetimin e skandalit. Kryesuesja e këtij komisioni parlamentar, Rashela Mizrahi e VMRO-DPMNE-së kishte akuzuar drejtorët e klinikës, ish-Ministrit të Shendëtësisë, Venko Filipçe dhe disa ish-drejtorë të institucioneve shëndetësore në vend.

Skandali pati nxitur reagime të shumta në opinionin publik, në mesin e punonjësve të shëndetësisë por edhe tek partitë politike duke thelluar përplasjet midis opozitës dhe partive në pushtet.

Ndërkohë, tek një pjesë e pacientëve apo familjarëve që kanë humbur të afërm nga sëmundjet e kancerit qenë shtuar dyshimet për manipulimet me barëra në këtë klinikë.

Hetimi i Prokurorisë do të duhet të përcaktojë nëse pacientëve gjatë terapisë u është dhënë solucion fiziologjik në vend të citostatitkëve, siç janë ngritur dyshimet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat