Vijon fushata për zgjedhjet kuvendare, koalicionet prezantojnë programet e tyre

Maqedonia

Vijon fushata për zgjedhjet kuvendare, koalicionet prezantojnë programet e tyre

Më: 20 prill 2024 Në ora: 23:15
Foto ilustrim

Më 18 prill në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet kuvendare, të cilat do të mbahen më 8 maj.

Media iu sjell disa nga aktivitetet e koalicioneve më të mëdha, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet për deputetë.

Koalicioni “Për ardhmëri evropiane” i udhëhequr nga LSDM, ka mbajtur tubim në Tetovë, ndërsa para qytetarëve Dimitar Kovaçevski tha se vendi ndodhet para një momenti historik – të bëhet anëtare e BE-së.

Më 8 maj zgjedhja nuk do të jetë vetëm mes partive dhe listave të kandidatëve. Zgjedhjet e 8 majit janë shumë më thelbësore për të gjithë ne si qytetarë të këtij vendi. Vota juaj ka një vlerë të madhe. A do të zgjidhni shpresën dhe një të ardhme të begatë me LSDM-në apo mungesën e shpresës dhe kthimin 10 vjet mbrapa me OBRM-PDUKM-në. A do të mbështesni ndershmërinë, punën e përkushtuar, ndershmërinë dhe vendosmërinë apo frikacakën, manipulimet dhe patriotizmin e rremë”, tha Kovaçevski.

Koalicioni i udhëhequr nga OBRM-PDUKM ka mbajtur tubim në Makedonska Kamenica, prej ku Hristijan Mickoski kërkoi një fillim të ri. Ai tha se “qytetarët duan që të përfundojë sa më shpejt ajo që po ndodh në gjashtë vitet e fundit”.

Unë mund t’ju them në emrin tim, në emër të OBRM-PDUKM-së dhe Koalicionit se si kurrë më parë si gjeneratë politikanësh jemi të vendosur të bëjmë një transformim në Maqedoni. Një transformim me të cilin do të zhduken shumë nga gjërat që sot janë të gabuara dhe që krijojnë zhgënjim, ndonjëherë një emocion i keq, ose na kthejnë pas në kohë, do të kthehet shpresa, do të kthehet optimizmi”, tha Mickoski.

Fronti Europian ka vazhduar takimet me qytetarët e Komunës së Vrapçishtit. Para qytetarëve kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti theksoi se “ky front nuk është i përkohshëm por do të jetë për punë dhe veprimtari shumë më të gjatë”.

Ky Front është ndërtuar në një moment që veç më ishte moment mjaft i pjekur edhe nga masat në përgjithësi të komuniteteve më të vogla. E ardhmja e këtij shteti është në përgjegjësi më të lartë të dy komuniteteve më të mëdha shqiptarëve dhe maqedonasve. Por nuk janë të huaj qytetarët që janë në numër më të vogël. Ky unifikim është dashur të bëhet edhe më herët, ne si shqiptarë kemi pas hallet sepse persekutimet e burgosjet kane qenë të mëdha dhe jemi orientuar që të arrijmë më shpejt drejt marrjes të atyre të drejtave që na janë mohuar”, tha Ahmeti.

Ndërsa koalicioni VLEN e ka vazhduar fushatën në diasporë. Liderët e këtij koalicioni sonte kanë mbajtur tubim me qytetarët në Cyrih të Zvicrës. Prej atje kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari tha se Maqedonia në këto zgjedhje është para një udhëkryqi shumë të rëndësishëm dhe këto zgjedhje janë historike.

Maqedonia në këto zgjedhje është para një udhëkryqi shumë të rëndësishëm. Zgjedhjet janë historike për shkak se baza e garës politike e Maqedonisë, në qoftë se e thjeshtëzojmë, del se garon Albinizmi kundrejt Vuçizmiit. Ne jemi në moment historik sepse pas agresionit rus në Ukrainë, komplet gjeostrategjia ndryshoi. Para 3-4 javësh kisha mundësi të ulem me një profesor amerikan i cili merret me gjeostrategjinë dhe shumë bukur i sqaroi disa gjëra me të cilat pajtohem plotësisht. Për t’u zhvilluar Maqedonia si duhet, shumë të rëndësishme janë dy trekëndëshat. Trekëndëshi i parë është Shkupi, Tirana dhe Prishtina dhe trekëndëshi i dytë, i cili është shumë i rëndësishëm për t’u zhvilluar është Shkupi, Sofja dhe Athina. Domethënë ne si shtet duhet t’i zhvillojmë këto dy trekëndëshe, të kemi sa më shumë bashkëpunime me këto shtete”, u shpreh Taravari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat