“Është pak fyese” - PërpIasje në gjykimin ndaj Sinan Vllasaliut, këngëtari akuzohet se i iku tatimit për gati 25 mijë euro

Mediale Vip

“Është pak fyese” - PërpIasje në gjykimin ndaj Sinan Vllasaliut, këngëtari akuzohet se i iku tatimit për gati 25 mijë euro

Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 19:23
Sinan Vllasalihu

Është mbajtur seanca e radhës ndaj këngëtarit, Sinan Vllasalihut, i cili akuzohet për shmangie të tatimit gjatë viteve 2011 deri në vitin 2015, duke dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 24 mijë euro.

Në këtë seancë të pranishëm në sallë, ishin këngëtari Vllasalihu me mbrojtësin e tij, Florent Latifaj, Prokuroria e rastit si edhe përfaqësuesi i ATK-së.

Gjyqtarja Naime Krasniqi – Jashanica, tregoi se do të dëgjohet ekspertiza e nxjerrë nga eksperti financiar, i cili ka konstatuar se Vllasalihu nuk i është shmangur tatimit.

Në këtë seancë pati edhe përplasje në mes përfaqësuesit të ATK-së dhe mbrojtësit të këngëtarit Sinan Vllasalihut, avokatit Florent Latifaj.

Pas paraqitjes së ekspertizës nga ana e ekspertit financiar, prokuroria e rastit kërkojë nga gjykata që edhe një tjetër ekspert financiar ta marrë përsipër lëndën, ku ky propozim u mbështet nga përfaqësuesi i ATK dhe u kundërshtua nga pala e akuzuar.

Më pas gjykatësja Krasniqi-Jashanica tha se kjo kërkesë aprovohet dhe seanca u shty në një afat të pacaktuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sinan Vllasaliu ngarkohet me veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

Aktakuza thotë se i pandehuri Vllasaliu në cilësi të këngëtarit dhe të pronarit të biznesit “N.P.T. “Tusido” me seli në Prishtinë në vazhdimësi për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015 që ndërlidhen me pagesën e tatimit, tarifave apo kontributeve tjera pranë Administratës Tatimore të Kosovës me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik.

Për këtë veprim, ai ngarkohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë të përgjithshme në vlerë prej 24 mijë e 270 euro e 98 centë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat