​Mitrovicasit po detyrohen të furnizohen me artikuj elementarë në komuna tjera

Mitrovica

​Mitrovicasit po detyrohen të furnizohen me artikuj elementarë në komuna tjera

Më: 11 shkurt 2024 Në ora: 09:24
Foto ilustrim

Vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës që e diela të jetë ditë pushimi për shumë shërbime, sidomos ato me artikuj ushqimorë, ka vështirësuar tej mase jetën e qytetarëve të kësaj Komune.

Ata, gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, thanë se po detyrohen të udhëtojnë nëpër Komuna tjera për t’u furnizuar me artikuj elementarë ushqimorë.

Sami Leku, qytetar nga jugu i Mitrovicës, bëri të ditur se po i duhet që gjithnjë të dielave të shkojë nëpër dyqane të ndryshme të Mitrovicës Veriore, për ta furnizuar familjen e tij me artikuj themelorë ushqimorë.

Leku: Shumë e vështirë, po duhet në veri me u furnizu

“Është shumë e vështirë, po duhet prej pjesëve më të largëta të Mitrovicës, me ardhë në pjesën veriore me u furnizu. Kjo po më duket diçka irelevante… Nuk e di ku ia kanë vënë hesapin kështu’, ka thënë Leku.

Edhe Veton Syla, tha se qytetarët e jugut të Mitrovicës e kanë të vështirë të dielave, sepse duhet të shkojnë në Mitrovicën Veriore ose në Vushtrri, për të blerë ushqimet themelore për familjet e tyre.

Sipas tij, do të ishte mirë që të dielave të të paktën të hapet ndonjë nga marketet e mëdha në mënyrë që qytetarëve t’u mundësohet furnizimi me artikuj elementarë për jetë.

Syla: Duhet me shkua në Vushtrri ose në Mitrovicën Veriore me u furnizua

“Qytetarët e jugut të Mitrovicës e kanë shumë vështirë të dielave me u furnizu me gjëra elementare. Duhet me shkuar në Vushtrri ose me ardhë në Mitrovicën Veriore për me furnizuar familjen… Mirë kishte me qenë me i hap marketet e mëdha për me mundur qytetarët me u furnizu me gjëra elementare për jetë’, tha Syla.

Ndërkaq, Bashkim Brahimi, pronar i një marketi në jug të Mitrovicës, theksoi se vendimi i Kuvendit Komunal që e diela të jetë ditë pushimi, është paksa i rëndë si për pronarët e bizneseve, ashtu edhe për qytetarët në përgjithësi.

Ai potencoi se ka shumë ankesa të qytetarëve për shkak se po detyrohen të dalin jashtë Mitrovicës për të blerë qumësht, vaj dhe artikuj të ngjashëm ushqimorë.

Nëse vazhdon kështu, shtoi Brahimi, ai do të detyrohet ta mbyllë biznesin, sepse siç u shpreh, puna edhe ashtu ka rënë shumë.

Brahimi: Për një qumësht qytetarët po detyrohen të dalin jashtë qytetit të Mitrovicës

“Nuk është vendim i mirë (nga ana e Komunës), është vendim paksa i rëndë, sepse qytetarët kanë ankesa të shumta. Për gjëra elementare, qumësht, vaj etj. qytetarët po detyrohen të dalin jashtë qytetit të Mitrovicës… Puna ka ra shumë dhe si biznes na kanë dëmtuar me të dielat. Që 18 vjet punoj, më keq nuk ka qenë asnjëherë dhe nëse vazhdon kështu, ne do të detyrohemi ta mbyllim dyqanin… Punëtori im i ka dy ditë pushim, të mërkurën dhe të enjten… dhe sa i përket pushimit të punëtorëve në rregull është”, tha ai.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Mitrovicë, Valon Brahimi, tha se ky është vendim i Kuvendit Komunal të cilin Drejtoria e Inspeksionit obligohet ta zbatojë, por u shpreh se ka mundësi për një analizë më të hollësishme të gjendjes, në mënyrë që të ndryshojë rregullorja në fuqi.

Sipas tij, Drejtoria të cilën ai e udhëheqë, është e pafuqishme për ta ndryshuar rregulloren, mirëpo ajo mundet bazuar në gjendjen në terren t’i dërgojë rekomandimet e saj, ndërsa Kuvendit i mbetet prapë të vendos për ndryshim ose jo të kësaj rregulloreje.

Brahimi: Ka vend për një analizë më të thukët të gjendjes dhe për ndryshim

“Realisht ne i kuptojmë vështirësitë e tyre (qytetarëve), e kuptojmë edhe problematikën e furnizimit, por… ka qenë vendim i Kuvendit Komunal… Sigurisht që ka vend për plotësim, ndryshim, sigurisht që ka vend për një analizë më të thukët dhe me ndryshuar situata… Ne vlerësojmë se në të ardhmen duhet të ndryshojë kjo rregullore, por derisa është një vendim i Kuvendit, ne nuk kemi fuqi të interferojmë në ndryshimin e kësaj rregulloreje. Krejt çka mundemi me bërë si Drejtori e Inspeksionit është që duke shfrytëzuar kanalet ligjore me i dërgua rekomandimet tona duke u bazuar në gjendjen në terren, dhe pastaj është çështje e Kuvendit me vendos për ndryshim ose për vazhdimin e masave siç janë tani”, sqaroi për KosovaPress Brahimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat