Reformimi i Diplomacisë Kosovare: fundi i skandaleve dhe jomeritokracisë!

Opinione

Reformimi i Diplomacisë Kosovare: fundi i skandaleve dhe jomeritokracisë!

Nga: Adea Hasi Më: 20 maj 2021 Në ora: 22:45
Adea Hasi

Së fundmi, presidentja e vendit nxorri dekretin përmes së cilit lirohen nga detyra diplomatët politikë. Kjo përmes rekomandimit që morri nga Ministrja e punëve të jashtme znj. Gërvalla, e cila njëherit e konfirmoi edhe në konferencë për media.

Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikisht është bërë duke u mbështetur në programin e ri qeverisës të miratuar, ku synohet reformimi i diplomacisë kosovare.

Poashtu kjo do të pasohet nga një legjislacion, ku do të ristrukturohet shërbimi diplomatik sipas standardeve ndërkombëtare.

Ky veprim i bërë nga ministrja e punëve të jashtme është veprim shumë i qëlluar. Kjo sepse deri tani Kosova nuk e ka kuptuar rëndësinë e vërtetë të diplomacisë, dhe nuk e ka trajtuar me seriozitetin maksimal përzgjedhjen e diplomatëve dhe personave adekuatë për të udhëhequr një mision diplomatik.

Ambasadorët e zgjedhur janë ata që përfaqësojnë Kosovën jashtë kufijve, dhe puna dhe angazhimi i tyre përfaqëson shtetin dhe seriozitetin e tij në marëdhënie të jashtme. Diplomacia është art i negocimit mes shteteve dhe përfshin veprimtarinë dhe gjitha detyrat që i kryen diplomati, karrierën ose profesionin e diplomatit si një nga konotacionet kryesore të diplomacisë.

Me fjalën diplomat nenkuptohen persona të aftësuar në mënyrë të përshtatshme që merren me marëdhëniet ndërshtetërore dhe ndërkombëtare dhe përfaqësojnë shtetin e tyre dhe mbrojnë interesat e tij.

Deri tani vonë, diplomacia ka qenë rehatim i partiakëve, familjarëve dhe të njohurëve të qeveritarëve nëpër pozita që as nuk i meritojnë e as nuk janë të kualifikuar për to. Shumica e personave që kanë qenë të zgjedhur as nuk ia kanë pasur idenë se çfarë misioni duhet të kryejnë dhe çfarë përgjegjësi mbajnë si të deleguar të shtetit. Kosova ka prirë me diplomatë politikë e jo më diplomatë të karrierës. Kosova ka pasur shumë diplomatë të atillë që kanë shkuar nëpër mbledhje e koferenca për të berë foto e për ta postuar, e jo për të marrë fjalën e për të shfrytëzuar rastin për të lobuar për shtetin që i ka derguar si përfaqësues.

Për këtë fillim të reformimit të diplomacisë nga ministrja, patëm rastin të degjojmë replika të shumta, si skandal i diplomacisë; ndikim negativ në marëdhëniet e jashtme ose demtim i imazhit të jashtëm të Kosovës.

Të nderuar, ky nuk është skandal i diplomacisë. Skandal janë situatat e papërshtatshme që shumë herë i kanë bërë “diplomatët” tanë. Skandal janë keqpërdorimet e detyrës zyrtare, keqpërdorimet e imuniteteve dhe privilegjeve të ndryshme. Skandal është emërimi i personave që nuk kanë pasur lidhje me diplomaci apo me rregulla diplomatike dhe skandal janë mandatët e gjata të disa diplomatëve jomeritorë.

Poashtu, reformimet e fundit, më së paku janë ndikim negativ apo demtim imazhi. Përkundrazi, mendoj që do jenë forcim i imazhit të Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve. Kjo sepse do synohet të dergohen persona të përgatitur dhe të aftë në këtë fushë të rëndësishme shtetërore, dhe kjo paraqet seriozitet për shtetin tonë.

Prandaj, uroj që ky reformim i sapofilluar të vazhdojë derisa të krenohemi me arritjet tona në fushën diplomatike. Duhet pasur parasysh se diplomacia nuk është për gjithkënd,dhe vetëm një numër i vogel ka afinitet dhe dijeni të vërtetë për këtë punë. “Suksesi i diplomacisë së çdo shteti varet në masë të madhe nga kualiteti i diplomatëve të tij”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat