Si po shkatërrohen resurset ekonomike të Kosovës?!

Opinione

Si po shkatërrohen resurset ekonomike të Kosovës?!

Nga: Ismail Muqiqi Më: 16 gusht 2021 Në ora: 16:35
Ismail Muqiqi

Në këto ditë të nxehta të kësaj vere të thatë bujqit e Kosovës po përballen me mungesën e ujit për t’i ujitur kulturat bujqësore të cilat janë në gjendje të vështirët. Mjerisht, sistemi Ibër-lepenc i cili para lufte u ndërtua për meliorimin dhe ujitjen e sipërfaqes bujqësore të tokës së Kosovës nuk po i përmbush nevojat dhe kërkesat e prodhuesve bujqësorë.

Ky institucion u shndërrua në ekspoziturë të punësimit të militantëve partiak, miqve dhe familjareve të partive politike. Këto ndërmarrje publike vite me radhë u menaxhuan përmes bordeve dhe krye shefave ekzekutiv partiak. Në kohën kur u ndërtua sistemi Ibër-Lepenc për të cilën Banka Botërore përmes kredisë e bëri financimin e këtij projekti madhor përpos sigurimit të fondeve në vitin 1979 u organizuan aksionet punuese vullnetare në të cilat për çdo verë punuan mbi 500 të ri dhe të reja me punë vullnetare për ti hapur dhe mirëmbajtur bedemet e kanalit Iber-lepenc nga Mitrovica deri në afërsi të Prishtinës. Tani kur Kosovës i duhet bukë dhe ujë më shumë se asnjëherë më par për ti ujitur sipërfaqet bujqësore të cilat tani i ka goditur thatësia ekstreme pak kush po e qanë kokën për funksionimin e kapaciteteve të këtij sistemi i cili ka mision strategjikë zhvillimin e bujqësisë dhe resurseve të industrisë në Kosovë. Politika dhe njerëzit e saj pa integritet nuk punuan për të mirën e ekonomisë por u angazhuan ne punësimin dhe rehatimin e familjareve të tyre duke i shndërruar si prona private resurset ekonomike të Shtetit të Kosovës. Kështu po ndodh edhe në Minierën e zinkut dhe plumbit “Trepça” në Mitrovicë. Dikur kjo pasuri ishte aset kombëtar me përmasa Botërore. Ky gjigant kishte mbi 3000 mijë të punësuar ku bruto produkti ekonomik ishte mbi nivelin e xeheroreve te Shteteve të Ballkanit. Dikur “Trepça”

ishte krenari e ekonomisë dhe industrisë së Kosovës, e tani 20 vite pas lufte nuk është në gjendje t’i siguroj të ardhurat e punëtoreve të saj. Çdo gjë në Kosovë është politizuar. E kur politika e mbrapsht i futë duart në ndërmarrjet publike nuk mund të pritet ndonjë progres apo zhvillim normal i ekonomisë. Duhet theksuar se edhe në Minierën e “Trepçës” u bënë eksperimente më të ndryshme jo me qëllim të zhvillimit dhe të zgjerimit të kapaciteteve por këto eksperimente u bënë përmes politikës kadrovike të partive në pushtet dhe të liderëve që udhëhiqen me Kosovën.

Në këtë gjigand ekonomik ende ekziston mendësia e sistemit të kaluar se humbjet dhe dështimet në organizimin e brendshëm të punës, duhet ti sanoj apo mbuloj shteti përmes fondeve Qeveritare. Pas lufte shumë ngjarje në këtë ndërmarrje kishin ngjyrë politike, e ku disa here u manifestuan tendencat e grupeve të ndryshme të cilat motiv dhe qëllim kryesorë kishin interesat e tyre personale dhe grupore deri tek aspiratat karrieriste për tu futur në bordet dhe organet e kësaj ndërmarrje.

Është e pa shpjegueshme dhe e pa logjikshme në kohën e ekonomisë së tregut dhe të konkurrencës së mallrave dhe të dijës, një gjigand si “Trepça” të punojë me humbje, duke kërkuar para nga Qeveria. Këtu pa dyshim disiplina dhe llogaridhënia dhe papërgjegjësia kanë qenë problemet kryesore në organizimin e brendshëm të punës me nxjerrjen e xehes. Këtë e ka ndihmuar edhe partitë politike të cilat për interesat e tyre më shumë e kanë përçarë dhe dëmtuar këtë ndërmarrje sesa i kanë sjellë ndonjë rezultat në konsolidimin e saj. Kësi shembujsh kemi edhe ne shumë ndërmarrje ekonomike të cilat kanë mbetur barrë e Shtetit, duke i gëlltitur fondet e Qeverisë dhe të taksapaguesve të qytetareve të Kosovës. Dashtë Zoti që Qeveria e tanishme më në fund të përkushtohet dhe të veproj në konsolidimin e përgjithshëm të Resurseve Ekonomike të cilat janë bazament i zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat