Në Kosovë planifikim dhe aplikimi i ligjeve është i domosdoshëm

Opinione

Në Kosovë planifikim dhe aplikimi i ligjeve është i domosdoshëm

Nga: Sali Spahiu Më: 3 shtator 2021 Në ora: 22:13
Sali Spahiu, arkitekt

Planifikimi hapësinor, urbanistik, arkitektonik dhe inxhinierik gjithmonë duhet bazuar në ligje, rregulla, norma e standarde.

Si po ndodh te ne në Kosovë? Mendoj se nuk ka vend për lëvdata. Natyrisht që ka edhe përjashtime, por mjerisht janë shumë të vogla.

Në këtë shkrim, do të ndalem në disa çështje me të cilat po ballafaqohemi sot edhe në këtë lëmi jetike e të rëndesishme për zhvillimin e një vendi dhe shteti.

Kosova, për këtë lëmi ka shum ligje, por aplikimi i tyre është tejet i zbehtë.

Për këtë më së miri flet gjendja reale në terren.

Kjo gjendje, sipas mendimit tim është tepër e rëndë. Ajo i ka përfshirë qytetet tona, fshatrat tonë, korridoret nacionale, malet e lumenjtë që janë degraduar skajshmërisht,ose shkurt më mirë me thanë pjesën më të madhe të Kosovës. Për ne Kosova është e madhe dhe e vlefshme, por për menaxhim të mirë është e vogël, pasi ka më pak se 11.000 km2.

Pra, ky menaxhim nuk po ndodh, si duhet. Arsyeja kryesore ështe mos aplikimi i ligjeve dhe mos mbikqyrja nga ata që kanë përgjegjësi dhe detyrë për këtë.

Shihni gjendjen në të cilën ndodhemi. Janë atakuar vendbanimet tona, “parqet tona nacionale”,EKO SISTEMI, etj…etj…

Pra, gjërat janë në duart tona. Duhet vepruar sipas ligjeve e me shumë pergjegjësi në çdo nivel.

Ky është borxhi ynë për ardhmërinë e këtij vendi.

Në Kosovë shumçka është shkatërruar. Pasojat ndoshta asnjëherë nuk mund të eliminohen.

Nga përgjegjësia nuk mund dhe nuk duhet të amnistohet askush, as profesionistët të cilët ndoshta për përfitime të ndryshme e shkelin KODIN profesional.

Këtë degradim të skajshëm që po i ndodhë Kosovës sot, duhet ndalur.

Kuvendi i Kosovës, Qeveria, ministritë përkatëse, Kuvendet komunale, institucionet relevante dhe profesionistët, padyshim mund të japin kontribut të çmueshëm. Për këtë nuk kam dyshim, por duhet vullnet politik, pergjegjësi institucionale dhe individuale.

Tani po ndalem në disa çështje me rëndësi të veçantë ne aspektin profesional. Natyrisht, për këtë do të jap propozime konkrete të cilat mendoj se do të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes. Andaj propozoj që të mendohet e veprohet në drejtim ligjor për ta ndryshuar gjendjen e tanishme. Këto veprime të nevojshme, ndër të tjera janë:

KRYEARKITEKTI I QYTETIT, çdo qytet i Kosovës duhet ta ketë kryearkitektin e vet me ekipin e tij profesional.

Pra, jo sa herë të ndërrohet pushteti partiak - në krye të shërbimit urbanistik të vie personi partiak që në shumë raste nuk është profesionist i fushës. Ky shërbim duhet udhëhequr nga njerëzit me përvojë e referenca profesionale.

Për planifikim hapësinor, urbanizëm, arkitekturë, infastrukturë etj. duhet dije e përvojë e jo librezë partiake.

Kryearkitekti, zakonisht është në krye të ekipit profesional pa mandat të limituar.

Nuk është lehtë të planifikohet, qyteti, komuna etj. pra, zhvillimi dhe ardhmëria e tyre. Planifikimi, ndërtimi, infrastruktura dhe realizimi i tyre duhet të mbikqyret e përcjellet në vazhdimësi.

Qyteti është projekt dinamik, i cili nuk përfundon kurrë. Ai lyp përkushtim, mirëmbajtje dhe shumë dashuri.

Zhvillimi i mirë urbanistik i qyteteve tona është interes i përgjithshëm.

PLANIFIKIMI HAPESINOR DHE URBANISTIK, është Kushtetuta e dytë e një vendi

(kështu thoshte i ndjeri prof. ark. Bashkim Fehmiu). Pra, këtë planifikim shumë të rendësishëm për një vend duhet ta koordinojnë institucionet më të larta dhe vendimarrëse të Kosovës. Kjo është shumë e rëndësishme. Kam përshtypjen se ky problem fundamental nuk po trajtohet sa duhet ose po mbetet vetëm në letër.

Planifikimi urbanistik shpesh përcakton sigurinë e jetes sonë në qytet. Ky planifikim në esencë është multidisiplinar. Atë mund ta bëjnë vetëm profesionistët me përvojë e referenca e jo tenderi “më i lirë” ose ata që profesionin e konsiderojnë “si tregti”.

Pse po them kështu? Sepse në Kosovë ka shumë lagje ku nuk mund të intervenojnë automjetet e zjarrfikësve ose ku nuk mund të hyjnë ndihma e shpejtë, e mos të flasim për insolim(diellzim) të nevojshëm, hapësira të lira, gjelbërim, parkigje etj. etj… Kjo dukuri nuk ka lidhje me urbanizëm, por ka shumë lidhje me përfitime të ndryshme, ku shumë shpesh ligjet, normat, standardet e rregullat” bien në ujë”.

PROJEKTIMI, është në esencë proces shumë kompleks profesional. Në Kosovë sot çdo kush projekton, por mjerisht askush ose tepër pak i kontrollon projektet para dorëzimit për leje ndërtimore. Ligji nuk parasheh REVIDIM të projektit. ABSURD shumë i madh?! Si pasojë kemi lëshime serioze në dokumentacionin projektues. Natyrisht edhe kjo reflekton në urbanizëm dhe arkitekturë. Ka edhe raste pozitive që shprehin trende aktuale në Evropë e më gjerë, por janë shumë të veçura e nuk vijnë në shprehje në këtë kaos urban, të cilin duhet ndalur sa më parë. Këtë e kemi obligim për hir të ardhmërisë së Kosovës.

NDËRTIMI, është i lidhur ngusht me projektim dhe mbikqyrje të mirëfillt e profesionale. Në shumë raste kompanitë tona ndërtimore i kanë projektuesit e vet me të cilët shpeshherë dirigjon pronari i kompanisë duke i mbrojtë interesat materiale që mund të reflektojnë negativisht në kualitet e siguri. Ka edhe ndërtime kualitative, por më pak.

Ka raste, kur ndërtimet e reja po e dëmtojnë infrastrukturën rrugore, teknike dhe objektet në afërsi, duke rrezikuar jetën e banorëve. Kjo ka ndodh disa herë, nga se masat e sigurisë në punishte improvizohen ose aplikohen simbolikisht.

MBIKQYRJA, e mirëfilltë dhe profesionale gjatë ndërtimit të objekteve është tepër kruciale.

Sa jam në dijeni Ligji aktual i ndërtimit këtë punë ia ka lënë Drejtorive të urbanizmit. Pajtohem se është ide e mire, por nuk besoj se çdo komunë i ka të gjitha kuadrat e nevojshme dhe me përvojë të duhur për mbikqyrje.

Ky nen (ABSURD në kushtet tona) i këtij ligji vështirë se mund te aplikohet, madje edhe në Prishtinë .

Si pasojë e mbikqyrjes jo adekuate, mund te kemi lëshime serioze e më pasoja.

CERTIFIKIMI i objekteve duhet te bëhet vetëm nga ekspertët, duke u bazuar ne rregullativën ligjore. Pra, pranimi teknik (siq njihet në opinion) ose certifikata e përdorimit të objektit lëshohet vetëm atëherë kur ndër te tjera, konstatohet se:

-Janë përfunduar të gjitha punimet sipas projektit dhe lejes ndërtimore

-Janë përfunduar punimet në rregullimin e jashtëm

-Janë siguruar masat e nevojshme për persona me nevoja të veçanta

-Janë marrë masa mbrojtëse kundër zjarrit etj. etj…

Jam shumë i bindur se në mungesë të pranimit teknik, një numër i madh i objekteve në Kosovë nuk posedojnë këtë certificatë shumë të rëndësishme.

Mendoj se lidhur më këtë, duhet vepruar urgjentisht. Kemi të bëjmë me siguri të përgjithshme. Autoritetet për këtë i kanë autorizimet e veta ligjore, për të ndërmarrë diçka.

Në punën tonë gjithmonë, duhet te synojmë e të krijojmë hapësira të mira, mjedise urbane e objekte arkitektonike me vlera humane e të sigurta për jetë dhe punë.

Prishtinë, shtator 2021 Sali SPAHIU ,arkitekt

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat