Spitalet e Kosovës dhe mungesa e ampulave ‘Analgin’ që kushtojnë 25 cent!

Opinione

Spitalet e Kosovës dhe mungesa e ampulave ‘Analgin’ që kushtojnë 25 cent!

Nga: Valdrin Nuredini Më: 28 prill 2022 Në ora: 18:46
Pamje nga një prej korridoreve në QKUK

Ora shënonte 23:15 minuta, nëna anipse e kishte kaluar me sukses operacionin, po vuante ende nga dhimbjet në shtratin e dhomës numër 20, të katit të dytë, në Repartin e Ortopedisë.

“Infermiere, a mundeni me e kontrollu edhe një herë nënën sepse ka dhimbje të tmerrshme dhe nuk po mundet me qëndru. Të paktën diçka për të pushuar sado pak dhimbjen, paçka se ajo në tërësi nuk do ndalet”, po i drejtohem infermirës përgjegjëse për ndërrimin e natës.

E lodhur nga ndërrimi-orari, e ndoshta edhe nga punët e tepërta me pacientë të panumërt e me raste prej më të ndryshmëve, ajo mu kthye:

“Djalosh, po t’i shkruaj dy ampula ‘Analgin’, dil shko bleja në barnatoret që janë jashtë oborrit të Spitalit. Po e provojmë me këtë ampul sepse nuk guxojmë me e tepru, për shkak që munden me dhanë efekte tjera anësore. E thirrum kur të kthehesh”.

Rrugës për tek barnatorja, oborri i QKUK-së ishte i qetë, e kishte kapluar heshtja dhe errësira. Sikur edhe lisat po pushonin nga një zhurmë e pandalur gjatë ditës, për shkak të dinamikës së rasteve. Ai oborr që pranon me mijëra pacienta gjatë ditës, i kishte fikur dritat, të pushonte, para një dite tjetër që e priste me shumë zhvillime.

Në një vend që shkohet për mjekim, e që frika llogaritet se duhet të largohet, pacienti ose shoqëruesi rrezikohet edhe nga qentë endacak. Asnjë sirenë, e as zë njerëzish, mes një errësire dhe qetësie, vetëm zhurma e qenve ndëgjohej e që dukshëm mund të depërtonte edhe në dhomat e pacientëve që ishin të shtrirë për mjekim.

Rrugës tek po ecja, po mendoja se sa e shtrenjtë mund të ishte një ampul ‘Analgin’, e që për fat të keq, nuk gjindej në repartin ku ishte e shtrirë nëna. Pas një ecje më shumë se 10 minutëshe, futem në njërën prej barnatoreve. Pasi ia jap recetën e infermierës, farmacisti më drejtohet:

“Pagesa 50 cent, për dy ampula Analgin”.

Pa e zgjatur më shumë, i mora ampulat dhe më një qeshje ironike po e vazhdoj rrugën për tu kthyer prap aty, në vendin e njëjtë. Aty ku mungonin ampulat e 25 centëve, e që pacientët detyrohen të dalin dhe t’i blejnë nga xhepi i tyre. Edhe në mes të natës, e për më tepër nën kërcënimin e qenve endacak.

Ky është realiteti në Spitalet e Kosovës, kjo është gjendja në të cilën ndodhet shëndetësia e Kosovës. E kjo më se pakti për fajin e mjekëve sepse ata janë të fundit që duhet të brengosen për fatin e medikamenteve, e që kjo as që duhej diskutohej në një vend normal.

Të gjithë ministrat që kanë qenë në krye të këtij institucioni, që nga përfundimi i luftës, duhet të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari se si është e mundur që edhe pas gjithë atyre investimeve, fondeve dhe ndihmave nga jashtë, ende QKUK-ja përballet me problemin e njëjtë, mungesën e barnave elementare.

Si është e mundur të pretendohet shërimi i pacientëve, kur nuk po arrihet të shërohet problemi më esencial, sigurimi i barnave për nevojat elementare? Kjo është një pyetje që duhet ta godas ndërgjegjjen e secilit prej atyre që e kanë pasur në dorë mundësinë që ta rregullojnë këtë problem, një herë e përgjithmonë.

Si të kërkohet shërim, në vendin ku sistemi është i sëmurë?

Mjekët dhe infermirët janë heronjtë e këtij vendi. Nën kushte shumë të kufizuara, nuk ndalen, punojnë dhe pa shumë zhurmë e kryejnë misionin më human që ekziston. Përjashto këtu rastet individuale të këqpërdorimeve të profesionit.

Kjo edhe mund të jetë njëra prej arsyeve se pse ne po i humbin djemtë dhe vajzat më të mira nga profesioni i mjekësisë. Po i rrisim e shkollojmë, për tregun evropian sepse ne fatkeqësisht nuk jemi në gjendje që të ofrojmë kushte për punë.

Dhe ky është thjesht ështe një realitet i dhimbshëm, e që ne çdo ditë e injorojmë.

E Injorojmë sepse tash na është shndërruar në diçka krejt normale dhe askush nuk bënë hapa konkret në këtë drejtim.

Lamtumirë QKUK, me shpresën që herave tjera do të takohemi në situata më të mira. Lutem për ty dhe gjithë stafin mjekësor.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat