25 vjet më parë, në Durrës, miting në mbështetje të Kosovës

Opinione

25 vjet më parë, në Durrës, miting në mbështetje të Kosovës

Nga: Kadri Tarelli Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 18:31
Nxenes para memorialit. Hotel Drenica.

Vitet kalojnë shpejt, por në kujtesën e qytetarëve durrësakë mbeten të gjalla ngjarjet e njëzetepesë viteve më parë, të cilat tronditën botën dhe ngritën në këmbë gjithë kombin Shqiptar.

Pranverë. Mars i vitit 1998, u vra heroikisht Adem Jashari. Ngjarje e rëndë, për t’u shënuar në librin Gines, madje është në përmasat e një legjende, të jetuar plot dhimbje dhe krenari shqiptarie, pasi u shua një familje e tërë, me rreth 52 frymë. Mbase e kam gabim, por unë nuk kam dëgjuar e lexuar, që në botë të ketë ndodhur që, një familje e tillë qënderëstare, të shuhet në emër të lirisë, përballë një force të armatosur gjer në dhëmbë, siç ishte ushtria Serbe.

Makina ushtarake serbe, me urrejtje të pashoqe anti shqiptare, me të gjitha mjetet filloi luftën për shpopullim të trojeve arbërore, largimin e shqiptarëve të Kosovës nga mëmëdheu mijëra-vjeçar. Shpopullim biblik. Qindra dhe mijëra pleq, plaka, gra dhe fëmijë të tmerruar nga zjarri i luftës, po futeshin në Shqipëri, duke kaluar kufirin, atë kufi të mallkuar që për gati një shekull më parë, na kish ndarë ne shqiptarëve në dy pjesë. Ishte fillimi i një gjëme të madhe: spastrimi etnik i Kosovës.

Askush nuk e besonte se çdo të ndodhte më pas, por një parandjenjë e keqe nisi të ngacmojë mendjen dhe shpirtin e shqiptarëve. Orakull i padukshëm, instikti i vetëmbrojtjes paralajmëronte kohë të vështira. Lajmet që vinin të ngjethnin mishin, por bota përherë si e përgjumur, akoma s’po u besonte, më shumë bëntë sikur s’dëgjonte e s’ shikonte ç’bëhej, kur masakrohej një popull i tërë. Dardania, pjesa më e shëndetshme e kombit shqiptar, ishte në rezik.

Ne që i përjetuam ato ngjarje, sot çuditemi kur i kujtojmë. Si me magji, apo frymë perëndie, u ngrit në këmbë i madh e i vogël. Pa urdhërin e askujt e pa dekrete qeverie, nisën veprimet e para. Qytetaria durrësake hapi dyertë e shtëpive, ndau varfërinë me të porsaardhurit. Mësuesit pritën fëmijët nëpër shkolla. Sa të trembur ishin, veç t’i shikoje. “Kryqi i Kuq Shqiptar” filloi të grumbullojë e të shpërndajë ndihma. Shoqatat “Durrësi”, “Kosova”, “Çamëria”, Fondacioni “Sulejman Vokshi”, nisën të bashkëpunojnë e të ngrenë zërin e protestës. Lokali “Drenica” në zonën e Plazhit, pronë e vëllezërve Kapiti, po priste luftëtarët vullnetarë nga e gjithë bota, që pa u çlodhur, vishnin uniformën ushtarake dhe niseshin drejt frontit të luftës në Kosovë. Në shenjë kujtimi në obor ngrihet një përmendore mermeri. Organet e pushtetit lokal u vunë në lëvizje. Të shpërngulurit po shtoheshin dita-ditës. Koha nuk priste. Akrepat e një ore gjigande po lëviznin. Secili po bënte atë që kishte mundësi.

Duhesh bërë diçka më shumë, jo vetëm punë në heshtje. Ishte koha të ngrihej zëri i protestës së shqiptarëve ndaj masakrave të ushtrisë serbe. Kambana këto, që të zgjonin kancelaritë e botës.

Nismëtar u bë fondacioni “Sulejman Vokshi”, i themeluar në Durrës në vjeshtë të vitit 1996, nga Qazim Kreka. Ishte një burrë i moshuar por shumë energjik, nga fshati Gllogjan i Deçanit në Kosovë, ardhur në Shqipëri, rreth viteve 1955-1956, (Aksioni i armëve) dhe vendosur në Elbasan. Në vitet 1994-1995 vendoset familjarisht në fshatin Shkallur, në afërsi të Durrësit. Ai me detyrën e kryetarit të fondacionit, ku bëja pjesë edhe unë, kërkoi një takim me drejtuesit e shoqatës “Durrësi”, si më e madhja, më e organizuara dhe që gëzonte shumë autoritet në Durrës.

Takimi u bë në mesin e muajit Prill, në mjediset e shkollës 8-vjeçare “B. Curri” në Plazh, pikërisht në drejtorinë e shkollës. Qazimi, dhe përfaqësuesit e shoqatës “Durrësi”, z. Halil Myderizi, kryetari dhe Salvator Sotiri, antar i kryesisë, u vendos një zëri për organizimin e një mitingu të madh, proteste qytetare popullore. Natyrisht duke kërkuar mbështetje edhe nga organizma të tjerë, si shoqata, institucione shtetërore, përfshi edhe parti politike.Puna u nis mbarë. U gjet mirëkuptimi i plotë. Menjëherë u bisedua me drejtuesit e pushtetit vendor, së pari me Prefektin Z. Martin Cukalla, një burrë autoritar, fjalë pak, tamam një burrë shteti. Takimi nuk zgjati më shumë se 10 minuta. U sigurua mbështetjë. Më pas u bë takim edhe me Kryetarin e Bashkisë së Durrësit Z. Arqile Goreja, që e mirëpriti nisëmn dhe kërkesën tonë. Në këtë valë të nxehtë të frymës të bashkëpunimit dhe mbështetjes, u organizuan edhe dy takime, në mjediset e Pallatit të Kulturës “A. Moisiu”: më 07. dhe 13 Maj, 2008, ku mernin pjesë përfaqësues të të gjitha shoqatave, partive politike dhe komuniteteve fetare që vepronin në Durrës.

Po citoj pak rreshta nga shtrimi i problemit dhe diskutimi: “Ne i përmbahemi parimit, se qeveritë dhe partitë shkojnë e vijnë, por edhe mendimet dhe bindjet ndryshojnë. Vetëm atdheu dhe kombi mbeten të përjetshëm” (Pjesë nga procesverbali).

Ishte e para herë në ato vite, që përfaqësuesit e partive politike u mblodhën së bashku dhe ishin në një mendje. Çështja kombëtare e gjeti vendin e vet. U ngrit mbi interest e partive politike. U vendos që mitingu të zhvillohej më 20 Maj, ora 12.00, në sheshin qëndror para Bashikë së qytetit.

Në veçnti, mbështëtës të fuqishëm në organizimin e të gjitha takimeve dhe të gjitha veprimatrive u bënë edhe dy shoqatat, si “Shoqata atdhetare-politike Kosova”, me kryetar Z. Myftar Gjonbalaj, dhe “Shoqata atdhetare Çamëria” me kryetar Z. Avdyl Sulejmani.

Jo më pak i dobishëm në ndihmë, ishte i kudo-ndodhuri Skënder Çeku, Heroi Dardanisë, nga fshati Qysk pranë Pejës, ato kohë ndodhej me banim në Durrës, i cili sapo filloi lufta u nis dejt frontit dhe në qershor 1998, ra në zjarrin e luftës me armë në dorë.

Image
Takimi në drejtori. Nga e majta Halil Myderizi, Salvator Sotiri, Qazim Kreka, Kadri Tarelli

Mitingu madhështor u zhvillua në sheshin para Bashkisë së Durrësit. Kryetari Arqile Gorea ishte i pari që propozoi, se vendi i metingut të jetë para Bashkisë dhe fjalimet të mbahen tek ballkoni saj. Ishte një gjest madhor. Pas afro 50-vjetësh, ne do të ishim të parët që do ngjiteshim dhe nga ky ballkon do t’i drejtoheshim qytetarisë durrsake, për mbështetje të luftës në Kosovë dhe ndihmë e përkrahje të shpërngulurve që shtoheshin përditë. Mijra qytetarë me flamuj dhe parrulla në dorë u mblodhën në këtë shesh, për të protestuar dhe dënuar masakrat dhe genocidin serb, ndaj vëllezërve shqiptarë të Kosovës, duke shprehur thirrjen e shpirtit të kombit: “Një komb, një qëndrim”.

E quaj veten me shumë fat, sepse si anëtar i kryesisë së Fondacionit “S. Vokshi” m’u ngarkua të hartoj dhe të lexoj thirrjen drejtuar qytetarëve të Durrësit: - “Për kombin asnjëherë nuk është vonë dhe gjithçka nuk është e tepërt”. Këto ishin fjalët e para, për të vazhduar më tej: “Ne përkrahim pa rezerva popullin shqiptar të Kosovës…. Jemi pranë vëllezërve tanë në këto ditë të vështira… Dënojmë agresorin serb….. Kërkojmë nga ShBA dhe komuniteti Europian të ndërhyjë energjikisht në Kosovë që po shpopullohej. Thirrja jonë është: të ndalet dora aggressive, gjakatare serbe,…. Është zëri i kombit që na thërret…. Skrificat që po bëjmë sot, i përjetojmë ne, por i përjetësojnë brezat” (pjesë nga thirrja ).

Të gjithë oratorët njëzëri dënuan veprimet e ushtrisë serbe në Kosovë dhe bënë thirrje për bashkim dhe qëndresë popullore. Emocione të forta përcolli tek të gjithë pjesëmarsit në miting, fjala e nxënëses Elona Krastafillaku, si përfaqësuese e rinisë së shkollave të mesme të qytetit të Durrësit.

Në mbyllje të mitingut, kryetari i Bashkisë Z. Arqile Goreja, prpozoi:

“Ju ftoj të gjithëve të marim pjesë në një manifestim paqësor, duke lëvizur kështu siç jemi në bulevard, deri tek sheshi Mujo Ulqinaku”. Ishte një gjetje shumë e goditur, me një simbolikë të fortë qytetare, kombëtare dhe atdhedashurie.

Ngjarjet u zhvilluan shumë shpejt. Takime dhe mitingje u mbajtën edhe në muajt që pasuan. Mund të përmend mitingun e dytë të mbajtur në Durrës, mbrëmjen e shtatorit të po këtij viti, në sheshin që shtrihet para pallatit “A. Moisiu”, ku në shenjë simbolike erdhi të bashkohet me qytetarët e Durrësit edhe nje togë me vullnetarë të ardhur nga bota, veshur ushtarakisht, që pas mitingut do të nisej direkt në frontin e luftës.

Genocidi serb arriti kulmin. Qindra-mijra shqiptarë të Kosovës u shpërngulën me forcë. UÇK-ja rritej dhe luftonte heroikisht. Me luftën e saj shkroi një faqe të ndritur në historinë e Kosovës dhe shqiptarisë. Mijëra luftëtarë të lirisë ranë deshmorë. U zhvilluan takime dhe bisedime në Rambuje. Këmbanat e alarmit, më në fund e zgjuan botën. Filluan bombardimet dhe Serbia u thye. Një vitë më pas Dardania u çlirua, pikërisht në 12 Qershor 1999, dy dit pas 10 Qershorit, ditës së shenjtë të “Lidhjes shqiptare të Ptizrenit”, 1878. Dhe afro dhjetë vjet më pas, më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall e pavarur. Fitore e jashtëzakonshme për një popull të martirizuar.

Ne brezit që na takoi të përjetojmë dhe të jemi pjestarë të asaj lëvizjeje mbarë kombëtare, kemi të drejtë t’i themi vetes se jemi të lumtur e krenarë, pasi bëmë diçka për Dardaninë dhe kombin. Secili e bën historinë në kohën që e jeton.

Koha dhe brezat do ta çmojnë madhështinë e kësaj vepre modeste të qytetarisë durrësake.

Dardani e gëzofsh 15-vjetorin e mëvetësisë!

Shënim: Ne nuk ishim mësuar ta dëgjonim dhe ta përdorim emrin Dardani. Më vjen keq që Kosova nuk e ndërroi emrin fill pas çlirimit, për t’u thirrur me emrin e lashtë Ilir, Dardani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat