Edhe një herë për akuzat kundër zotit Kurti!

Opinione

Edhe një herë për akuzat kundër zotit Kurti!

Nga: Enver Bytyci Më: 19 gusht 2023 Në ora: 23:44
Enver Bytyci

Paradite kam shkruar një status rreth një artikulli të Nacionales së Beratit, titulli i të cilit ishte shumë provokues dhe denigrues. "Miku i Albin Kurtit...." thuhej se është shkelës ligji, hajn a diçka e tillë.

Shkrova atë status për të tërheq vëmendjen se gjithkush prej nesh ka miq, të njohur, ose të afërt e pjestarë të familjes. Por secili prej tyre ka identitetin, integritetin dhe dinjitetin e tij. Nëse dikush prej miqve të Albin Kurtit shkel ligjin, asnjë medie në botë nuk do ta prezentonte si mik i kryeministrit, por me emrin dhe mbiemrin e tij. Vetëm nëse kryeministri e merr në mbrojtje ose ndikon në gjyqësor për mos dënimin e një miku të tij, atëherë i lind e drejta medies ta qortojë, ta sulmojë e ta kritikojë ashpër atë.

Mirëpo nuk ka ndonjë fakt se Albin Kurti mbështet, bashkëpunon, apo mbron ndonjë shkelës ligji, qoftë ky i njohur, bashkëpunëtor i tij ose mik dhe i afërt me të. Megjithatë mediet publikojnë tituj, sikur Albin Kurti na qenka "hajdut", "grabitqar", "i korruptuar" etj. Dhe e dini pse po ndodh kjo? Sepse kundërshtarët e tij duan ta përlyejnë dhe nxijnë karakterin dhe të qenit si politikan i pakorruptueshëm. Duan ta thyejnë këtë mit, me të cilin në fakt, së paku deri më sot, duhet të mburret çdo qytetar i Kosovës, përfshirë dhe mediet kritikuese e linçuese.

Dhe e gjitha kjo shkon në favor të Beogradit. Nëse i heq kryeministrit të Kosovës cilësinë e njeriut të pakorruptueshëm, atëherë mund ta shantazhosh atë për kompromise ndaj Serbisë. Këtë skemë nuk e drejton vetëm Beogradi, por edhe Tirana zyrtare dhe disa qarqe diplomatike në Prendim. Kjo ndodh se Kurti është bërë pengesë për lëshime në dëm të Kosovës e shtetësisë së saj në dialogun me Serbinë.

Të gjitha sulmet të çojnë te kjo narrativë. Prandaj mendoj se skenaristë të këtyre sulmeve janë të ngjajshmit e ish-UDB-së, KGB-së dhe Sigurimit të Shtetit të Shqipërisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat