Tregtia ilegale me narkotikë - formë e kriminalitetit të organizuar në botë

Opinione

Tregtia ilegale me narkotikë - formë e kriminalitetit të organizuar në botë

Nga: Prof.Dr.sc.Kadri Bicaj Më: 20 gusht 2023 Në ora: 11:26
Prof.dr.Kadri Bicja

Tregtia ilegale e substancave narkotike gjatë stinës së verës, në kohën e sezonit turistik, dhe në kohën kur komunikacioni është tepër i dendur apo gjatë festave të ndryshme, sasitë e lëndëve narkotike të transportuara janë më të mëdha.

Nga tregtia e paautorizuar e substancave narkotike ose drogave dhe me substanca psikotrope, bashkimi dhe organizimi i rrjetit të shitësve është ndër format më të shpeshta dhe më të rrezikshme të formave të reja të kriminalitetit në botën bashkëkohore. Si formë e re dhe tepër e rrezikshme e shfaqjes së kriminalitetit-tregtimi i pijeve të ndryshme narkotike ose drogave kryhet nga persona me prirje kriminale, të cilët synojnë të realizojnë të ardhura dhe fitime të mëdha. Përherë, ata tregojnë aftësi dhe gjeturi të lartë nisur nga motivet për t,u marrë me tregti të paautorizuar dhe ilegale të pijeve narkotike ose drogave dhe nga lakmia për pasurim, breng për mbajtjen e familjes, dëshira për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe dëshira për jetë që shquhet nga luksi në veshje, në stoli tepër të shtrenjta që përherë bien në sy te grupet e shtresave të pasura, të cilat kanë shpenzime tepër të mëdha e në veçanti në veshje shumë të shtrenjta.

Ata janë të organizuar në grupe dhe organizata të regjistruara në mënyrë legale, ku regjistrohen sa për sy e faqe për të pasur mbulesë para organeve të pushtetit, policisë dhe administrates. Aktivitetet kriminale i kanë të maskuara me një organizim me strukturë organizative mjaft të degëzuar dhe të përsosur. Gjatë tregtimit të pijeve të ndryshme, narkotike ose drogave, mënyra e punës dhe aktiviteti i tyre është mjaft konspirativ dhe mbështetet në veprimet e fshehtësisë së plotë.

kriminaliteti i organizuar ashtu edhe ai profesional kanë si pikësynim "trafikimin e drogës", të armëve të zjarrit, realizimin e transaksioneve jo të ligjshme financiare, të prostitucionit, të karburanteve dhe duhanit, vjedhjen e pasurisë në banka, vjedhjen e automjeteve dhe shitjen e tyre, "trafikimin" e fëmijëve në forma të ndryshme, trafikimi" klandestin të njerëzve nëpërmjet detit dhe tokës, vrasjet, falsifikimet e vizave, të pasaportave, parave etj. Mundësia për të arritur fitime të mëdha nëpërmjet tregtisë ilegale të substancave të ndryshme narkotike ose drogave, shumë persona dhe organizata kriminale i motivon që të merren me këtë veprimtari kriminale.

Anëtarët e këtyre organizatave kriminale në këto veprimtari kriminale në mënyrë të përsosur kryejnë fshehjen e narkotikëve me rastin e transportimit me mjete të transportit. Personat që merren me këtë veprimtari i fshehin gjurmët, që më parë studiojnë vendet ku prodhohet droga, dendësinë e trafikut rrugor, kohën e marrjes se narkotikëve etj. Ata kanë një sistem të organizuar të njoftimit për veprimin e tyre kriminal të tregtisë së narkotikëve, të lidhjeve, sigurimin e pajisjeve të nevojshme teknike për zhvillimin e kryerjes së tregtimit të narkotikëve. Përherë janë të gatshëm që të bëjnë shantazhe të llojllojshme, ndërhyrje të domosdoshme për dhënien e ndihmës së shpejt në raste kur vërehet se po dështon plani i tyre kriminal. Çdo gjë bëhet me një organizim të përsosur, ku shefi i tyre përbën hallkën kryesore në çdo aksion. Grupi ekzekutues i veprës në fjalë njeh mirë rrugët për ta shfrytëzuar, nga ka për të lëvizur dhe kohën e kryerjes së veprës kriminale. Ata studiojnë kushtet atmosferike, kohën e sezonëve turistike, frekuencën e turistëve në pika kufitare, rrethanat negative dhe pozitive për kryerjen e veprës, sigurimin nga të papriturat, pa gjurmë dhe shenjat në vendin ku duhet ta marrin narkotikun. Ata janë të gatshëm përherë që të bëjnë improvizime në fatkeqësi komunikacioni për të tërhequr vëmendjen e doganierëve në kohën kur duhet ta kalojnë kufirin për ta vazhduar rrugën më tej. Telekomunikimin e kanë më të përsosurin, sipas teknikës se fundit, dhe kanë përherë në dispozicion automjete të përsosura:avionë, helikopterë e shumë sende të tjera vetëm për ta arritur qëllimin e caktuar që ia parashtrojnë vetes gjatë tregtimit të narkotikëve.

Shpërndarja, keqpërdorimi dhe furnizimi me pije narkotike ose droga dehëse, qofshin ato natyrore ose sintetike, është krim me pasoja të dëmshme e të rrezikshme ndaj njerëzimit, e në veçanti ndaj të rinjve.

Bashkësia botërore po shfaq brengosje të madhe për shkak të tregtisë së palejuar të narkotikëve dhe për sjelljet kriminale të narkomanëve. Prirja e sëmurë për të përdorur vazhdimisht droga apo pijet e ndryshme narkotike me pasoja të rënda për shëndetin dhe për sjelljet e personave që i konsumojnë ato, shpesh është shkak i përfshirjes së narkomanëve në aktivitete kriminale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat