Ankthi i familjarëve pas vrasjeve dhe maltretimeve! Të vërtetat e hidhura që Gjykata Speciale mund t’i zbardhë!

Opinione

Ankthi i familjarëve pas vrasjeve dhe maltretimeve! Të vërtetat e hidhura që Gjykata Speciale mund t’i zbardhë!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 5 shtator 2023 Në ora: 16:01
Nehat Shaqiri

Këta që e patën votu Gjykatën Speciale, për m’u arrestu pastaj, e pas kësaj me vërshu njerëzit e tyre se dëshmitarë atje janë njerëzit e Serbisë, tash po shkruajnë qysh “njerëzit e LVV-së” apo edhe të “LDK-së”, po dëshmojnë në Hagë.

Sinqerisht kjo është turp, të dëgjohet tani në këtë kohë.

Atje shkojnë me dëshmu njerëz që kanë qenë direkt të lidhur më ngjarjet për të cilat akuzohen personat e caktuar.

Atje shkojnë për me dëshmu familjarët e viktimave, të cilët kërkojnë të zbardhet e vërteta, ata duan ta dinë, që të gjithë, se kush ishte urdhërdhënës i vrasjes së bijëve dhe bijave të tyre, babait, vëllait, motrës... së tyre. Ata duan të dinë arsyen pse janë vra qindra persona në luftë dhe pas luftës. Ata duan drejtësi dhe duan emrin e urdhërdhënësit, vrasësit dhe gjithë atyre që ishin të lidhur me krimin!

Familjarët nuk duan të gjykohet e as dënohet askush nëse nuk është fajtorë.

Ata duan emra të përveçëm, ashtu siç i kemi pa deri tash me akuza direkte.

Ata nuk merren, dhe as që duan të merren me parti politike, individë se kush ishin e kush janë tash në pushtet.

Ata kanë kërkuar drejtësi që prej përfundimit të luftës.

Atyre shteti i Kosovës nuk ua ‘zbuti’ dhimbjen për të gjetur vrasësit.

Ata kërkuan drejtësi, dhe shpresa e vetme e tyre, tani për tani, është Gjykata Speciale, ndryshe nuk kanë shpresë më, nuk kanë shpresë në institucionet e Kosovës, ngase dështuan për dekada.

Institucionet tona lëre që dështuan, por as që u angazhuan për të zbardhur të paktën një rast të këtyre vrasjeve e maltretimeve.

Kaluan dekada dhe nuk filluan të zbardhin, apo të paktën të ngrisin aktakuza as për kriminelët serbë që janë ditur me emër e mbiemër që kanë kryer krime e gjenocid ndaj shqiptarëve.

Atëherë, rruga e vetme, shpresa e vetma për familjarët e viktimave ishte Gjykata Speciale.

Shumë familjarë të viktimave, që unë i njoh personalisht, e kanë këtë shpresë.

Edhe kjo po të dështojë, atëherë do të dështojë çdo përpjekje për zbardhjen e vrasjeve dhe krimeve të luftës e pasluftës.

E vërteta është e dhimbshme, por më e dhimbshme është jeta në ankth e nënës, babës dhe fëmijëve të vitkimave që ndoshta sot jetojnë së bashku me vrasësin e kriminelin dhe nuk e dinë që ai mund të jetë rrezik her do kur për të dhe familjen e tij!

Ndriçimi i vrasjeve politike do duhej të ishte kauzë kombëtare e Kosovës.

Vetëm kështu ndahet ‘shapi nga sheqeri’, vetëm kështu mund të zbulohen agjendat e huaja që ishin të kyçura në Kosovë, vetëm kështu mund të të ecim përpara, kur krimineli merr dënimin e merituar, ndërsa familjarët mund të gjejnë ‘paqen’ e vonuar!

Akuza me emra e mbiemra kemi pasur në vazhdimësi, dikush duhet të burgoset edhe për këto akzua nëse drejtësia del më ndryshe seqë e kanë thënë.

Prandaj, kurrë nuk është vonë për drejtësi, por drejtësia e vonuar, pas vetës lë pasoja të pariparueshme!

Drejtësi për të gjithë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat