Mësojeni nga unë këtë të vërtetë të pamohueshme dhe shpërndajeni për të mirën tuaj

Opinione

Mësojeni nga unë këtë të vërtetë të pamohueshme dhe shpërndajeni për të mirën tuaj

Nga: Lirim Gashi Më: 20 shtator 2023 Në ora: 17:57
Autori Lirim Gashi

Hebrenjtë u bënë ata që janë sot vetëm kur e kuptuan se rreziku për ta si individë, si bashkësi fetare, si kolektiv dhe si komb, nuk mund të shmangej përmes sukseseve individuale.

Dhe pikërisht për këtë arsye ata paguan çmimin më të lartë në historinë njerëzore.

Sepse ata për një kohë shumë të gjatë kishin iluzionin se do të mbijetonin pa dëme të mëdha materiale dhe njerëzore ashtu të shpërndarë në çdo cep të botës, nëse do të integroheshin në shoqëritë me të cilat bashkëjetonin dhe do të bëheshin motor i zhvillimit dhe përparimit të tyre gjithëpërfshirës. 

Pra ata për një kohë tepër të gjatë e gënjyen dhe mashtruan veten, se nëse do të integroheshin në shoqëritë me të cilat bashkëjetonin dhe do të bëhëshin motor i zhvillimit dhe përparimit të tyre, ky sukses i tyre edhe do t'i mbronte ata nga zhdukja e dhunshme edhe do t'ua siguronte atyre mirënjohjen dhe respektin e merituar nga popujt shumicë. 

Dhe ata shkëlqyen si individë në të gjitha fushat e jetës politike, filozofike, arsimore, shkencore, fetare, kulturore, artistike, ekonomike, letrare, tregtare, financiare, bankare, industriale, ushtarake, inovative dhe ideologjike.

Kur ishte momenti vendimtar kur ata e kuptuan se suksesi individual nuk mund t'i mbronte ata si individë, si komunitet fetar, si kolektiv dhe si komb nga zhdukja e dhunshme ?

Pasi i mbijetuan Holokaustit të tmerrshëm me humbje të mëdha jetësh dhe pronash.

Dhe çfarë mësuan ata nga Holokausti?

Se vetëm një shtet i fortë mund t'i shpëtojë ata si individë, si komunitet fetar, si kolektiv dhe si komb.

Që nga ai moment ata jo vetëm që e bënë mision të shenjtë të jetës ngritjen e një shteti të fortë, por edhe e shpallën kuptim të jetës.

Çfarë bëmë ne shqiptarët

Ne e kthyem shtetin tonë në një lodër të Serbisë, Rusisë dhe Turqisë.

Pra, dhuratën e Perëndimit, të cilën nuk e paguam as për se afërmi aq shtrenjtë sa hebrenjtë, ne e kthyem lehtësisht në një lodër të Serbisë, Rusisë dhe Turqisë.

Si e arriti Serbia këtë?

Përmes shqiptarëve të ndershëm të Millosheviqit, të cilët u bënë oligarkë pasi lidhën marrëveshje të pista me kompanitë serbe me ndërmjetësimin e inteligjencës serbe.

Pra ishin pikërisht këta oligarkë ata që korruptuan politikanët tanë më të rëndësishëm menjëherë pas përfundimit të luftës dhe me ndihmën e tyre punësuan ish agjentë shqipfolës të shërbimit sekret serb në institucionet tona më të rëndësishme dhe më të ndjeshme shtetërore.

Dhe çfarë bënë këta të fundit?

Ata e zhvilluan luftën speciale të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës njëkohësisht në shumë fronte dhe na dobësuan aq shumë sa që ende nuk arritëm të krijojmë një proces të vetëmenaxheshëm suksesi, të pavarur apo të pa ndikueshëm nga politikat partiake ditore.

Megjithatë, ne nuk kemi asnjë arsye për panik nëse mësojmë nga gabimet tona dhe çdo kritikë konstruktive ose të dobishme e fillojmë me autokritikë.

Ne kemi dëshmuar në situata shumë më të vështira se kjo e tanishmja, se jemi në gjendje të organizohemi me sukses kundër një armiku shumë më të fuqishëm nën pushtimin e të cilit ndodhemi.

Fatkeqësisht, ne e bëmë këtë vetëm kur bëhej fjalë për jetë a vdekje.

Megjithatë, kjo pjesë e famshme e historisë sonë duhet të na japë vetëbesim për të ardhmen.

Cila është detyra jonë më e rëndësishme?

Të pasurojmë dashurinë për atdheun me synime të reja kuptimplote dhe konkrete, ku secili prej nesh ta konsiderojë kontributin në forcimin e shtetit si detyrë të shenjtë apo si përmbajtje që i jep kuptim jetës së tij dhe e mbush me gëzim.

Sepse një shoqëri dhe një shtet i fortë mund të krijohet vetëm nga individë të fortë që janë të gatshëm të kontribuojnë për të mirën e përbashkët.

Sepse vetëm në këtë mënyrë kombet e vogla mund të jenë të suksesshme dhe të sigurta.

Nga ana tjetër dështimi i një personi, një partie apo një ideje që mbjell qoft edhe me qëllim të mirë shpresa joreale mbi një themel të paqëndrueshëm nuk është fundi i botës, sepse nga çdo dështim dhe pësim mund të nxirret një mësim.

Nuk ka individë cilësorë të pagabueshëm dhe të pazëvendësueshëm por pyetja që duhet t'ia parashtrojmë vetes dhe njëri-tjetrit në këtë moment është kjo?

A prodhon një shoqëri kaq euforike, jo autokritike dhe e prapambetur si kjo e jona mjaftueshëm individë cilësorë për t'i zëvendësuar pas dështimit të parë me paraardhësit e tyre në pushtet?

Sipas mendimit tim për momentin nuk duken në horizont personat, idetë dhe partitë që do të mund t'i zëvendësonin Albinin, Vjosen dhe patitë e tyre në mënyrë adekuate në pushtet, jo aq shumë për shkak të mungesës së dijes dhe përvojës, sa për shkak të mungesës së besimit të popullit në idetë dhe qëllimet e tyre.

Sepse bëhet fjalë për krerë të rinj të partive të vjetra, që për kohë të gjatë kanë funksionuar si banda, ndaj vetë mosdistancimi nga pasardhësit e tyre i bën ata të pabesueshëm në sytë e qytetarëve. 

Nga ana tjetër duhet ta kuptojmë të gjithë së bashku një gjë shumë të rëndësishme:

Nuk ka bazë më të qëndrueshme për zhvillim dhe avancim gjithëpërfshirës sesa njohuritë e bazuara në filozofi, art, kulturë dhe shkencë të avancuar, që vishen me zell, vullnet, ndershmëri, kreativitet, racionalitet, urti, maturi, durim, kondicion, mirëbesim, vizion, largpamësi, sinqeritet dhe guxim të pathyeshëm.

Nëse e kuptojmë drejt të vërtetën e padiskutueshme se dija e zëvendësuar nga improvizimi prodhon vetëm dështim dhe zhgënjim dhe e përdorim mirë këtë mësim jo vetëm për të mos i përsëritur gabimet e trashanike nga e kaluara por edhe për të krijuar vlera të reja cilësore për të ardhmen, që janë të përshtatshme për kohën në të cilën jetojmë, atëherë ne do ta hapim një fazë apo kapitull të ri të politikes, që e meriton emrin, votën, respektin dhe besimin e popullit.

Duke qenë se politikanët tanë më të fuqishëm të pasluftës, politikën nuk e kanë kuptuar si art të së mundshmes për ta forcuar shoqërinë dhe shtetin, por si art të mundësive të pakufizuara për t:u pasuruar marramendësisht përmes vjedhjes së popullit dhe shkatërrimit të shtetit, atëherë politika jonë e meriton për momentin vetëm këtë definicion:

Politika jonë është pordhë e zëshme odash, e cila vishet keq me ideologji të vjedhura nga perëndimi dhe me dogma fetare të rrezikshme, primitive dhe ekstremiste nga Turqia dhe shtetet arabe, të cilat i kanë sjellë tek ne shërbimet sekrete serbe dhe ruse për të na prishur me Brukselin dhe Uashingtonin. 

Si e tillë, ajo nuk e meriton as vëmendjen e njerëzve normalë, e lëre më votën dhe besimin e tyre.

Varet nga ju që të vendosni se çfarë dëshironi.

Një gjë që duhet ta dini:

Nuk ka asnjë pengesë që nuk mund të kapërcehet kur dija e elitës së mirëfilltë që bazohet në filozofi shkencë, art, kulturë dhe edukatë të avancuar prodhon vetëbesim të pathyeshëm tek shumica.

Sepse elita e përparuar është lokomotiva që e tërheq shoqërinë përpara, ndërsa elita e prapambetur lokomotiva që e kthen shoqërinë mbrapa. 

Thënia “Vullneti shpërthen male e kodra” i bëri gjermanët kampionë të suksesit shumëdimensional në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, apo lokomotivë ekonomike të Evropës.

Dhe më besoni, edhe ata kanë vetëm një kokë, dy duar dhe dy këmbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat