Mbajtja e samiti i procesit të Berlinit në Tiranë, një sukses i madh për Shqipërinë dhe kombin shqiptar!

Opinione

Mbajtja e samiti i procesit të Berlinit në Tiranë, një sukses i madh për Shqipërinë dhe kombin shqiptar!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 17 tetor 2023 Në ora: 15:20
Rexhep Elezaj

Nuk mund të këtë më asnjë dilemë, se Shqipëria si vend ish komunist, i mbyllur dhe i izoluar për gati 50 vite nga Evropa perëndimore dhe sistemi demokratik i vlerave të njeriut, të shndërrohet për 30 vite tranzicion në një vend të reformuar dhe të zhvilluar ekonomikisht, pra në një shtet demokratik dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin evropian, madje anëtare e Aleancës më të madhe të sigurisë në botë, që quhet NATO, është ndër sukseset më të mëdha, që një popull dhe një shtet dikur i prapambetur, ka mund ta arrin brenda një periudhe relativisht të shkurtë.

Siç është edhe suksesi tjetër tejet i rëndësishëm, jo vetëm politik, por edhe kombëtar-strategjik, që Shqipëria me një mund të madh dhe sakrifica të shumta, pas shantazheve dhe kurtheve të ndryshme të vendosura në rrugën e saj evropiane nga disa vende fqinje, siç është Greqia dhe Serbia, ajo ia doli që të bëhet Qendër strategjike dhe udhëheqëse e proceseve të demokratizimit, stabilitetit dhe integrimit të 6 vendeve të Ballkanit perëndimorë në Bashkimin Evropian (BE).

Është kështu për faktin, ngase disa vende anëtare të BE-së, me vite të tëra kanë punuar dhe investuar në forcimin ekonomik të Serbisë, duke e mbështetur atë financiarisht dhe ekonomikisht, duke bërë investime kapitale si dhe duke ngritur fabrika dhe projekte të shumta zhvillimore, si Gjermani, Franca, por edhe Turqia, gjë të cilën e dëshmojnë me qindra fabrika dhe projekte kapitale të ndërtuara në Serbi gjatë 20 viteve të fundit, madje të cilës ia hapën kapitullin e 35 për anëtarësimin e saj sa më të shpejtë në BE.

Mirëpo, regjimi serb i Beogradit zyrtar, në krye me neofashistin dhe pasardhësin ideologjik të kriminelit S. Millosheviq, presidentin aktual të Serbisë, A. Vuçiq, duke e keqpërdorur ndihmën dhe privilegjet të cilat ia ofroi BE-ja, ky rusofil dhe diktator serbomadh do ta shfaq, herë hapur, herë fshehtë, përkrahjen dhe miqësinë e tij ndaj V. Putinit dhe Rusisë cariste, duke mos i vendosur sanksione në vazhdën e politikës së BE-së dhe as duke e dënuar agresionin e saj ushtarak në Ukrainë.

Pastaj, politika agresive ndaj Kosovës si dhe nxitja e serbëve lokal për të bërë trazira në veri të Kosovës, me qëllim të vetëm që ta dëmtojë sa më shumë shtet-ndërtimin dhe pavarësinë e Kosovës përmes lloj-lloj shantazhesh dhe provokimesh për të nxitur konfliktit ushtarak në veri, siç ishin ngjarjet e majit të këtij viti, sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, dhe sidomos mos pranimi dhe mos implementimi nga ana e Beogradit zyrtar të Marrëveshjes bazë (franko-gjermane) të 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksit të saj të 18 marsit në Ohër, kanë bërë që Seria gradualisht ta humbë simpatinë dhe përkrahjen e vendeve anëtare të BE-së, por edhe të Anglisë, duke ndryshuar qëndrimin dhe qasjen e tyre ndaj saj.

Pra, ditën kur kryeministri i Shqipërisë, z. E. Rama para disa muajve në një konferencë me gazetarë e shpalli të vdekur “Ballkanin e hapur”, ka qenë shumë e qartë, se në vend të Serbisë, rolin udhëheqës në procesin e integrimit të Ballkanit perëndimor në BE, si dhe të koordinimit rajonal për çuarjen përpara të procesit të Berlinit, po e merr Shqipëria, siç e dëshmoi këtë shumë qartë samiti i djeshëm në Tiranë, i cili për herë të parë do mbahet në një vend jo anëtar i BE-së.

Me një fjalë, samiti i djeshëm i procesit të Berlinit i mbajtur në Tiranë si dhe takimi i BE-së për Ballkanin perëndimorë, i mbajtur me 6 dhjetor të vitit 2022 në Tiranë (EU-WB), por edhe kryesimi i radhës i Shqipërisë të KS të OKB-së, etj., flasin qartë se kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, i është besuar ky rol, qoftë Shqipëria si anëtare e NATO-s, qoftë si vend demokratik dhe krejtësisht pro-perëndimorë.

Në këtë vazhdë duhet theksuar, posaçërisht vizitën e djeshme dhe të sotme të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, një vizitë kjo tejet e rëndësishme, mbase e para e këtij niveli në Shqipëri, e cila lirisht mund të cilësohet si historike për shumë arsye, mbase ndër më kryesorët, ishte nderimi i presidentit të Francës që i bëri shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadaresë me titullin, “Urdhri i Lartë i Legjionit të Nderit”, një akt i cili në vete përmban shumë kuptime dhe porosi për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, pa dallim.

Në fund, dua të theksoj mendimin tim, se çdo sukses i Shqipërisë në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm, është sukses i gjithë shqiptarëve në Ballkan dhe në botë, se çdo përparim i saj ekonomik, politik, diplomatik dhe kulturor, është përparim i kombit shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, dhe, rreth këtij fakti nuk duhet të ketë kurrë rezerva, dyshime ose inate personale, sepse Shqipëria dhe Kosova me vise, janë një trup, një gjak, dhe një shpirt, dhe se suksesi i njërës është sukses i të dyjave bashkërisht, por edhe gëzim i gjithë shqiptarëve pa asnjë dallim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat