Vuçiq me kërcënim ndaj NATOS: Ushtrinë e vendosi aty ku dua unë!

Opinione

Vuçiq me kërcënim ndaj NATOS: Ushtrinë e vendosi aty ku dua unë!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 15:29
Sherif Ramabaja

Vuçiq i rrëmbyer nga reagimi i sekretarit të NATOS Stoltenberg u përmbajt sa mundi, po me dëshirë do t´i thoshte se ushtrinë e vendosi po deshi në Kosovë, në Mal të Zi, në Bosnje, në Maqedoni pra ku të dua. E tëra më parë ishte Jugosllavi, kurse sot po na mësoni se çfarë të bëjmë.

Po sipas mentalitetit të tij agresiv do të përgjigjej: nuk po kërkojmë që ushtrinë ta vendosim në Amerikë, Kanada, Berlin, Londër e Paris, po aty ku ishte Serbi. Këtë nuk mund të na mohoni, e filloi ëndërrimin imagjinar e tragjik Vuçiq, derisa ziente nga mllefi ndaj Stoltenbergut dhe NATO -s.

Mentalitet serb. Trim do ta quanin, të marrët. I guximshëm do ta quanin të çmendurit. Iu kërcënua NATOS... do ta quanin fodullët. Ta marrësh si ta marrësh, Serbia me këtë e vërteton gjendjen e vetë shpirtërore dhe psikologjike në të cilën ndodhet.

 Në psikologji kjo nënkuptohet: apel për ndihmë. Po kush mund tua ofroi këtë ndihmë këtij shteti, udhëheqësve politik dhe këtij populli ? Shqiptarët me siguri që jo. EU, po ashtu jo. SHBA - jo, Perëndimi - jo... Rusia do ta çmendte tërësisht, prandaj cili do ta drejtonte Serbinë në binarët e normalitetit dhe realitetit?!

Nëse Vuçiq po e drejton Serbinë ngjashëm sikurse shefi i tij Milosevic, si do ta drejtonte Sheshel, i cili tash është edhe në koalicion me te, apo Vulin i sanksionuar tashmë edhe nga SHBA. Apo mos po mendohet që drejtimi t´i besohet Radojqiqit, apo Listës Serbe? Këto janë pyetje, që po ashtu lidhen me gjendjen aktuale të Serbisë.

Apo ndoshta po mendohet që ta ndezin konfliktin me NATON, në mënyrë që t´ia lehtësojnë punën Putinit në pushtimin e Ukrainës?!

Së pari luftuan që ta shpëtonin Jugosllavinë nga shpërbërja, kurse tash po luftojnë që ta shpëtojnë Rusinë, sepse si duket Putini ua ka premtuar Botën Serbe, por sa ka gjasa që kjo të realizohet, kur mund të jetë tërësisht një fantazi vetëm në kokat e tyre të marra?!

 Apo ndoshta po bëjnë përgatitje që ta formojnë një njësi paramilitare ngjashëm si Wagner - ët e Rusisë që plotësisht ta marrin primatin e një shteti fashist, çfarë kanë qenë gjithmonë.

Të gjitha këto gjëra mund t´i vlerësojnë ekspertët e fushave të ndryshme që së pari duhet t´ia caktojnë diagnozën, në mënyrë që pastaj t´i caktohet terapia adekuate. Por këtu ekziston edhe një problem tjetër.

Një pacient mund ta ndihmosh vetëm nëse bindet dhe është i vetëdijshëm duke u pajtuar se i duhet ndihmë, përndryshe do të jetë shumë vështirë nëse  refuzon, gjë që plotësisht dyshohet.

Në anën tjetër nëse nuk merret diagnoza dhe terapia seriozisht, ekziston rreziku që pacienti të rrëshqas në fazën kritike që quhet edhe Burnout, shkalla më e lartë e depresionit.

Për Vuçiqin gjithnjë është përfolur se është një i sëmurë psikik, duke e paraqitur veten si viktimë, që të tjerët të kenë mëshirë ndaj tij.

Edhe sa kohë do ta udhëheqin Serbinë njerëzit e tillë, është vështirë të përcaktohet, sepse gjithmonë të tillët e kanë sjellë buzë greminës. Në këso raste kritike shpëtimin gjithmonë e gjenin nga Rusia, po kjo ndihmë po vjen  gjithnjë e më shumë duke u shuar. Apo më në fund do të veproi Haga, si shpëtim i vetëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat