Mungesa e integritetit dhe papjekuria politike e deputetëve të Parlamentit të Kosovës!

Opinione

Mungesa e integritetit dhe papjekuria politike e deputetëve të Parlamentit të Kosovës!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 22:19
Ismail Muçiqi

Institucioni më i lartë i shtetit të Kosovës, Parlamenti është shndërruar në arenë të një teatri komik i cili po ngërthen imazhin më negativ tek qytetarët e vendit. Gjuha e komunikimit, tendencat për ta njëllosur autoritetin e deputetit dhe misionin e tij janë shndërruar në rutinë duke spërkatur nivelin e ulët të edukimit dhe arsimimit të një numri të deputetëve të partive politike të cilët janë bërë të gërditshëm për opinionin.

Këta deputetë të cilët kanë hyrë në institucionet e shtetit përmes kanaleve partiake dhe përmes dyerve te ngushta më shumë po i sjellin dëme Parlamentit dhe demokracisë se ndonjë rezultat pozitiv apo ndonjë të mirë vendit.

Kjo u pa edhe sot në mbledhjen e Parlamentit të Kosovës ku opstrukcionet ndaj çështjeve shumë të rëndësishme për vendin nuk munguan. Tendencat dhe akuzat në foltoren e Parlamentit të Kosovës ndërmjet deputetëve të grupeve parlamentare mjerisht pasqyrojnë fytyrën e vërtetë të individëve të cilët thirrën në emër të qytetarëve e në anën tjetër punojnë kundër interesave të tyre.

Në vazhdimësi në Parlamentin e Kosovës po përsëritet arroganca dhe shpifjet me metoda konspirative të grupeve të interesit të cilat po i japin hije të keqe institucionit të Parlamentit të Kosovës dhe zhvillimit të demokracisë.

Partitë politike të cilat janë pjesë e Parlamentit të Republikës së Kosovës janë shembulli më i keq i raporteve nder njerëzore, duke shfaqur haptazi inatet dhe urrejtjet patologjike për interesa personale, karrieriste e partiake. Kryetarët e grupeve parlamentare të partive politike në vend që t’i përafrojnë qëndrimet politike dhe t’i harmonizojnë ato duke votuar për kauzat në interes të shtetit ata janë bërë faktorë destabelizues dhe përçarësit numër një në institucionin e Parlamentit si dhe në komisionet e Kuvendit. Është e pafalshme të bllokohen fondet e Parlamentit Evropian për financimin e projekteve madhore për shtetin e Kosovës nga ana e deputetëve të partive politike të cilat e keqpërdorin votën e popullit dhe luajnë me ndjenjat e qytetarëve.

Duhet theksuar se rrethanat aktuale politike dhe siguria në rajonin e Ballkanit është në luhatje. Si duket këto sfida dhe rreziqe nuk po u bëjnë përshtypje deputetëve të cilët janë përgjegjës për të ardhmen e vendit dhe sovranitetin e shtetit. Se deri kur do të vetëdijësohemi dhe si shoqëri për t’i quar përpara proceset të cilat po i kërkon koha mbetet të shihet. Por, me këtë mendësi dhe me këtë soj të njerëzve të cilët me sjelljet dhe veprimet e tyre po e përçajnë popullin, vështirë se do të ndryshoj gjendja për të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat