A do ketë luftë të re në Kosovë?

Opinione

A do ketë luftë të re në Kosovë?

Nga: Fadil Maloku Më: 25 dhjetor 2023 Në ora: 22:54
Fadil Maloku

(Ose: Sa janë reale kërcënimet e Serbisë, për luftë ndaj Kosovës?

1. Duke marrë parasysh epistemologjinë e historisë dhe përvojën e procesit të shtet ndërtimit të Serbisë, që tashmë të identifikuar edhe si; të pabesë, grabitqare të territoreve të fqinjëve, po edhe si agresive e gjithsesi edhe ambicioze permanente për të pushtuar hapësira të rëndësishme (gjeopolitike e gjeostrategjike), mund të themi, po edhe të dyshojmë në planet e saja të reja aneksuese, sidomos kur janë në pyetje hapësirat gjeografike të Kosovës (sidomos veriu i pasur me minerale dhe xehe specifike) dhe të Bosnjës.

Tani, dilema e planimetrisë serbe nuk qëndron te Po-ja ose Jo-ja (hamletiane) por, te ajo; kur, ku dhe në ç ‘mënyrë mund dhe duhet të rikthehen hapësirat që ajo i eksploatonte që prej luftës së parë botërore… e sidomos pas krijimit të mbretërisë SKS (serbo-kroate-sllovene) më 1919. Politika ekspansioniste e zgjerimit të territorit, rritjes së ndikimit ekonomik, ajo e dominimit dhe e kontrollit të resurseve fqinjësore, Serbinë e ka rritur dhe e ka bërë edhe “të përkëdhelurin” e superfuqive të kohërave të kaluara, po edhe të sotme. Vetë fakti dhe akti, që përkundër agresionit dhe sovranitetit që ushtroj në shtator ndaj Kosovës (rasti i Banjskes), asaj nuk iu adresua asnjë ndëshkim konkret (as politik e as ekonomik!), dëshmon më së miri se etika dhe morali i perëndimorëve nuk ka standarde koherente dhe të njëjta për gjitha shtetet dhe vendet.

2.      Por, nëse i kthehemi tendencës apo ambicies së kërcënimit (jo)real ndaj Kosovës, mendoj se duhet pasur parasysh edhe ca elemente në të  cilat planimetria dhe ekspertiza serbe bë llogari shumë të sofistikuara dhe tejet specifike, e që kanë të bëjnë me sjelljen “ngreh e mos këput”! Serbia, ambicien dhe synimin e një konfrontimi apo invazioni eventual mbi veriun apo edhe (gllabërimin e “djepit” të saj, si e identifikon ikonografia kishtare) gjithë Kosovën, për këto dy dekada e ka ndërtuar përmes indoktrinimit të opinionit publik, rritjes së fuqisë ushtarake, propagandës hibride mediatike dhe mbi premisat e një tensionimi permanent të ushtruar përmes incidenteve sporadike. Ideja dhe qëllimi i kësaj planimetrie milimetrike serbe, duket që ka edhe ca qëllime gjeostrategjike e gjeopolitike, kinse neutrale; të krijoj koncesione të reja në negocim me Kosovën; të krijoj alibi për konsum të brendshëm për mos heqje dore nga “Jerusalemi serb”; të përfitoj politikisht nga vendimmarrësit global; të thith aq sa mundet fonde të BE-ne; dhe në ndërkohë të pres ndonjë “kaos” eventual në NATO, po edhe shkapërderdhjen e arkitekturës së BE-s. 

3. Por, sa është real invazioni apo agresioni i saj që po përflitet sa kohë ndaj Kosovës? Mendoj, që paradigma e kërcënimit më të freskët e Serbisë, nuk duhet nënçmuar me argumentin se në Kosovë ka trupa të NATO-s dhe se tani inxhinieringu i ynë ushtarako-policor, duhet të flejë dathur! Është naivitet të mendohet dhe gjykohet me këtë logjikë! Arsyeja kryesore; në një situatë hipotetike… kur lufta në Ukrainë mund të përmbyllet në favor të Rusisë (ku NATO- shpresohet të abstenoj nga zgjerimi i saj në shtetet baltike…, po edhe nga Ballkani) Serbia e trimëruar po edhe e ndihmuar nga logjistika ruse ia mësynë Kosovës, ekzistojnë gjasa reale që KFOR-i të bëjë një tërheqje taktike dhe ushtria serbe të futet në territorin e Kosovës…

Në këtë skenar hipotetik, Shqipëria, Kosova po edhe Maqedonia duhet të kuptojnë se Serbia (e përkrahur nga Rusia) nuk do ndalet vetëm në Kosovë…! Andaj, ajo thënia e famshme, se për të mbretëruar paqja, duhet të jemi të gatshëm për luftë, është një përvojë e historisë që duhet të na shërbej edhe në rastin tonë. Kjo përvojë, duket që neve shqiptarëve në gjitha trojet mund të na shërbej edhe si uverturë për realizimin e ëndrrës për të jetuar në një shtet të vetëm etnik të njohur si Shqipëria etnike…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat