Roli i kohës në jetën e shqiptarit

Opinione

Roli i kohës në jetën e shqiptarit

Nga: Shefki Stublla Më: 14 janar 2024 Në ora: 19:11
Autori Shefki Stublla

Lexues i nderuar, unë nuk e ndaj botën në “Ne” dhe në “Ata”.Të gjithë jemi “Ne”. Këta dy përemra vetorë janë një sintezë, e cila është e natyrshme që duhet të veprojë mbarë, me interes të përbashkët. Sepse, vetëm bashkimi bën fuqinë.

Disa karakteristika të kohës së re

Kohën tonë e karakterizon një ndryshim i madh kur gjithçka ka ndryshuar, në koordinatat e kulturës bashkëkohore. Mendimet e mëdha të gjenive, u bënë të zakonmshme, për të mos thënë u harruan, ka marrë yrysh epshi për inteligjencën artificiale (!). Edhe në Kosovën tonë arriti deviza: “ji kuller”, “mos reago”, “ji gjakftohtë”, me një fjalë, “ji indiferent”(flegnatik), në raport me të tjerët. Ky tipar i “Kohës së re”, varfëroi “empatinë” për njëri-tjetrin, që shfaqet me “rrudhje të krahëve”, para ndonjë ngjarje të rëndë që i ka ndodhur tjetrit, që ka humbur shpresën, ka rënë moralisht dhe s’di nga t’ia mbajë.

E keqe e madhe është mosbesimi në të ardhmen. Sot, në Kohën e re, edhe tek ne, një dozë narcizmi e ka kapluar individin, sikur i mjafton vetvetja që mund të jetojë me një autonomi të veten, i pavarur nga të tjerët, me atë pak identitet që ka, duke harruar se, dora për dorën ka nevojë e lëre më - njeriu për njeriun. Pra, vetëm me një bashkëveprim në një projekt ekipor të veprimit të përbashkët mund të ecim kah një e ardhme e sigurt. Andaj, është koha të flasim me njëri-tjterni, e jo për njëri - tjetrin. Sepse, çdo veprim kryeneç, vetanak, është dëmtim i ekzistencës sonë. Mos të lejohet që rivaliteti dhe bashkëveprimi të jenë pre e indiferentizmit. Që çdo njerëzishmëri të bëhet flegmane, e ftohtë, pa ndjenja. Identiteti personal nuk është mirë të shndërrohet vetëm në imixh personal, që individi ta kuptojë veten si i pazëvendësueshëm. Aktualisht, s’ka aq rëndësi çfarë imixhi ke, por vlerësohet se çfarë “lojtari” je në koordinatat dramatike të kulturës bashkëkohore të komunikimit.Të bashkëjetesës së Njeriut me Natyrën, si tregues i raportit të ri të njeriut me Nënën Natyrë.

Qëllimi im në këtë shkrim, nuk është të jap ndonjë përgjigje përfundimtare, por të vë në pah çastin eksploziv të një jete moderne, e cila, tek ne, në shumë raste, nuk po kuptohet si duhet dhe ka raste edhe po keqpërdoret. Bie fjala, fjalori politik në Kosovë, mund të thuhet në etninë shqiptare, kur duhet të sundojë fjala e folur dhe shqisa e dëgjimit, njeriu dëgjon vetëm sharje dhe ofendime ndaj njëri-tjetrit, duke sjellë pakënaqësi tek votuesit e tyre dhe gërdi tek mbarë populli. Jashtë çdo norme etike ka rënë kimeti i çdo gjëje po edhe i ideolologjisë së fjalës së lirë. Ke përshtypjen që në mjetet e informacionit publik ndiqen vetëm skandalet e rrallë ose hiç përmenden gjërat e mira. Kjo qasje neutralizon kuptimin e komunikimit.Kjo qasje sjell entropi, kur nuk paraqitet realiteti i vërtetë, por krijohet një realitet dëshpërues..

Tjetër e keqe e madhe është nihilizmi, që mohon të arriturat dhe traditën, i cili për ditë e më shumë po zë vend të madh në komunikimin tonë individual dhe shoqëror. Menaxheri, si hero i kohës së re, me rroba elegante, me kravatë mendafshi, kur sot pirja e duhanit, kur ora e xhepit dhe dorës, si tregues ishin stolisje dhe privilegj i të pasurve nuk është më cilësi dalluese qytetërimin, sepse ai merr llaptopin në mbrëmje dhe kontrollon “SMS-at” e tij, që ka marrë gjatë ditës, me bindje se është i pari, i pazëvendësueshëm, kur dashuria e lirë është bërë cilësi e botës së kapitalit korporativ.

Sot , të jesh “singel”, është në modë, kur martesës po i bie vlera që kishte dikur. Po kërkohet më shumë bashkëjetesa. Po bie intersimi për rritjen e natalitetit. Një fëmijë, eventualisht dy, për të tretin as që mendohet. Kapitali është bërë forcë që nuk njeh as ideologji as histori as trashëgimi, përveç gjërave që mund të këmbehen, blihen ose shiten.

Tipi tradicional patriarkal i familjes shqiptare, me zotin e familjes autoritar të shtëpisë, nuk ekziston, edhe pse ka raste, kur ai tip i organizimit familjar kërkohet.

Porosia moderne për qarkullim është reklama,e cila shpeshherë edhe pse reklamon parajsen për kurim, por ka raste kur sjell dëshpërim.

Fatosi i Kohës së re

Fatosi i kohës së re, njeriu i ri, duhet të kujdeset për shtetin e vet të ri, Kosovën e pavarur. Duhet ta kuptojë se më mirë se këtu nuk mund të gjejë askund. Jetojmë në një vend dhe hapësirë gjeografike me shumë ditë me diell. Andaj, të zgjohemi nga kllapia e dembelisë orientale, të kujdesemi për natyrën, për ajrin dhe ujin. Të mos i ndotim këto tri elemente jetike për njeriun dhe gjallesat tjera. E dëgjoni si po ankohet toka, si po ankohen lumenjt, si po ankohen burimet e ujit, si po ankohen liqenet e mbushura me mbeturina. Përse, vetëm ne e presim degën e jetës nga e cila gjallërojmë! Për fat të keq, të gjitha këto elemente vtale i përdorim vetëm si resurs e fare pak kujdesemi për to. Në Kosovë ka vend për punë dhe për jetë të mirëfilltë, natyrisht duke përdorur mendjen e shëndoshë dhe duke përvjellur mëngët për punë.

Një numër nesh jemi të kenaqur me dyqanet me plot mallëra, por shumë pak nesh kujdesemi për trashëgiminë. Për të ndërtuar një pallat shumëkatës, ndërtuesit privat marrin trojet dhe rrënojnë shtëpitë e vjetra, me të cilat identifikohej Prishtina dhe pronari kënaqet me pak banesa dhe një dyqan e garazhë që merr si kompensim. Kjo është një miopi tragjike kur rrënohet kultura trashëgimore ndërtimore!

Ideologjia e “singlit”

Koha jonë e sotme ( properëndimore), ka fare pak të ngjashëm me jetën e dikurshme (orientale) , edhe pse, secila nga to, kërkonte të respektohet rendi e kuvendi, të respektohen të moshuarit, të respektohet meritokracia, fjala e dhënë, të respektohet trashëgimia kombëtare dhe individuale. Sot fenomeni i ideologjisë së “singlit”ka përthekue çdo gjë. Ka marrë fund, mënyra e shpalljes së dashurisë ndaj vajzës. Këtë nuk e praktikon “singli”. Formulari i ri kohës është një imperativ qyqar. Vlerësohet vetëm dukja, bashkë me porosinë, jeto vetëm, mos u lidh e mos e ndaj tënden me tjetrin. Favorizohet njëlloj seksi në kalim, pa obligim, favorizohet një ftohtësie si kod universal. Dashuria s’ka më komplimente as dashuri “bio”. Emancipimi i femrës dhe liria e mashkulli janë “liruar” nga obligimi shoqëror. “Kavalerinë” e dikurshme me sjellje të sterholluar me vajzat që kanë qejf t’i shoqërojë, të shëtitë e të vallzojë me to, e nxori nga fjalori liturgjia e re e dashurisë së lëvdatave duke vënë në qarkullim ceremoni të reja. Intimiteti modern, i parasë, pa partneritet dashuror, e kanë zëvendësuan ,emisionet këshillëdhënëse, ngjashëm me filozofinë e zërit të “singlit”,i cili lavdohet “sikur unë s’është askush”, s’kam nevojë për askë tjetër”! Versioni i këtij tipi modern të kohës, me pamje indiferente, që e gjen në reklama dhe në filma erotikë, mbetet i vetmuar dhe i pamartuar . Ky stil jete u bë modë moderne e jetës së disa të rinjve shqiptarë, që mendojnë se vetëm të pamartuarit kanë vlerë! Është nevojë imediate që prindërit,arsimatarët,mediat dhe forcat tjera shoqërore t’i qasen seriozisht këtij problemi “të importuar” dhe të rinjtë të martohen.Të mirëkuptohet se ilaç dhe infuzion për jetë të mbarë për “Unin” është të kenë fëmijë të shëndoshë opër të mos i humbur fara famljes dhe kombit. Të gjendet mënyra për një aleancë të mirëfilltë me të rinjtë dhe të rejat, të kuptojnë se ne jemi me ta. Se ata janë bartësit e jetës në të ardhmen.Do të jenë presidente,kryeministë. Përgjegjës të gjitha institucioneve shtetërore, ushtarake, policore etj.Të tregohet me vepra se ne i mbështesim ata, për jetën e lirë në Kosovën e lirë. Të ecim me kohën. Vështirësitë nuk gixon të na zmbrapësin. Të moshuarit dhe të rinjtë kanë një qëllim të zhvillohet dhe të forcohet Kosova.

Pozita e vështirë e të moshuarve

Sot, edhe tek ne, kohën e re, e karakterizon lufta e shumicës së njerëzve për mbijetesë. Më së vështiri e kanë të moshuarit, për të cilët pakkush e çan kokën për ta, kurse pushtetarët bashkë me biznismenët, menaxherët me disa të tjerë, rrisin rrogat për vete, edhe pse ata marrin rrogë muajore, për vete, sa merr një pensionist për një vit e gjysmë!

Dembelizmi, armiku ynë shekullor

Ddembelizmi, (përtacia), prirja për të mos punuar, për t’iu shmangur punës po i bën dëm të madh individit dhe shoqërisë. Është të ardhur keq, përse tek ne nuk shfrytëzohet kjo kohë e volitshme për bashkëpunim e bashkëveprim të mbarë, në shumë fusha, të cilat kërkojnë aktivitetete konkrete. Përse këtë liri e demokraci që e pritëm shekuj me radhë nuk e shfrytëzojmë për të mirën e individit dhe të shoqërisë, kur Kosova i ka të gjitha kushtet normale të natyrës: malet, fushat dhe lumenjtë e liqenet, bashkë me pasuritë nëntokësore. Përse dembelia, ky virus i kllapisë së trashëguar nga orienti ende sundon?! Përse u besohet disa njerëzve kur thonë “Zoti e çon “gidenë” për secilin njeri”! Por, përse harrohet fjala e Zotit, “puno pak, unë të ndihmoj shumë”!

Personazhet negative që i sjellin dëm Kosovës

Përse në Kosovë, personazhet e zymta, si: hipokriti,demagogu, feminofobi, hajduti, gënjeshtari, qyqari, grindaveci, i pabesi, fajdexhiu, aminashi dhe fjalamani janë aktiv dhe i sjellin dëm të madh kosolidimit të jetës sonë . Për këta tipa njerëzish, s’ka nevojë askush , më së paku ka nevojë Kosova, sepse po sjellin disharmoni për të kaluaren, të tashmen dhe të ardhmen..

Përfundimi

Aktuaklisht duhet të kuptohet se Kosova prioritet duhet të ketë paqën,dhe zhvillimin për të ardhmen, përparimin dhe stabilitetin, ta ruajë vlerën e familjes, të investojë për edukimin dhe arsimimin e gjeneratës së re, të ruhet dhe respektohet tradita e popullit tonë, të vendoset themeli i fortë për ardhmëri të pasur me empati, mirëkuptiim dhe bashkim.

Familja si qelizë shoqërore duhet të ruhet, sepse është pasuri e madhe. Të moshuarit me shembullin e vet të jenë udhërrëfyes për forcimin e shtetit të Kosovës. Të lihet anash mosbesimi me njëri-tjetrin, sepse sjell mosstabilitet. Këtë mendim e them jo si kritik, por si bashkëveprues. Nuk përkrah asnjë opcion politik që sjell ndasi, e cila po sjell përplasje të panevojshme dhe të dëmshme në çdo aspekt. Pozita dhe opozita të veprojnë në drejtimin e mirëfilltë të shtetit. Të bashkohen, ta njohin historinë tonë sepse kjo ka rëndësi të madhe. Le të dihet, njëherë e përghjithmonë, se rrënjët e Kosovës janë shqiptare. Po ashtu, le të dihet se një shtet pa vlera të sistemit arsimor e kulturor, veçanëtrisht, pa aftësimin dhe përkahjen e të rinjve s’ka perspektivë. Të ruhet trashëgimia, tradita kulturore dhe morali i popullit shqiptar.E tashmja të jetë në qendër, të ketë prioritet. E kaluara dhe e ardhmja të jenë në përkrahje të momentumit aktual. Kosova ta forcojë sovranitetin dhe pavarësinë e saj në çdo aspekt.

Formula për arritjen e sigurisë së plotë, pasurisë dhe fatit të përbashkët, individual e shoqëror është, të flasim me njëri-tjetrin e jo për njëri –tjetrin. Të mos jemi inferiorë. Punët tona duhet t’i kryejmë vetë. Aleatët tonë boll na ndihmuan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat