Grenell po përgatitet për kthim të vrullshëm!

Opinione

Grenell po përgatitet për kthim të vrullshëm!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 20 janar 2024 Në ora: 21:46
Richard Grenell

E përbuznin në Gjermani. Nuk e adhuronin në EU. Nuk gjente askund aleat për politikën e punëdhënësit të tij, Trumpit.

Më në fund e gjeti veten si emisar në bisedimet Kosovë – Serbi. U miqësua me Thaçin dhe Vuçiqin. I bindi që të dy për një marrëveshje të përgjithshme. Ishin gati ta finalizonin, kur pa prit në skenë doli prokurori Smith, i cili që të treve ua prishi ëndrrat.

Smith jo që e pengoi marrëveshjen finale, po shkoi edhe më larg, e ftoi Thaçin për vizitë në Hagë, i cili nga ajo vizitë ende s´është kthyer.

Sapo Smith e zmbrapsi marrëveshjen mes Thaçit, Grenellit dhe Vuçiqit, e ftuan në misionin tjetër: të merrej me shefin e Grenellit, ish presidentin Trump.

Smith që nga koha kur e ngriti aktakuzën ndaj Trumpit ndodhet ende në SHBA, sepse llogaritet që ende nuk e ka përfunduar misionin atje.

Ka premtuar se Trumpin do ta sjell prapa grillave, po nuk është e sigurt se mund t´i realizohet dëshira, ashtu siç ia punoi Thaçit.

Grenell fuqishëm ka protestuar ndaj zotit Smith, kryesisht për mënyrën e burgosjes së Thaçit. Ai kishte investuar mund të madh në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, kurse sapo kishin mbaruar përgatitjet për finalizimin e saj dhe shkuarjen e Thaçit në Shtëpinë e Bardhë, ai e kishte urdhëruar burgosjen e tij.

Këtë Grenell nuk mund t´ia falte prokurorit Smith dhe kërkonte me ngulm lirimin e Thaçit që të realizohej marrëveshja dhe pajtimi përfundimtar mes Kosovës dhe Serbisë.

Tash kur po afrohen zgjedhjet në SHBA, Grenell është duke u bërë gati për kthimin e tij të vrullshëm nën administratën e ish shefit të tij zotit Trump.

Kthimit të shefit të tij po i frikësohen, EU, NATO, (sepse ai haptas shprehej për shpërbërjen e saj) Kurti (të cilin Grenell e quan fashist) etj.

Pro kthimit të Trumit janë: Putini, Vuçiqi, Shesheli, Dodik, Vulin, e djathta ekstreme në Francë me Lë Pen, e djathta ekstreme gjermane me nazistin Höcke, e djathta holandeze me Geert Wilders , por  po ashtu në Shqipëri mendohet se kthimit të tij do t´i gëzohej edhe zoti Berisha, i cili mendon se do të rehabilitohej nga non grata etj.

Mendohet se kthimi i Trumpit do ta ndryshoi botën. Donald Trump dhe pasuesit e tij, demokracinë e kanë shpallur armikun e tyre dhe po ashtu janë zotuar për shkatërrimin në këtë formë të aleancës perëndimore.

Prandaj EU, perëndimi, Ballkani dhe e tërë bota duhet të jenë të përgatitura me kthimin e ish presidentit Trump.

Bota momentalisht kurrë nuk ka qenë në rrezik më të madh se sot, kur të mendohet Ukraina, Putini, Lindja e Mesme, Ballkani me Serbinë, Tajvani, Irani, Korea Veriore etj. por me kthimin e Trumpit, i cili premton zgjidhje vetëm për 24 orë, si do të dukej ajo? Shumë kush thotë se kaosi do jetë i programuar.

Por po ashtu kthimi i Trumpit dhe Grenellit, do të thotë edhe fundi i Albin Kurtit. Opozita duhet të përgatitet që nëse nuk lirohet Thaçi, cili ta merr përgjegjësinë për firmosjen e marrëveshjes përfundimtare me Vuçiqin dhe Serbinë.

Se cili do ta ketë fatin për firmosjen e kësaj marrëveshje, do të njoftohemi nga zoti Grenell. Në mungesë të Thaçit si kandidat mund të jenë: Avdulla Hoti, Isa Mustafa, Haradinaj, Limaj, Pacolli, Milaim Zekaj, Edita Tahiri, Ganimete Musliu, Baton Haxhiu, Abdixhiku, Molliqaj, Haki Abazi etj.

Pra cili do të hyjë në histori, mbete të shihet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat