Talat Xhaferi kryeministër legjitimon luftën e drejtë të UÇK-së në vitin 2001!

Opinione

Talat Xhaferi kryeministër legjitimon luftën e drejtë të UÇK-së në vitin 2001!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 28 janar 2024 Në ora: 15:22
Talat Xhaferi

Sot filloi punën qeveria e re teknike në Maqedoninë Veriore. Talat Xhaferi, një luftëtar i zoti dhe politikan i njohur e i sprovuar, është kryeministër i kësaj qeverie. Qeveria teknike do të jetë përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme në 100 ditët e ardhshme, që do të thotë se këto zgjedhje do të zhvillohen diku nga fillimi i muajit maj. Krijimi i një qeverie teknike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme është diktuar nga nevoja për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme dhe evituar përdorimin politik të administratës dhe fondeve publike.  Pra për të krijuar kushte të barabarta për të gjitha subjektet politike në garë. Te kjo formulë ka sjellë klima e mosbesimit të kampeve politike.

Nga gjithë kjo që shpjegova, nuk mendoj se zgjedhja e një kryeministri shqiptar për një qeveri teknike në Maqedoninë e Veriut është ose do të ishte ngjarje historike. Pa dyshim që është një zhvillim pozitiv. Por zhvillimi më pozitiv në këtë histori është besimi që ka mundur të krijojë ai që formoi këtë qeveri, ish-kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Tala Xhaferi. Zotin Xhaferi nuk e kontestoi as opozita. Kjo do të thotë se ai është dhe mbetet një politikan serioz, i spikatur dhe me cilësi morale e politike të pakontestueshme. Kjo do të thotë se politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut tashmë është e pjekur deri në nivelin e aftësive për të drejtuar shtetin e Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë euforia është dhe do të ishte e tepërt. Është e vërtetë se politika e Ali Ahmetit në këtë vend ka dhënë fryte të mira. Ndërkaq ta vlerësosh suksesin politik vetëm në nivelin e përfaqësimit, sidomos kur ky nivel nis nga zeroja, siç ka nisur në fakt në Maqedoni, është një lloj llogarie metafizike. Edhe emërimi si ministër i Mbrojtjes të zotit Xhaferi para më shumë se një dekade u konsiderua asokohe si “ngjarje historike”! Po ashtu emërimi i ministrit të Jashtëm të zotit Osmani, ose kryetarit të parlamentit.

Për mua historia shqiptare në Maqedoninë e Veriut do të shënohej nëse të gjitha forcat politike bashkohen në një koalicion dhe maksimalizojnë votën e shqiptarëve deri në së paku 40 përqind të deputetëve të zgjedhur në parlament. Sa kohë që një grup politik atashohet te pozita maqedonase dhe një gropë tjetër te opozita maqedonase, votat e shqiptarëve jo vetëm copëzohen, por shpesh herë shkojnë për partitë maqedonase, sidomos të socialdemokratëve, të cilët kanë aftësinë të ofrohen me terma të moderuar. Klasifikimi i subjekteve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut sipas parimit ideologjik në “të majtë” apo “të djathë” është i parakohshëm, sa kohë që ky klasifikim copëzon dhe minimizon numrin e deputetëve shqiptarë në parlamentin e vendit.

Është koha që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të bëhen përfundimisht faktorë politikë imponues, jo vetëm për t’u kënaqur me kryeministër të qeverisë teknike. Ata kanë mundësi të imponojnë zgjedhjen e presidentit shqiptar e maqedonas me rotacion, por jo me marrëveshje politike. Kjo duhet të arrihet me rritjen e numrit të deputetëve shqiptarë, të cilët të kenë mundësi të bllokjonë ndryshimet kushtetuese dhe miratimin e ligjeve të rëndësishme. Vetëm në këtë mënyrë je dhe bëhesh faktor imponues.

Të qenit faktor nuk arrihet me marrëveshje politike midis krerëve politikë. Faktor je dhe bëhesh kur arrin fitore spektakolare në përfaqësimin politik të sovranit dhe kur le mënjanë ambiciet dhe konfliktet politike për interesa personale dhe partiake. Për të qenë faktor në politikën dhe institucionet e shtetit të Maqedonisë së Veriut duhen patjetër politikanë të formatit të Talat Xhaferit. Por para së gjithash duhet një strategji e përbashkët e të gjithë politikanëve shqiptarë në këtë vend. Të qenit faktor do të çojë patjetër në formulën kushtetuese, sipas së cilës “Shteti i Maqedonisë së Veriut është shtet i maqedonasve dhe i shqiptarëve, si dhe qytetarëve të tjerë të vendit”! Kjo shënon histori në Maqedoninë e Veriut. Të qenit faktor do të duhet të shoqërohet me imponimin e nenit kushtetues, sipas të cilit kushtetuta dhe ligjet e tjera në Maqedoninë e Veriut të kërkojnë edhe votën e dy të tretave të deputetëve shqiptarë. Njësoj siç Plani Ahtisaari ka imponuar votën e serbëve dhe pakicave në Kosovë.

Megjithatë, zgjedhja e Talat Xhaferit në krye të qeverisë së vendit është një hap në drejtimin e duhur. Ndërkaq emri i zotit Xhaferi i bën nder shqiptarëve kudo që ata jetojnë, dhe besoj se u bën nder edhe maqedonasve, të cilët duke promovuar dhe pranuar Telat Xhaferin, kanë pranuar më në fund se lufta e shqiptarëve në vitin 2001 për të drejta të barabarta ishte një luftë e drejtë dhe legjitime.

Do të ishte sukses i madh, nëse në Shqipëri do të kishim qeveri teknike konsensuale tre-katër muaj para zgjedhjeve të përgjithshme. Nëse në Maqedoni një zgjidhje si kjo ishte e nevojshme, në Shqipëri është emergjencë politike për të shmangur përplasjet politike dhe sidomos për të prodhuar një parlament të zgjedhur lirisht e denjësisht!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat