Rrëmuja propagandistike me të cilën Talat Xhaferi nuk nderohet!

Opinione

Rrëmuja propagandistike me të cilën Talat Xhaferi nuk nderohet!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 29 janar 2024 Në ora: 16:52
Foto nga vendi i ngjarjes

Një gazetar ka guxuar që të hyjë në margjinat e prapaskenës së ceremonisë së ngritjes së Talat Xhaferit në postin e kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Jo vetëm kaq! Ai ka guxuar edhe t’u dalë përballë katër propagandistëve më të mëdhenj të vijës serbe në medien shqiptare, përkatësisht Baton Haxhiut, Blendi Fevziut, Berat Buzhalës dhe Adriatik Kelmendit. Të katër këta ishin të ftuar specialë në ceremoninë e kurorëzimit të zotit Xhaferi si kryeministër edhe në sallën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në llozhën VIP. Për herë të parë katër gazetarë shqiptarë zunë vend në këtë llozhë, krahas trupit diplomatik.

Të katër gazetarët e promovuar edhe në Beograd, u përcollën sipas videos së gazetarit të guximshëm shqiptar, nga veturat e ministrave shqiptarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe duket se në krye të protokollit të kësaj maskarade ishte vetë zëvendëskryeministri, Artan Grubi! Pyetjes së nëse këta gazetarë janë paguar për këtë shërbim propagandistik, të cilën e adresoi gazetari I PortalX, Blendi Fevziu iu përgjigj në stilin e Edi Ramës “Çfarë është kjo pyetje”? Por e gjitha kjo nuk më bën përshtypje. Gazetarët të llastuar nga sistemi politik e sidomos nga pushteti ka në të gjithë botën, do të thoshte Spiropali.

Por nuk e di nëse në të gjithë botën ka gazetarë që i shërbejnë edhe armiqve të Shqipërisë, të Kosovës e të shqiptarëve, përkatësisht Serbisë, si këta katër opinionistë dhe moderatorë programesh në Shqipëri e në Kosovë. Është e natyrshme se të propagandosh zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër, nuk është shërbim ndaj Serbisë. Po si është e mundur që pikërisht këta katër, të cilët përhapin dhe mashtrojnë opinionin me “të mirat” që sjell ndarja e Kosovës, Open Balkan, Jugosllavia e Re e të tjera si këto, janë gjithashtu protagoinistë në propagandën politike edhe në rastin e dhënë në Shkup?!

Kjo pyetje kërkon një përgjigje. Unë do të doja që Ali Ahmeti dhe Talat Xhaferi ta jepnin këtë përgjigje. Të përcaktohen qartë, nëse ata do të vazhdojnë të përkrahin politikat e Zaevit dhe Kovaçevskit për Ballkanin e Hapur, apo ka një ndryshim politikash në rastin konkret. Nëse do të vazhdohet politika e përkrahjes së “Serbisë së Madhe” në Ballkan, atëherë nuk ka ndryshuar asgjë në qeverisjen dhe në qeverinë e re të Talat Xhaferit. Atëherë edhe unë do ta arsyetoj pikërisht me këto politika ftesën protokollare me status të veçantë për Blendin, Batonin, Beratin e Adriatikun. Gjynah që edhe Blendi e Batoni nuk kanë ndonjë emër si p.sh Tarabosh apo Tomorr, sepse do të ishin maskuar më mirë në këto aventura idioteske dhe haliçionistësh.

Kjo rrëmujë propagandistike e ndërtuar keq dhe pa kujdes nga Artan Grubi nuk i bën nder Talat Xhaferit, i cili njihet si politikan serioz, rreket pas thelbësores dhe nuk joshet pas aventurave si këto. Unë besoj se zoti Xhaferi turpërohet nga kjo maskaradë propagandistike e njerëzve të lidhur me regjimet e Beogradit, nga Milosheviçi e deri te Aleksandër Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat