Bajraktarizmi “sindrom” i politikanëve shqiptarë

Opinione

Bajraktarizmi “sindrom” i politikanëve shqiptarë

Nga: Skender Musliu Më: 15 shkurt 2024 Në ora: 14:06
Autori Skender Musliu

Duke u nisur nga fakti se në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ashtu siç është paralajmëruar, në muajin Maj do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare , kurse në Prill ato presidenciale, partitë opozitare shqiptare, Alternativa, me kryetar Afrim Gashin, Besa me Bilal Kasamin dhe Lëvizja Demokratike me Izet Mexhitin, vendosën të krijojnë një front të përbashkët opozitar, të pagëzuar si « Lidhja Evropiane për Ndryshim » (LEN), me qëllim që skenës politike shqiptare t’i ofrojnë një alternativë dhe frymë të re për ndryshime.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari pas bisedave me kryetarët e LEN-it, me një status në facebook kishte paralajmëruar se edhe ASH-ja do t’i bashkëngjitej këtij fronti, nëse organet partiake do të dakordohen, me qëllim që kjo synergji e këtyre partive të mund të përballet në zgjedhjet parlamentare me BDI-në, duke dashur që atë ta dërgojnë në opozitë. Mirëpo, ish kryetari i ASH-ës Zijadin Sela, fuqishëm kundërshtoi mendimin e Taravarit, me arsyetimin se partia më herët kishte vendosur që në zgjedhjet e ardhshme të garojë e vetme e jo të koalicionojë. Fatkeqësisht, kjo përplasje mes z. Selës dhe z. Taravarit, pa pritur krijoi një situatë të re, të padëshiruar mbase me pasoja të rënda për opozitën. Arsyetimi i z. Sela se, partia kishte marrë qëndrim të shkojë e vetme në zgjedhje, në gjykimin tim, nuk qëndron, sepse ky vendim është marrë shumë më herët, në kushte dhe rrethana krejtësisht tjera, kurse tani është një kontekst tjetër dhe i favorshëm politik, një momentum i ri për opozitën e bashkuar, që i jep mundësi reale t’i fitojnë bashkërisht zgjedhjet.

Duke patur parasysh faktin se, Zijadin Sela është një politikan i kalitur, me një bagazh të madh politik, personalisht mendoj se, ka nxituar me veprimet e tij, sepse në vend që ai të takohej me z. Taravarin duke i diskutuar në qetësi dhe me mençuri mosmarrëveshjet, z.Sela i aktivizoi organet e partisë duke i mobolizuar kundër z. Taravarit. Dëshiroj të theksoj se z. Taravari nuk kishte nënshkruar kurfar marrëveshje me LEN-in, por kishte shprehur mendimin e tij për t’iu bashkangjitur duke u shprehur se për këtë, fjalën e fundit do ta japin organet e partisë. Mirëpo kjo mënyrë e veprimit dhe komunikimit, vetëm se i ka nxjerrë në shesh, si po duket, mospajtimet dhe divergjencat e kahershme mes tyre.

Situatën edhe më shumë e ka rënduar E-mail që « krahu » i z. Sela ia kishte dërguar kryeministrit teknik Talat Xhaferit, për shkarkimin e dy ministrave të « krahut» të z. Taravari, i cili duke i proceduar në Kuvend, edhe përkundër të gjitha praktikave, ata u shkarkuan. Mbase Talat Xhaferi është dashur, së pari, të konsultohet me kryetarin e vetëm dhe legjitim të ASH-ës z. Taravarin e pastaj ta procedojë lëndën në Kuvend, sepse është edhe një ministër tjetër dhe dy zv. ministra të ASH-ës nga krahu i z.Sela, që nuk u shkarkuan, e që flet për rolin përçarës të BDI-së duke krijuar një kaos në partinë e ASH-ës.

Fatkeqësisht, ASH-ja po shkon drejt përçarjes dhe ndarjes, sepse edhe kryetari legjitim, por edhe z. Sela, secili veç e veç, po mbajnë mbledhje të «forumeve partiake » dhe po sillen sikur të ishin dy parti. Në qoftë se nuk do të ketë një ndërmjetësim serioz, çështja do të shkojë në Gjykatën administrative, me ç ‘rast ASH-ja definitivisht do të ndahet në dysh.

Situata e krijuar i konvenon vetëm BDI-së, kurse opozitën do ta dobësojë.

BDI-ja si parti politike u themelua pas konfliktit të vitit 2001, duke i premtuar shqiptarëve se do ta zgjidhin çështjen dhe statusin kombëtar të shqiptarëve në RMV. Si rezultat i kësaj ishte edhe Marrëveshja e Ohrit, e cila, jo vetëm që asnjëherë nuk u realizua plotësisht, por disa tema të rëndësishme as që u diskutuan ndonjëherë. Lidershipi aktual i BDI-së erdhi në pushtet pas konfliktit, mirëpo luftën as që e pa m sy. Kur ajo ishte në pushtet u montuan shumë procese politike kundër shqiptarëve që u dënuan me dënime drakonike, në mënyrë enigmatike u likuiduan bashkëluftëtarët dhe komandantët e luftës, kurse BDI-ja qëndronte si spektatore.

Në çdo fushatë zgjedhore, BDI-ja i ka ricikluar premtimet të bazuara në intriga, mashtrime dhe manipulime, duke i premtuar elektoratit atë që asnjëherë nuk e realizoi. Se BDI-ja është partia shqiptare që e preferojnë, jo vetëm partitë maqedonase, por edhe ato të Serbisë, vërteton edhe deklarata e Aleksandar Vuçiqit në SHBA menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-ës, kur deklaroi se ai më shumë e preferon BDI-në dhe Ali Ahmetin se sa partitë e Kurtit, duke aluduar në opozitën e bashkuar shqiptare.

Shtrohet pyetja se, a ka ende legjitimit BDI-ja t’i përfaqësojë interesat e shqiptarëve ?! Personalisht mendoj se ka ardhur koha për një rrotacion të mirëfilltë politik, tani sovrani ka mundësinë që t’ia jep shansin dhe mundësinë opozitës së bashkuar, me politikanë të rinj, të pashantazhuar dhe duar të pastra, të vijnë në pushtet dhe t’i sjellin ndryshimet e domosdoshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat