Si ta kuptojmë vizitën e kryeministrit të Shqipërisë në Ankara?!

Opinione

Si ta kuptojmë vizitën e kryeministrit të Shqipërisë në Ankara?!

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 15:10
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Dy ditë ishte kryeministri i Shqipërisë për vizitë zyrtare në Ankara. Si gjithnjë, me ftesë të presidentit turk, Rexhep Tayp Erdogan. Nuk kishte asnjë surprizë në këtë vizitë. Dihet se lidhjet midis Ramës dhe Erdogan janë specifike, të ndryshme nga çdo marrëdhënie tjetër midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Eshtë e vërtetë se zoti Rama bën spektakle në takimet me liderët botërorë. Një të tillë e pati bërë edhe me Biden gjatë një samiti të NATO-s. Bën edhe dirigjentin ose shefin e protokollit gjatë realizimit të fotografisë protokollare në këto samite. Dhe këto janë të zakonshme për stilin e tij. Ai nuk jeton dot pa rënë në sy dhe nuk do që të humbasë në rutinën e liderëve të tjerë euro-atlantikë.

Ndërsa marrëdhënia e tij me presidentin turk është ndryshe. Nuk shoqërohet me gjeste dhe mimika shpotitëse, nuk ka batuta të llojit që përdor ai me këdo tjetër. Nuk ka as lëvizje të pakujdesshme. Madje duket si nxënësi para mësuesit. E ndoshta pikërisht kjo gjë i pëlqen kreut të shtetit turk te kryeministri i Shqipërisë. Edhe liderët e thekur demokratë kanë pak dëshirë të mbajnë pranë vetes njerëz që u përulen. Dhe kam parë se kryeministri ynë i përulet “me respekt” vetëm presidentit të Turqisë. Besoj se është i vetmi rast, ku mungon prezenca dhe ndikimi i Sorosit.

Gjithsesi, edhe në këto kushte, kur marrëdhënia është personale midis dy liderëve të vendeve tona, nuk duhet harruar se lidhjet shqiptaro-turke janë me rëndësi të jashtëzakonshme. Si Shqipëria, edhe Kosova kanë nevojë për përkrahjen e shtetit dhe institucioneve të Turqisë. Ajo është një vend shumë i fuqishëm. Zë vendin e 14-të sa i përket GDP-së dhe është anëtar i G-20-ës. Është gjithashtu vendi i dytë më i fuqishëm nga pikëpamja ushtarake në Aleancën Atlantike. Turqia ndjek një politikë të pavarur e sovrane, më shumë se çdo vend tjetër. Ndaj lidhjet e ngushta me Ankaranë kanë një ndikim të madh për të rritur rolin e shteteve tona, Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe për rritjen e peshës gjeopolitike të shqiptarëve në Ballkan.

Ka shumë nga ne shqiptarët që për arsye sentimentale ose religjioze apo të llojeve të tjera hedhim vrerë kundër Turqisë. Disa këtë vrerë e hedhin se duan të refuzojnë edhe marrëdhënien personale Rama-Erdogan. Nëse njeriu dëshiron të pranojë ose refuzojë diçka, gjithmonë do të gjejë arsye pa fund për ta mbrojtur qëndrimin e tij. Dhe ky nuk është problem që duhet të na shqetësojë aq shumë. Në fund të fundit njerëzit janë të lirë të të duan ose jo, të të mirëkuptojnë ose jo, të të mbështesin apo të të luftojnë me mjete të ligjshme. Në këtë të drejtë njerëzore nuk bën përjashtim as qëndrimi që duhet të mbajmë ndaj Turqisë.

Por nëse nisemi nga interesat tona të përbashkëta e kombëtare, atëherë duhet të kuptojmë se marrëdhënia midis Shqipërisë dhe Turqisë e madje edhe lidhjet personale Rama-Erdogan janë më shumë të dobishme sesa të dëmshme. Dëmi që ato shkaktojnë ka të bëjë me spekulimet politike dhe angazhimet për mbështetje elektorale. Në këtë pikëpamje Rama e shfrytëzon mizorisht presidentin Erdogan. Shfrytëzon simpatitë e një numri shumë të madh shqiptarësh për liderin e Turqisë. Shfrytëzon rrjetin e investitorëve dhe bizneseve turke. Deri lidhjet nëntokësorë midis dy palëve.

Ndërsa dobia qëndron në faktin se Turqia duhet mbajtur afër për shkak të peshës dhe autoritetit që ajo ka në glob, në Europë e sidomos në Ballkan. Ne e dimë që Turqia ishte e para që nisi projektin e armatosjes së ushtrisë së Kosovës. Prej kur KFOR-in e kryeson një gjeneral turk Serbia është më e rezervuar dhe e matur në provokimet ndaj Kosovës, sidomos në veri të saj. Turqia jep mbështetje të parezerva ndaj institucioneve dhe pavarësisë së Kosovës dhe ishte një ndër vendet e pakta kategorikisht kundër ndarjes së saj, edhe pse miqtë e Erdogan, pra Rama dhe Thaçi, punuan për projektin e ndryshimit të kufijve.

Shteti turk nuk ka asnjë problem të pazgjidhur me Shqipërinë apo me Kosovën, sepse ne nuk ndajmë kufij tokësorë me të. Ky avantazh bën që midis dy vendeve e dy popujve të mos ketë asnjë konflikt të hapur. Nëse sulltanët luftuan kundër Skënderbeut, kjo i përket shekullit të XV, ndërkohë që ne kemi një llogari të hapur për genocidin dhe krimet serbe kundër shqiptarëve deri para 25 vitesh. Nëse ne pretendojmë të rivendosim drejtësi për padrejtësitë e shekujve më parë, do të zhvendosnim vëmendjen tonë nga ajo që ka ndodhur midis shqiptarëve dhe serbëve përgjatë më shumë se një shekulli, deri në vitin 1999 e çfarë po ndodh edhe sot midis Kosovës dhe Serbisë fashiste.

Për të gjitha këto arsye them se vizita e Ramës në Ankara, ndonëse ishte vizitë pazaresh e llogarish personale, sërishmi duhet vlerësuar si hap i rëndësishëm në forcimin edhe të marrëdhënieve Shqipëri-Turqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat