Kryeqyteti gjithë-shqiptar, Tirana e bukur, sot, në rolin e misionarit të paqes dhe sigurisë në Evropë

Opinione

Kryeqyteti gjithë-shqiptar, Tirana e bukur, sot, në rolin e misionarit të paqes dhe sigurisë në Evropë

Nga: Rexhep Elezaj Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 15:14
Foto familjare nga Samiti i Tiranës

Pa marrë parasysh kritikat dhe akuzat nga e djathta shqiptare që i bëhen regjimit aktual të Tiranës zyrtare, i udhëhequr nga krye-socialisti, Edi Rama, sidomos ato nga opinioni kosovar për shkak të sjelljeve arbitrare dhe patronazhiste ndaj Kosovës të E. Ramës, i cili akuzohet për miqësinë e tij me A. Vuçiqin, për pajtimin dhe angazhimin e tij për ndarjen e Kosovës, për formimin e “Ballkanit të hapur” me iniciativë të Serbisë, për raportet e tij të këqija dhe injoruese ndaj udhëheqësve të Kosovës, eks-komunikimi i Prishtinës zyrtare në dëm të shtetit të Kosovës, për rolin e tij pasiv ndaj shtet-ndërtimit dhe lobimit për njohje të reja për Kosovën, etj., pranë gjitha këtyre fajeve të tij, duhet pranuar faktin, se kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka luajtur një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, kur është në pyetje interesi i Shqipërisë.

Kjo për faktin, ngase qëkur ka ardhur në pushtet, nën qeverisjen e tij diplomacia e Shqipërisë ka kryer me sukses disa role dhe detyra, siç ishte marrje e kryesimit të presidencës së OESB-së për vitin 2020, në shtator 2023 do e merr për herë të dytë presidencën e KS të OKB-së, siç ishte dhe koordinatore e procesit të Berlinit për 6 vendet e Ballkanit perëndimor, etj., duke e shndërruar Tiranën në një qendër diplomatike për takime dhe mbajtje të samiteve shumë të rëndësishme ndërkombëtare, qoftë për procesin e integrimeve të rajonit të Ballkanit perëndimor në BE, qoftë për çështje të sigurisë në rajon, përfshirë këtu organizimin dhe mbajtjen e samitit të sotëm në Tiranë për Ukrainën si dhe samitin që nesër do mbahet në Tiranë për çështje të Ballkanit perëndimor.

Pra, vetëm në dy vitet e fundit në Tiranë, për herë të parë do të mbahet samiti i 27 vendeve, anëtare të BE-së, jashtë territorit të tyre, kushtuar Procesit të Berlinit dhe sfidave të integrimit në BE (06.12.2022), në Tiranë do mbahet Samiti i Procesit të Berlinit (16. 10.2023), përfshirë samitin e sotëm për Ukrainën dhe samitin e nesërm kushtuar Ballkanit perëndimor, e që kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën tonë të bukur, e kanë shndërruar në arenë diplomatike për t’i bërë bashkë nën një kulm liderë dhe udhëheqës ballkanik, të cilët deri dje ishin në luftë me Serbinë hegjemoniste, ndërsa sot i shtrijnë dorën njëri tjetrit, qoftë me hatër, qoftë me zor..!

Ajo që përmes këtij shkrimi dua ta theksoj, është fakti dhe synimi i kamotshëm i kombit shqiptar, që Shqipëria si shteti amë dhe piemonti i gjithë shqiptarëve në botë, tanimë pas shumë dekadave, është bërë pjesë e pandashme e botës demokratike dhe perëndimore, në aleancë të ngushtë me miqtë amerikan, siç gjendet sot në diskursin e saj të qartë properëndimor dhe demokratik, për t’u bërë një ditë jo shumë të largët, anëtare e plotë e BE-së si dhe e vendeve të zhvilluara të Evropës perëndimore. Duke i dhënë kështu fund, njëherë e mirë, orientimit politik shqiptar pro-rus dhe sllavo-komunist, siç ishte regjimi stalinist i Enver Hoxhës dhe PPSH-së.

Në realitet, Kosova dhe Shqipëria kurrë nuk i kanë takuar botës së keqe dhe civilizimit lindor ruso-sllavo-komunist, veçse atij vlerave humane dhe demokratike perëndimore, gjithnjë brenda familjes së popujve evropian, mbase si kombi më i vjetër dhe autokton i Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat