Thirrjet akademike “problematike”!

Opinione

Thirrjet akademike “problematike”!

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 4 mars 2024 Në ora: 08:31
Zejnullah Jakupi

Më 29.02.2024 në emisionin Debat Plus lidhur me thirrjet akdemike të Nexhmedin Spahiut, u bë një temë skandaloze dhe sipas Lirim Mehmetajt, zbulimi i rasteve tjera do të vazhdojë tutje edhe me personalitete tjera.

Me sa duket, me këtë rast, Lirim Mehmetaj ka hapur një front të gjerë për t´i hulumtuar kundërshtarët politikë, mundohet të ju gjejë ndonjë parregullësi në marrjen e titujve, thirrjeve akademike, etj. Me të drejtë.

Se marrja e tituve, nëse vërtetohet, siç u tha në Debat Plus për Nexhmedin Spahiun, padyshim duket e mjegulluar. Nëse ka synime të zbardhjes së mashtrimeve, hajnisë, kjo nuk duhet të bëhet vetëm duke u bazuar në insinuata politike.

Në këtë „betejë“ nuk duhet të ketë rëndësi përkatësia partiake e personaliteteve që do hulumtohen, nëse i kanë arritur gradat shkencore me hatër, ose i kanë blerë ose  i kanë fituar në mënyra tjera, jo të lejueshme me ligj.

Gabimi i parë në këtë „gjah të shtrigave“ të nisur nga Lirim Mehmetaj është inati politik. Lirim Mehmetaj e nisi këtë „ndjekje“ ndaj Nexhmedin Spahiut, nga debati i kaluar.

E pse tani kjo fushatë, sidomos kundër personaliteteve që e mbështesin Albin Kurtin dhe qeverinë e tij, tashmë po dihet. Lirim Mehmetaj është gazetar i Albanian Post dhe drejtori i tij është Baton Haxhiu dhe dihet tashmë një kohë të gjatë, betimi i tyre për t´i zhbërë përkrahësitë e Albin Kurtit.

Se ky gjah është bias- i ndikuar dhe i drejtuar vetëm në një drejtim, ka mundësi që nuk do sjell rezultate të mira për gjithë shoqërinë, sepse po politizohet.

Zbardhja e rasteve të tyre nuk duhet të lidhet me përkatësinë partiake.

Dhe, me sa shihet, marrja e tutujve shkencor dhe thirrjeve akdemike ka qenë evidente nga përfundimi i luftës e tutje, kjo natyrisht nuk do koment.

Që të mos politizohej çështja, do të duhej që media – pra edhe Lirim Mehmetaj, të bëjë hulumtim serioz, të kërkojë sa veta, kush janë ata që kanë marrë tituj shkencor pas luftës dhe sa prej tyre kanë bërë karrierë në UP, media dhe institucione tjera?

Një hulumtim profesional i tillë do i dërgonte ata në prokurori, ndërsa institucionet shtetërore, bizneset por edhe ato arsimore do ndërprisnin kontratat e punës me të apostrofuarit, siç ndodhë në gjithë botën.

Keqpërdorimet kanë nisur nga përfundimi i luftës

Debati për marrjen e titujve shkencor pa merita dhe mashtrimet tjera që kanë ndodhur, natyrisht janë shumë të dëmshme për gjithë shoqërinë dhe duhet të zbulohen, të hetohen dhe dënohen me ligj.

Gjithashtu, dihet se këto „zbulime“ të keqpërdorimeve nuk kanë ardhur prej qiellit.

Sa për info, barra për gjithë këto plagjiatura, posedime të thirrjeve akademike, siç e dijmë, ka ndodhur në kohën kur drejtori i Lirim Mehmetajt, Baton Haxhiu ka koketuar me politikanë të pushteteve të më parshme, të cilët gjatë 23 viteve të qeverisjes së kaluar kanë keqpërdoruar institucionet arsimore duke i mbushur ato me kuadro të cilët i kanë fituar tituj shkencor pa merita.

Që herët, ka qenë dashur dhe do të duhej të ishte përgjegjësi e institucioneve arsimore, publike e shtetërore ta luftonin këtë dukuri, para 23 vitesh më parë, por nuk e kanë bërë, sepse kanë përfituar me abuzimin e kapitalit kulturor për ta forcuar pushtetin. Prandaj përgjegjësia iu bie shokëve të Lirimit, Batonit, e të tjerëve, (opozitës) që ishin para LVV-së në pushtet.

Prej 14 shkurtit 2021 duhet thënë se është përgjegjëse qeveria e Albin Kurtit. Por natyrisht institucionet arsimore duhet të depolitizohen dhe institucionet arsimore të veprojnë të pavarura nga qeveria dhe partitë politike, pra edhe të opozitës. Kjo vlenë edhe për institucionet tjera, gjykatat dhe gjithë sistemin e drejtësisë etj. Plot 23 vite, ka qenë koha kur njerëzit kanë luftuar për të fituar diploma e që kjo pastaj ju ka mundësuar atyre të arrinë në pozita të caktuara në institucione. Pasojat e atyre veprimeve po i vuan shoqëria sot.

Jo vetëm në rastin e Nexhmedin Spahiu, por edhe në rastet tjera, nuk ka asnjë bazë ligjore për të akuzuar profesorët kosovarë për të pasur "doktoratura false" në mënyrë të përgjithshme, pa fakte. Nëse ka informacion specifik rreth një rasti të tillë dhe mendohet se ka nevojë për një hetim, ata që hulumtojnë duhet të paraqesin këto të gjetura si informacion për institucionet kompetente për të bërë një hetim të plotë dhe të drejtë rreth tyre. Këto akuzat duhet të trajtohen me seriozitet dhe të bazohen në fakte të verifikuara. Është e rëndësishme që në këtë proces të respektohet integriteti dhe reputacioni i individëve derisa të ketë prova konkrete për të mbështetur akuzat e ngritura.

Revokimet e thirrjeve akademike

Siç dihet, titulli i doktoraturës” është një gradë akademike e dhënë nga universitetet. Për të marrë këtë, duhet të publikohet një disertacion, i cili duhet të jetë në formë të shkruar. Si rregull, një ekzaminim me gojë (disputacioni) është pjesa plotësuese për të marrë gradën shkencore PhD.

Doktoratura është e vlefshme për gjithë jetën. Megjithatë, në raste të caktuara ajo mund të revokohet nga universiteti që e ka dhënë atë - siç ndodhi, për shembull, me z. zu Guttenberg në Gjermani. Kur kjo është e nevojshme, përcaktohet në përputhje me ligjet e arsimit të lartë dhe rregulloret e universiteteve për studimet dhe doktoraturën. Njerëzve të cilëve u është revokuar diploma e doktoraturës nuk u lejohet më ta quajnë veten doktorë me thirrje akademike në fjalë.

Arsyet më të zakonshme që çojnë në revokimin e një diplome doktorature përfshijnë: Plagjiaturë, Padenjësia, dhe marrja e titullit pa merita- përmes blerjes.

Mashtrim ndër tjerash konsiderohet nëse rezulton se teza e doktoraturës përmban plagjiaturë. Gjithashtu kur pjesët e tekstit që nuk vijnë nga pena e doktorantit, por janë pronë intelektuale e një personi tjetër, shihen si të tilla. Edhe pse nuk është e ndaluar të përdoren pasazhe të tilla teksti, ato duhet të citohen qartë si burime. Përkufizimi ligjor për termin "plagjiaturë" është me sa vijon:

Çdo tekst ose pasazh teksti që nuk është shkruar nga autori i tezës së doktoraturës dhe nuk jep një referencë të detajuar të burimit konsiderohet plagjiaturë dhe për rrjedhojë mashtrim. Çdo fusnotë duhet gjithashtu të shënohet në përputhje me rrethanat.

Krahas kritereve të mashtrimit dhe plagjiaturës, doktoratura mund të revokohet edhe për shkak të padenjësisë. Kjo ndodh kur titullari i doktoraturës sillet si i padenjë moralisht apo penalisht.

Përfund duhet të themi se titujt e fituar me mjete financiare nuk janë ligjërisht të vlefshëm dhe mund të ndiqen penalisht. Pra edhe ato që janë deklaruar se janë fituar në mënyrë ligjore dhe në fakt nuk kanë qenë të tilla.

Në raste kur titulli i doktoraturës është marrë me mashtrim ose pa autorizim të univerzitetit mund të rezultojë në dënime penale. Sipas nenit 132a të Kodit Penal (StGB) në Gjermani thuhet se, përdorimi i paautorizuar i gradave ose titujve akademik mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Nëse përdorni një doktoraturë të blerë,  në CV-në tuaj, në vizitë-kartela ose në deklarata të tjera publike, kjo do të thotë ju jeni duke kryer një vepër penale dhe mund të dënoheni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat