Kur do të hetohet tragjedia apo tradhëtia e shkatërrimit të makinës ushtarake të Shqipërisë?

Opinione

Kur do të hetohet tragjedia apo tradhëtia e shkatërrimit të makinës ushtarake të Shqipërisë?

Nga: Shaban Murati Më: 4 mars 2024 Në ora: 14:23
Autori Shaban Murati

I vetmi shtet ish-komunist, që e shkatërroi me qëllim makinën ushtarake të trashëguar nga regjimi i mëparshëm, është Shqipëria. Nuk ndodhi kjo tragjedi kombëtare në asnjë shtet ish-komunist të Ballkanit dhe të Europës Lindore.

Shtetet e tjera ish-komuniste i kanë edhe sot e kësaj dite armatimet e kohës së regjimit të vjetër. Madje Bullgaria e furnizoi tani Ukrainën me armatimet e asaj kohe për luftën e saj kundër agresionit rus.

Makina ushtarake e një shteti nuk ka karakter ideologjik dhe nuk ka asnjë lloj justifikimi për operacionin e qëllimshëm të shkatërrimit të makinës ushtarake të Shqipërisë.

Sipas të dhënave të ekspertëve të ushtrisë shqiptare botuar në shtyp, makina ushtarake e Shqipërisë kishte 1.200 tanke dhe përbënte forcën tankiste më të madhe në rajon. Forcat ushtarako-ajrore kishin 196 avionë dhe helikopterë ushtarakë dhe vetëm baza e Kuçovës kishte 140 avionë ushtarakë.

Flota ushtarako-detare kishte 100 luftanije të tipeve të ndryshme. E gjithë kjo makinë ushtarake e dobishme për mbrojtjen e atdheut u shkatërrua si me shkop magjik nga një urdhër suprem.

Pikëpyetja e parë është përse udhëheqësit postkomunistë të PD dhe të PS, që alternuan njeri-tjetrin në pushtet, ndoqën me konsensus dypalësh të njejtën strategji të shkatërrimit të makinës ushtarake të Shqipërisë?

Pikëpyetja e dytë është përse asnjera qeveri në 32 vjet nuk e ka hetuar këtë shkatërrim të qëllimshëm të makinës ushtarake, por e kanë fshehur në heshtje dhe e kanë varrosur për publikun dhe për drejtësinë?

Pikëpyetja e tretë është se si dhe pse u shkatërrua makina ushtarake e Shqipërisë pikërisht në kohën kur në Jugosllavi sapo kishin nisur agresionet e përgjakëshme të Serbisë kundër popujve joserbë dhe Shqipëria e kishte luftën te dera?

Pikëpyetja e katërt është se ku mendonin udhëheqësit e PD dhe të PS në pushtet se do ta mbështetnin mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë nga një agresion i jashtëm, kur Shqipëria nuk ishte as anëtare dhe as partnere e NATO-s?

Pikëpyetja e pestë është se kush përfitoi në planin strategjik dhe financiar nga shkatërrimi i makinës ushtarake të Shqipërisë?

Pikëpyetja e gjashtë është se cili shtet ballkanik ose joballkanik u këshilloi udhëheqësve shqiptare të PD dhe të PS në pushtet se duhej të shkatërronin makinën e trashëguar ushtarake të Shqipërisë?

Përfundimi: A ka ardhur koha dhe kur SPAK do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht udhëheqësit e shtetit dhe të qeverive, përgjegjës të tragjedisë apo të tradhëtisë së shkatërrimit të makinës ushtarake të Shqipërisë?/ Dita

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat