Ditë që ndryshuan historinë e kësaj hapësire shqiptare

Opinione

Ditë që ndryshuan historinë e kësaj hapësire shqiptare

Nga: Ismail Gashi Sllovia Më: 23 mars 2024 Në ora: 22:33
Ismail Gashi

Më 23 mars 1999 / e martë. Ngjarjet e mëdha që po zhvillohen këto ditë. Si edhe sot, është përkundur të shënohen në një shënim dite, siç është ky ditar i vockël i cili nuk ka zënë as një të mijtën e atyre që kanë ndodhur, kurse këto ditë si edhe ditën e sotme, ka zënë fort më pak. Sot Hollbruk u kthye nga Beogradi, pa sukses të arritur për të ndërruar qëndrimin e Miloshit. Hollbruk shkoi në Bruksel, në seli të NATOS-së nga pritet të ndërmerren veprimet ushtarake, tash brenda orëve e jo ditëve. Analog me këtë, qeveria Jugosllave, sonte shpall gjendje lufte e cila hyjnë në fuqi menjëherë. Me këso veprime jo normale, mund të ngjajnë veprime të skajshme më të pakuptimta se edhe deri tash. Kishte sot arrestime, marrje e kufizime lëvizjesh, gjëja konform me situatën. Rusi Primakov, ndërpreu vizitën e lypsarit në SHBA, ku kishte qëllim paratë. Kuvendi serb refuzoi ardhjen e NATO-së në Jugosllavi. Gjendja në Shqipëri  është në gatishmëri lufte, ushtarët janë në kufi. Klinton, Shrëder, Anan e shumë burra të elitës politike botërore, sot ishin të angazhuar rreth çështjes së Kosovës. Këto ditë bota mendon, flet dhe vepron shqip. Më pak angazhim për situatën treguan liderët politik shqiptarë në Kosovë, Hiq Qosjen, nuk degjohesgin nga populli fare. Sidoqoftë, në Kosovë është luftë, vijnë trupa serbe pareshtur, është mbuluar çdo hapësirë e Kosovës, si edhe ajo e Lypjanit, me ushtarë e armatim serbe. Ka shumë konfrontime luftarake, ka shumë të vrarë, 11 në Skënderaj, 7 në Suharekë, 3 në Prishtinë e nuk dihet për të vrarë në luftime në Zonën e Llapit, Shalës e trevat e Vushtrrisë, ku dihet për dy fëmijë të vrarë. Zona e Drenicë djegie fshatrash, si  Likoci, Prekazi, Klina e Epërme e Ultë, Llausha e shumë të tjera që po digjen për të tretën e të katërtën  herë. Luftime të ashpra janë zhvilluar edhe në Zonën e Pashtrikur, Grykë të Llaposhnikut, Shtime e Zonën e Nerodimes, Petrovë, Reçak e Mollopolc, UÇK-ja ka treguar qëndrueshmëri dhe kudo ka arritur të zmbraps forcat serbe duke ju shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Gjendje e rëndë është edhe në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan dhe qendrat qytetare në Dukagjin, Prizren, Gjakovë e Pejë. Asnjë trevë kosovare nuk ka jetë të qetë. Kudo është kërcënim e rrezikim dhe vepron dhuna e barbarisë serbe. Popullata shqiptare po largohet, sot Maqedonia ka mbyllur kufirin për kalimin e shqiptarëve, ka dhjetëra e qindra mija shqiptar nën qiellin e hapur tëkësaj pranvere të dimëruar e të acartë, pa ushqim veshmbathje e strehim e përkujdesje mjekësore. Edhe në Lypjan sot në Zyrën tone qëndruam duke përcjellur ngjarjet që po ndodhin në ne e për rreth nesh. Nuk kishim asnjë informacion nga politika, çka të veprohet, si të veprohet. Të ngelim në shtëpitë e trojet tona. Të rezistojmë ndaj dhunës, të pranojmë atë si të pa rezistencë, apo të dalim në rezistencë ku thërret UÇK-ja. Të gjitha opsionet nga veprimi politik ishin të pakonsoliduara, të mjegullta, të padefinuara e të pa kuptimta për pjekurinë tonë politike që trumbetoi dhjetë vjet “durim”. Ky pozicion nuk zbuste situatën e rëndë, “furtunën para stuhisë”. Pritet luftë, që do të jep udhë definimit të çështjes sonë kombëtare në Kosovë.

Më 24 mars 1999 / e mërkurë /,- Datë kjo, që ndryshon kahen e ngjarjeve, ndoshta ndryshon edhe fatin historik të kësaj hapësire dhe vet shqiptarëve në këto hapësira. Datë që ndryshon shekujt, ndryshon jetën, largon robërinë, dhunën dhe barbarinë serbe nga kurrizi i shqiptarëve të ndjekur në këtë tokë të djegur. Tërë dita ishte në ankth e frikë nga eksponomi i dhunës serbe mbi shqiptarët. Askush nuk qarkullonte pa ndonjë arsye të madhe. Rrugët ishin thuaja të palëvizshme. Popullata shqiptare largohej nga Lypjani dhe kërkonte strehim të ngutshëm diku në fshatrat e afërta si Banullë, Gllogoc apo edhe në lagjet periferike të qytetit që ishte me shumicë shqiptare. Ditën aty kah ora 15-të në rrugën Prishtinë-Lypjan u vra Ismet Asllani, komandant i Logjistikësp në Zonën e Llapit, përkrahës i UÇK-së e bisnismen nga Hallaqi i Vogël. Ismeti mu pse ishte veprimtarë i UÇK-së me inskenim u vra nga forcat serbe.

            Derisa gjatë ditës, kishte shqetësime të popullatës kudo në Kosovë, ishin të theksuara edhe sulmet e forcave serbe në shumë mjedise të Kosovës. Dalloheshin Zona e Shalës, Vushtrrisë, Zona e Dukagjinit dhe brezi kufitar. Ndërsa kufiri Kosovë-Maqedoni ende qëndron i mbyllur nga pushtuesi serbë. Gjatë ditës isha në Zyrë me z. Xhervat Ollurin, Fehmi Ibrahimin dhe Aziz Hysenin, pritej mbrëmja dhe fillimi i bombardimeve nga forcat e NATO-së. Shqetësime kishte si ndër shqiptarët e frikësuar nga dhuna serbe që i kërcënonte, ashtu frikësohej edhe popullata serbe nga sulmet e NATO-së dhe improvizonte rrezikim të popullatës civile, duke akuzuar kështu veprimin e NATO-së, për veprim mbi popullatën civile serbe. Shqiptarët realisht ishin të rrezikuar nga dhuna policore e ushtarake serbe e përqendruar para 3-4 ditësh nëpër shumë mjedise e pika të vendbanimeve shqiptare. Kurse veprimet e UÇK-së ishin shpresa e vetme e mbrojtjes së shqiptarëve në tokë, meqë sulmet e NATO-së parashihen vetëm nga ajri. Pika vendosjeje të forcave serbe ishin edhe në mjedise të Lypjanit. Në mbrëmje u ktheva në banesë i vetmuar në një qytet thuaja tërësisht i boshatisur nga shqiptarët. U muarrëm vesh me Abdyrrahman Konjufcën të jemi bash gjatë natës dhe ashtu vepruam, ishim në banesën e Manit. Miloshi kishte afatin e fundit deri në orën 20-të, të deklarojë për nënshkrimin ose jo nënshkrimin e marrëveshjes, ai para orës 20-të në ekran u deklarua kundër nënshkrimit të marrëveshjes, u kuptua se do të fillojnë sulmet e NATO-së. 10 minuta para orës 20-të u ndal rryma, filluan sulmet e NATO-së, qyteti u boshatisë për pak minuta, serbët ishin vendosur në disa kafene, policia ishte larguar nga stacioni policor dhe ishte vendosur në disa shtëpi private në lagje shqiptare, për ti ikur sulmit dhe njëherit nëse bombardon NATO të rrezikon vet shqiptarët. Ishin strehuar madje edhe vet ushtarët dhe policët serb që gjatë mbrëmjes ushtria serbe pat vendosur artileri dhe antiajror edhe nëpër hyrje të pallateve të banimit. Që nga ora 20-të ndihej erë kërcënimi për shqiptarët nga dhuna serbe, dhunë e cila eksponohej me gjuajtje dhe kallje të lokaleve shqiptare me thirrje për vrasje dhe strukje nga frika e sulmeve të NATO-së. Ky fillim ishte jo vetëm kërcnim për vdekje, por edhe shpresë për shpëtim. U dëgjuan detonime të shumta, shihej flake në Sllatinë, Ajvali e shumë mjedise tjera të Kosovës dhe Serbisë, kështu lajmëronin radiostacionet që mund të dëgjoheshin. U dhanë informatë se asaj nate janë sulmuar 40 objekte e sisteme të ushtrisë serbe. Dita gdhiu me shqetësime e zbrazje të hapësirës e largime masive të popullatës shqiptare. Natën e kaluam të zgjuar, të ngazëllyer dhe të frikësuar paralelisht. Pata kontakte telefoni me disa veprimtarë nga terreni dhe familjen time. Tentova të dëgjohem edhe me QIK-në por nuk pata sukses. Gjatë natës te Mani erdhën edhe pjesa e mbetur e familjes së Nazmi Matoshit, Nëna, gruaja dhe një djalë i tij, si dhe Sanija me nusen e djalit dhe fëmijët e saj. Kaluam disa orë bashkë të Mani, Pastaj ato familje shkuan në banesën e Matoshve, ne dy ngelëm në banesë të Manit tërë natën, deri në orën 7-të të mëngjesit, kur unë shkova në banesën time e Mani ngeli në të vetën me qëllim që pastaj të shkon në Prishtinë.

            Më 25 mars 1999 / e enjte / ,-   Me të filluar të sulmeve të mbrëmshme, shqetësimi serb ishte i madh. Ngjarjet e mbrëmshme nuk mund të shënohen në pak rreshta e faqe. Sot po duket se kjo nyje e kulturës Ilire-Dardane-shqiptare, nuk ka vetëm traditë të lavdishme shqiptare, por këtu gjatë historisë janë ndeshur jo vetëm popujt, por edhe traditat e kulturat Ilire-Romake-Bizantine-Turke e ortodokse sllave. Këtu janë konfliktuar forcat mendore, politike e ushtarake. Praktikisht, Kosova është nyje ku janë shprehur lakmitë e të huajve që të rrëmbejnë nga shqiptarët trollin e begatshëm të Dardanisë, begatitë tokësore e nëntokësore dhe të përvetësojnë hapësira jetësore në këtë troje me klimë e natyrë përrallore. Ku shqiptarët gjatë kohërave dhe shekujve, duhej të mbronin gjithmonë vetveten dhe begatitë e tyre nga lakmia e të uriturve për gllabërim. Kosova ishte arena e mbrojtjes e ndeshjeve mes lakmisë për grabitje dhe domosdosë për mbrojtje, kur ndeshen skajshmëritë, konflikti është i ashpër. Edhe këtë kohë, bota nuk deshi, nuk diti apo nuk mund të na kuptojë drejtë e me kohë. Për shumë kohë qendrat e vendosje botërore merreshin më ne vetëm në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të njeriu, pa e marr arsyeshëm zgjedhjen e çështjes shqiptare. Kjo u veprua kështu, deri më 24 mars 1999, kur Aleanca Veriatlantike ndërmori veprim ushtarak për zgjedhjen e çështjes sonë që rrezikon katastrofë të mundshme njerëzore.

Sot pasi u ktheva në banesën time u përgatita e dola prapë në qytet. Në mëngjes në rrugët e qytetit nuk kishte njeri të gjallë, shiheshin vetëm pasojat e Natës së Bartolomeut, djegiet, kallet dhe plaçkitjet e pronave shqiptare, që serbët gjatë natës i kishin kryer në shenjë hakmarrjeje për sulmet e NATO-së mbi forcat e tyre ushtarake e policore. Kah ora 10-të kur u nisa të shkoja në Zyrë, siç ishim marr vesh me z. Xhevat Ollurin, takova Zyfer Aliun, dhe aty nga rreziku që paraqitej në ato qaste, kur serbët ishin dalur nëpër rrugë të armatosur dhe rrezikonin jetën dhe pronën shqiptare. Kërcnonin qenien biologjike dhe substancën tonë kombëtare. Zyferi me mori në veturë dhe shkuam deri në Smallushë, përkundër asaj që ishim marr vesh me Xhevatin, unë nuk u ktheva në zyrë, pasi tash ishin krijuar rrethana të rrezikshme të qëndrojmë ende në atë zyrë. Shkova në vendlindje në Sllovijë, ku ditë më parë kanë ardhur bashkëshortja Fazilja, vajza Arieta dhe djali Shkumbini. Me të ardhur thirra Fadilin në Gjilan, mora vesh se ai kishte ngelur në Gjilan. E atë që thash në fillim në Kosovë, nyjën ballkanike evropiane, shumë lehtë mund të fillojë lufta, jo vetëm shqiptare-serbe, por ajo të zgjerohet në hapësirat ballkanike e më gjerë. Politika ndërkombëtare këtë nuk e ka llogaritur seriozisht, në të kundërten do të ishte përkushtuar zgjedhjes para se të eskalonte problemi në ketë shkallë të ashpërsimit. Në Sllovi u takova me disa nga aktivistët lokal të cilët u njoftova për angazhimin e tyre në kujdestari gjatë natës, se aty është ndërruar udhëheqësia lokle e fshatit me direktivën e SHP të UÇK-së. U njoftuam se pasdreke në Lypjan popullatës shqiptare iu është urdhëruar që deri në orën 16-të pasdreke të lëshojnë shtëpitë. Më njoftuan se banesa ime ishte thyer ndër të parat diku kah ora 14-të. Nata na zuri në ankth, duke pritur sulmet serbe. Në Sllovi qarkullonin shumë persona të panjohur, epror ushtarak dhe policor serb. Popullata shqiptare të vetmin veprim nëse  mund t’i thuhet mbrojtës, e bënte me kujdestari nëpër lagje që në rast sulmi të koordinuar të tërhiqen.

Ky Ditar është autentik i mbajtur nga 23 mars deri me 20 qershor 1999.

Autori, ishte përgjegjës për informim në Degën e LDK-së në Lypjan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat