Atje ka plot dashuri!

Opinione

Atje ka plot dashuri!

Nga: Kimete Berisha Më: 24 shtator 2016 Në ora: 12:48
Kimete Berisha

Shumë m'u ka dhimbt kjo verë që shkoi sivjet....sikur kur ndahesh nga njeriu që do!

Tek atëherë kur gjethet binin dhe kur shiu dhe era i shtinin ato në dhe, kur çdo gjë mbi tokë merrte ngjyrën e dheut, tek atëherë dielli futej në trupin tim..

e ndjeja diku brenda kokës sime, në mendjen time apo në zemër që thoni ju, dhe veç atëherë kur të gjithë dukeshin të mërzitur e të ngrysur, si toka, unë mund të flisja për lumturinë.

Prandaj, për çdo vit, ditën e parë të vjeshtës', dilja në ballkon dhe e prisja vjeshtën të hynte në trupin tim, nga rruga e syve të mi'.

Sikur të isha stinë-do të kisha qenë 'vjeshtë'! 
Sikur të isha lule-do të kisha qenë ferrë!
Sikur të kisha pasur krah', do të kisha qenë zog...po, dhe flutur do të kisha 'pranuar' të jem!

Sa më shumë dritë që ke në shpirtin tënd, aq më shumë do terr dhe shi.

Terri dhe shiu i vjeshtës janë trupi i poezisë.

Por, dëshirat e mia kanë ndryshuar, pa u plotësuar ato. 
Koha e vjetëron dëshirën, ëndrrën, pritjen..dhe dashurinë.

Vetëm një 'lloj' i dashurisë i mbijeton kohës-ajo dashuria e mikut, e shokut, e atij që i dhimbsesh në shpirt...atij që një herë ka guxuar për t'u humbur në terrin e poezisë tënde.

Sa më e vjetër që bëhem, nuk dua të jem më 'vjeshtë'...
Kur doli sivjet dielli nga vera nuk hyri më si më parë në trupin tim.

Unë që po i shoh dëshirat e mia të bien bashkë me gjethet e kësaj vjeshte, ish dashur me kohë të dua diell, ish dashur të dua dritë, të qesh e jo të qaj me Talinë, qysh kam kujtuar unë, se njeriu i pikëlluar ka përparësi para Zotit, para dashurisë dhe para Diellit.

Dashuria nuk rishkruhet...

...nuk më ka shkuar mendja asnjëherë se 'njeriu i lumtur' para se të bëhet 'i tillë' njëherë ka kaluar nëpër terr.

Duke kaluar nëpër terr dhe duke ecur nëpër ferra në kërkim të lumturisë, e sheh se lumturia është e thjeshtë, nuk është thesar që do ta gjejmë apo dhuratë që do të na e jep dikush falas.

Lumturi i thonë ngadhënjimit mbi vuajtjen, jo abstenim dhe mosnjohje e vuajtjes. 
Lumturi është të pajtohesh me fatin tënd, të bësh paqe me veten, patjetër të besosh në Zot dhe krejt mërzinë që nuk mund ta largosh nga vetja, t'ia lësh Zotit tënd, të bëjë çfarë të dojë me të, sepse nëse trupi yt nuk është 'i joti' as mërzia jote nuk ka tjetër autorësi!

Ndërto 'dhomën e diellit'! Dhomën e shpirti. Dhe një herë në ditë hyn në të, luaj tezes, nusesh, ndërro salvetat me shoqet e fëmijërisë, shkruaj në leksikon poezi, këndo në kor, vallëzo si atëherë kur ishe e vogël e doje të bëheshe balerinë, sillu si fëmijë në 'dhomën e shpirtit', derisa të lodhesh nga dalldia...

Ti patjetër duhet ta gjesh edhe një dimension tjetër të jetës, përtej mërzisë. 
Se, edhe mërzia ka kufij. Askush nuk është 'veç i mërzitur', ose 'veç i lumtur'. 
Pra, një herë në ditë mos e lë pa dal nga 'dhoma e vjeshtës', për t'u kthyer në 'dhomën e diellit'! 
Mërzia pret!

Ti nuk e ke gjetur Zotin tënd nëse i mbrrolesh Diellit, Dashurisë, Dritës, Mirësisë, aromës së bukës së nxehtë dhe lules në saksi, e cila e gjen verën në dhomën tënde të mërzisë dhe nuk vyshket as atëherë kur 'dielli nuk i përbiron retë!

Vyshen vetëm ata që së paku një herë në ditë nuk dalin nga 'dhoma e mërzisë'!

P.S. Me padurim të fshihem pas territ dhe të gjej 'ëndrrën time', rash në gjumë pa e fshi vijën e zezë të lajnerit në kapakët e syve. 
Kur u zgjova nga gjumi, ende pa parë a pa folur gjë, motra më tha 'e kam një lajm të mirë'. 
Në vend meje, me sytë e saj e kishte parë 'ëndrrën time'. 
S'di pse u çuam të dyjat në këmbë kur ma tregoi 'ëndrrën time'. 
Tha, ishim në Shkup, afër teatrit, e pashë....shkrimtarin 'e pikëllimit'....ish shumë mirë...i qetë, 'i lumtur u duk' !
Ai ishte si një dritë e madhe dhe fytyra e tij dukej e plotë.

Më pyeti për ty, tha 'ku është ajo'!...
Pastaj, unë e pyeta 'si është atje', dhe Ai, pa u menduar dy herë, buzëqeshi dhe tha 'ka plot' dashuri'!

Vija e lajnerit u fshi me lotët e m'i, e më shumë syri i djathtë. S'ju kam treguar se lotët e syrit të majtë harxhohen më parë se të syrit të djathtë...

Nëse në botën tjetër ka më shumë dashuri se në këtë jetë...
s'di a i besohet atij që të do shumë...
ai që të do shumë të thotë se 'ndjehet mirë' edhe kur ndjehet keq. 
Ai vdes duke kënduar, për të të mashtruar ty se si nuk përton të ndahet përgjithmonë nga lulet dhe nga dielli i poezisë.

Nuk ta tregon ty në ëndërr emrin e 'vrasësit' të tij, edhe nëse e di...
ti ndez qirinj sa të duash për të dhe lutju sa të duash shpirtit të tij, nuk të tregon asgjë që të mërzite të idhnon, ai të ruan ty dhe të mbron ty nga dashuria e tij...të mbron nga 'vrasësi i tij'!

Dashuria është si Zoti. Të mbron dhe të ruan!

Ai që të do, nuk ta tregon të vërtetën, nëse ajo është e rëndë dhe e vërtetë që të pikëllon.
Sepse, të do më shumë se veten! 
Të gjitha dashuritë tjera, janë të rreme!

Mbaje në mend, kush të idhnon-nuk të do!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat