Mbreti i xhunglës politike

Opinione

Mbreti i xhunglës politike

Nga: Florim Zeqa Më: 3 prill 2017 Në ora: 13:39
Florim Zeqa

Skena politike e Kosovës aq shumë është bastarduar, sa që në këndvështrimin qytetar të gjitha partitë janë bërë të njëjta, në mungesë të një konkurrence të mirëfilltë politike dhe një shoqërie civile aktive i ngjan një xhungle, ku mbreti i xhunglës i përcakton të gjitha rregullat e lojës si dhe për (mos) ekzistencën fizike të kafshëve më të vogla dhe më të urta.

Ngjajshëm sikurse në xhungël që mbret konsiderohet Luani, ashtu edhe në skenën (xhunglën) politike të Kosovës, rolin e mbretit po e luan kryeparlamentari Kadri Veseli!

Ish kreu i SHIK-ut, kryeparlamentari dhe aktualisht lideri i partisë më të madhe në vend, duke e vërejtur rënien drastike të imazhit të presidentit dhe anashkalimit të skajshëm të kryeministrit, po mundohet të paraqitet si i gjithëfuqishmi i ditëve të sotme, duke i caktuar të gjitha rregullat e lojës politike sikurse në parlament ashtu edhe në skenën politike në përgjithësi.

Jo vetëm kaq, mbreti i xhunglës politike i kontrollon edhe mekanizmat e tjerë të shtetit si; sistemin e drejtësisë, administratën shtetërore, bizneset, etj.

Thënë ndryshe, sot Kadri Veseli kontrollon çdo segment të sistemit shtetëror, duke i lënë nën hije kryeministrin dhe presidentin e vendit.

Në dorën e tij është fati dhe e ardhmja e këtij koalicioni të brishtë dhe jo natyral të qeverisjes së vendit si dhe balanci i opozitës së ç'akorduar të Kosovës.

Mbase dikush mund të parashtrojë pyetjen, si është duke e kontrolluar edhe opozitën!?

Përgjigja është kjo; ishte ky i njëjti që vendosi futjen dhe heqjen e gazit lotsjellës nga kuvendi e deri në thyerjen e bllokut opozitar VAN.

Qëllimi i mbretit të xhunglës së politikës së Kosovës, është prishja e kurorës qeverisëse Thaçi-Mustafa për t'i dhënë goditjen fatale LDK-së së Isa Mustafës.

Vet fillimi i fushatës zgjedhore nga ana e kryeparlamentarit, tregon qartë se sjellja kapriçioze e mbretit të xhunglës politike, zotit Kadri Veseli duke e marrë rolin e kryeministrit dhe presidentit të vendit, është në kundërshtim të plotë me rregullat demokratike dhe kushtetutën e vendit.

Kadri Veseli, ky mbret i xhunglës politike të Kosovës, pa asnjë problem i thyen të gjitha rregullat e lojës demokratike, duke bërë fushatë elektorale (pa shpalljen e zgjedhjeve) me paratë e kuvendit, me paratë e taksapaguesve të varfër, qytetarëve të pashpresë të këtij vendi.

Për dallim prej herave të tjera, me prishjen e koalicionit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, kreu i PDK-së synon t'i arrijë dy qëllime; e para-largimin e kryeminstrit të parë të LDK-së, dhe e dyta-krijimin e mjegullës në prag të fillimit të punës së Gjykatës Speciale.

Të gjitha këto veprime nuk është se po ndodhin natën në errësirë, por ditën me diell para syve të të gjithëve, por për habi po heshtin të gjithë;  po hesht kryeministri kukull, po heshtin prokurorët dhe gjykatësit përballë malverzimeve të kreut të kuvendit, vërtetë sikur ky të ishte mbret i tyre, pa i pasur frikën ligjeve dhe drejtësisë vendore. Madje po heshtin edhe partitë opozitare, të cilat nga egoja për pushtet, me padurim presin garën zgjedhore për t'i provuar edhe një herë forcat me partitë e mëdha në pushtet.

Në këtë segment, pashmangshëm të del përpara ajo thënia; "Në një vend ku të gjithë janë të verbër, njeriu me një sy bëhet mbret"!

Në rrethanat e krijuara politike, pa një alternativë të re politike, zgjedhjet e parakohshme jo vetëm që nuk do të sillinin diçka të mirë për vendin, do të prodhonin vetëm vazhdimin e "Status quos" politike dhe qeverisjen e PDK-së më  partnerë të rinj në koalicion e asgjë më shumë.

Me mosmbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në rrethanat aktuale politike, përveçse do të kursehen qytetarët nga maltretimet e panevojshme, do të kursehet edhe buxheti i shtetit për disa miliona euro, para të cilat do të mund  të shfrytëzoheshin për investime në sektorin e shëndetësisë apo në ndihmën e drejtpërdrejt të qytetarëve të varfër apo me sëmundje të rënda që shërimin e kërkojnë jashtë vendit.

Për përdorimin e pushtetit për qëllime personale, siç po vepron Kadri Veseli, këtë shkrim dëshiroj ta përfundoj me një thënie të Lord Acton; "Pushteti korrupton, por pushteti absolut korrupton absolutisht-Njerëzit e pushtetshëm, të cilët kanë sasi të mëdha të kontrollit bëhen të uritur për pushtet dhe për ta është më se e nevojshme që ta kenë atë në jetën e tyre të përditshme, atyre kjo gjë u jep energji për të funksionuar. Për fat të keq në këto situata, mirëqenia e shtresave të ulëta bëhet e parëndësishme dhe qeniet e vetme të rëndësishme janë sunduesi , shokët e tij dhe bashkëpunëtorët të cilët përfitojnë nga rënia dakord me zbatimin e besimit në figurën e lartë të sunduesit".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat