Ushtari me kancer dhe ushtari Kryeministër

Opinione

Ushtari me kancer dhe ushtari Kryeministër

Nga: Arben Sylejmani Më: 27 tetor 2017 Në ora: 11:09
Arben Sylejmani

Ramush Haradinaj, ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës në Kosovë. Betimi ishte pjesëtar i UÇK-së (emri i Betimit është pseudonim, ngjarja është e vërtetë). Betimi ishte vetëm ushtar i UÇK-së në zonën e Llapit. I plagosur rëndë në njërën nga betejat e luftës.

Por, 17 vjet pas luftës, Haradinaj dhe Betimi jetojnë në dy realitete krejt të ndryshme në Kosovë. I pari zgjidhet për herë të dytë kryeministër nga ana e Kuvendit të Kosovës. Kurse, i dyti pikërisht në këtë kohë identifikohet me sëmundjen e kancerit në mushkëri.

Muaji shtator, pra u solli beteja të reja të dy ish-luftëtarëve. Betimi filloi luftën e tij për të mposhtur sëmundjen e kancerit që për çdo ditë po ia han mushkëritë. Ai prej muajit shtator përpos vizitave të shumta që kreu në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, deri më tani ai ka bërë dy vizita edhe në spitalet e dy shteteve të rajonit. Vizitën e parë që e ka bërë në spitalin ushtarak të Tiranës, atij i ka kushtuar më shumë se 300 euro. Një vizitë të tillë, Betimi e ka bërë edhe në spitalin “Acibadem Sistina” në Maqedoni.

Tashmë, Betimit i është thënë se mundësia e fundit për të provuar mposhtjen e sëmundjes së kancerit në mushkëri, mbetet një intervenim kirurgjik, i cili nuk mund të bëhet në Kosovë dhe Shqipëri.

Për këtë intervenim kirurgjik, Betimit i nevojiten 20 mijë euro që ai për fat të keq nuk i ka. Kështu që Betimi ka filluar të sorollatet nëpër korridoret e Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar ndihmë nga zyrtarët e këtij dikasteri që udhëhiqet nga ministri Uran Krasniqi i PDK-së që vetën e quan si parti e krahut të luftës.

Nga ana tjetër, ish-luftëtari  Haradinaj me vullnet ka filluar betejën e tij për të udhëhequr kabinetin qeveritar me më shumë se 20 ministri që në mënyrë direkte ndikon edhe në betejën e Betimit.

Por, Haradinaj në vend se të ndërmarr ndonjë vendim për përmirësimin e shëndetësisë së degraduar për t’ia mundësuar një shërim më dinjitoz Betimit të UÇK-së në Kosovë, kryeministri vendimin e parë që mori është ai për faljen e borxheve prej 58 milionë euro për ambalazhuesit e ujit që vijnë kryesisht nga komunat e zonës së Dukagjinit, ku AAK ka një numër të madh të votuesve.

Andaj, lexues të nderuar, ky krahasimi mes tyre dyve mund t’iu duket i pakuptimtë, sepse dikush mund të pyes se ç’faj ka Haradinaj për Betimin që është i sëmurë prej kancerit? Sigurisht që kryeministri nuk është fajtor për sëmundjen e tij, por Haradinaj ka përgjegjësi për zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e sektorit të shëndetësisë në mënyrë që Betimi i sëmurë prej kancerit të mos sorollatet nëpër sektorët e shëndetësisë për t’i kërkuar si lëmosh 20 mijë euro për tu operuar në Maqedoni, por ai të mund të shërohet në Kosovë për të cilën para 17 viteve ai e kapi pushkën në dorë për të luftuar ballë për ballë me pushtuesin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat