Anti-uesternizmi institucionalist sot në Kosovë

Opinione

Anti-uesternizmi institucionalist sot në Kosovë

Nga: Faton Abdullahu Më: 8 janar 2018 Në ora: 12:31
Faton Abdullahu

Për herë të parë qytetari i Kosovës është larg më pro-perëndimor se sa synimet e institucioneve që janë ndërtuar me votën e tij dhe se sa qëllimet e pushtetarëve të cilët i ka votuar për t'i drejtuar ato institucione.

Kohëve të fundimit ka zhvillime të reja politike në Kosovë, me pulsime të përshpejtuara por asimetrike të cilat kanë marrë një dimension të ri me karakteristika të reja e që më së miri mund të kualifikohen konceptualisht si "anti-uesternizëm institucionalist" Ky sistem (anti) vlerash me prirje për tu bërë doktrinë më vete ka tendenca të shtrihet në burokracinë e vendit tonë të justifikohet nga teknokratët dhe gjithnjë e më shumë po merr karakter autokrat.

Ka kohë që në Kosovë anti-uesternizmi ka gjetur shtrat të përshtatshëm dhe nuk po reduktohet. Deri sa një degë e saj, islami politik, është menaxhuar deri diku, aq sa për tu mbajtur jashtë institucioneve tona si ideologji e re, por regresiste dhe në thelb antishqiptare, dega tjetër anti-uesterniste për herë të parë që nga paslufta, po aktivizohet e konsolidohet nëpër institucionet e shtetit të Kosovës me shpejtësi sa befasuese aq edhe zhgënjyese. Ritmi asimetrik dhe shpejtësia e përhapjes së kësaj doktrine në institucionet aktuale të Kosovës,  ka ndikuar që ai të mos kuptohet sa e si duhet për nga shkalla e rrezikut që paraqet për vendin tonë, sidomos jo për nga shkalla e vënjes në pyetje të tog-vlerave kryesore mbi të cilat qëndron shteti ynë ende i brishtë dhe i mvarur jo pak nga përkrahja e atyre që ne i quajm miqtë tanë ndërkombëtar.

Kjo qasje e re politike institucionaliste, autokrate për nga përmbajtja, determinohet nga gërshetimi i një treshe të pushtetarëve aktual me shumë ndikim tash sa kohë në spektrin politik të Kosovës. Si e tillë ajo po lulëzon përbrenda institucioneve tona deri në degradim nacional. Sikundër ndodh shpesh në raste të tilla, për t'ia dalur suksesshëm në qëllimet e tyre gjithsesi të ngushta dhe klanore, ata po bëjnë përpjekje djallëzore që me patriotizmin shqiptar ta ambalazhojnë qasjen, me qëllim që ta kamuflojnë atë, si premisë për të mbijetuar sa më gjatë në pushtet dhe arritur qëllimet sa më shumë për veten dhe klanet e tyre tashmë përbrenda institucioneve. Qëllimet e tyre të kamufluar mirë, në thelb janë përfitimet materiale dhe tjera apo edhe më konkretisht mbrojtja e përfitimeve të mëdha nga më të ndryshme të determinuara nga të qenët kohë të gjatë në pushtet dhe mbrojtja e klaneve dhe individëve të ndryshëm me tëq cilët i kanë gllabëruar ato. Koka e kësaj mendësie të re janë pushtetarët të cilat kohë të gjatë janë në pushtet të cilët janë në gjendje të konfrontohen me çdo kend në çdo mënyrë për të mbrojtur çdo gjë që kanë. Me ideale të harruara e më shpesh të nëpërkëmbura, për t'i mbrojtur këto interesa dhe grupe njerëzish ata gjithnjë e më shumë po e dëshmojnë se janë në gjendje të flijojnë çdo gjë e në fund edhe gjeo-politikën orientuese properëndimore të Kosovës e cila është një nga shtyllat kruciale të shtetndërtimit dhe lirisë tonë.

Pse kam të drejtë të konstatoj kështu?

Sepse anti-uesternizmi institucionalst sot në Kosovë shprehet kur politikbërësit kundërshtojnë 'Gjykatën Speciale' edhe pse kanë thirrje alarmuese nga shtetet e QUINT-it : ndryshone kursin se jeni duke shkuar në theqafje. Por ata kanë kamuflazh patriotik - po i mbrojmë vlerat e luftës.          

Sepse anti-uesternizmi institucionalst sot në Kosovë shprehet kur politikbërësit kundërshtojnë demarkacionin edhe pse kjo rrezikon paqen në Ballkan dhe e vë në pyetje përkrahjen e SHBA-s ndaj Kosovës. Por ata prap kanë mburojën partiotiken rezervë, sajesën - nuk falim tokë. 

Sepse anti-uesternizmi institucionalst shprehet sot në Kosovë kur politikbërësit synojnë themelimin e Ushtrisë së Kosovës pa 'izën' e SHBA-s edhe pse atyre ju thuhet shkoqur pritni se kjo duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese. Por prap ata kanë ekstra kamuflazh patriotik - ushtrin e bëjmë vet sepse e kemi merituar me flijimet.

Krejt këto nuk kanë të ndalur. Ato po forcohen me përpjekjen për t'ia arritur qëllimit me çka po dëshmohet se tërpia për t'i mbrojtur ato që janë fituar duke qenë në pushtet është më e madhe dhe më e rëndësishmje se vënja në pyetje dhe rrezikimi i interesave vitale të Kosovës. 

Por krejt këto nuk janë krejt. Ka edhe më keq se kaq.

Mendimi politik shqiptarë në Kosovë ka trashëgimi të bollshme të mendësisë anti-perëndimore. Ajo asnjëherë nuk ka qenë as e vogël as e parëndësishme. Lëvizja VV e ka riaktivizuar duke e përpunuar dhe ngritur në piadestalin më të lartë të shpeshtën duke mbetur e fortë, por opozitariste. Një trashëgimi me elemente neo-enveriste dhe neo-titiste e dyzuar me koncepte të majta antiglobaliste që premton parajsën sociale në 'planetin Kosova', të paketuar me patriotizëm deri në bashkim kombëtar, por duke koketuar herë hapur e më shpesh tinza me islamin politik, si bashkëudhëtare klandestine në një kupe treni që ecën në drejtim të njëjtë, është bërë pothuajse krejt anti-amerikane.

Prandaj nuk është e rastësishme se kemi bashkëpunim të një pjese të PDK-së, subjekt i cili ka nevojë urgjente për reforma dhe një pjese të VV e cila për të mos bërë reforma, pranoj përçarje. Do të kemi për herë të parë anti-uesternizëm institucionalist, por tani edhe dyzuar çuditshëm, pozitë - opozitë. Ky koordinim politik me optikë gjithnje e më të ngjajshme politike, duket se ka gjasa të kompozohet nga krahu i luftës të cilët mendojnë se, me çdo kusht duhet të jenë dhe të mbeten në pushtet, sepse kanë luftuar, dhe të një pjese të VV të cilët mendojnë se meritojnë të jenë në pushtet, sepse janë në gjendje të luftojnë. Kështu për herë të parë qytetari i Kosovës është larg më pro-perëndimor se sa synimet e institucioneve që janë ndërtuar me votën e tij dhe se sa qëllimet e pushtetarëve të cilët i ka votuar për t'i drejtuar ato institucione. Sa nuk është vonë, ky realitet në institucionet tona, tani kërkon qasje të re dhe larg më të drejtëpërdrejtë të SHBA-s dhe BE-s ndaj Kosovës për ta ndryshuar. Dizajnues i kësaj qasje të re politike gjithsesi duhet të jetë qytetari i Kosovës i cili ka qenë dhe është pro-perëndimor dhe nuk është i korruptuar as me para, as me ide.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat