Gjykata Speciale zbardhë vrasjen e Enver Malokut

Opinione

Gjykata Speciale zbardhë vrasjen e Enver Malokut

Nga: Mimozë Lakna Më: 11 janar 2018 Në ora: 07:33
Mimozë Lakna

Mundësia për shfuqizimin e Gjykatës Speciale është tema kryesore që po diskutohet në Kosovë ditëve të fundit. Madje, përfaqësues të subjekteve politike, pavarësisht deklaratave të miqve ndërkombëtarë të Kosovës, nuk kanë hequr dorë nga kjo nismë.

Në ditët kur po bëhet zhurma për specialen, po rastisë të jetë edhe përvjetori i vrasjes së publicistit dhe anëtarit të LDK-së Enver Maloku.

Dita e 11 janarit të vitit 1999, do të ishte fatale për familjen e publicistit Maloku, por edhe për gjithë Kosovën.

Atentatorët do të provonin për herë të dytë dhe do të arrinin të vrasin publicistin dhe veprimtarin e LDK-së, pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve.

U konsiderua se vrasja e Enver Malokut ishte vepër e qarqeve antishqiptare, të cilat kishin për qëllim të pengonin informimin në gjuhën shqipe, si edhe procesin për realizimin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Por, këto qarqe asnjëherë nuk u bënë të ditura se kush ishin konkretisht. 19 vjet pas, familjarët e Enver Malokut, LDK dhe qytetarët vazhdojnë të kërkojë drejtësi, sikurse edhe për shumë vrasje të tjera që goditën Kosovën e pasluftës.

Me të drejtë thuhet se e vetmja shpresë për zbardhjen e vrasjeve politike, ka mbetur Gjykata Speciale.

Tani që e njëjta po tentohet të shfuqizohet, jep edhe një arsye shtesë për të menduar se dikush po i frikësohet zbardhjes të së vërtetës.

Fakti se periudha e hetimeve të Gjykatës Speciale, do të përfshijë vitet 1998-1999-2000,  është shenjë se do të zbardhet apo të paktën do të hapet rruga për zbardhjen e vrasjes së mendjendriturit Enver Maloku.

Se drejtësia vendore ka dështuar në zbardhjen e vrasjeve politike si dhe shumë rasteve të tjera në Kosovë e kanë ripërsëritur edhe ambasadorët e vendeve të kuintit.

“Çdo krim duhet të gjykohet, ne asnjëherë nuk kemi thënë që do të gjykohen vetëm shqiptarët, Kosova nuk ka treguar aftësi që t’i trajtoj rastet  me seriozitet, p.sh Sami Lushtaku është i akuzuar, dhe ai sa herë që dëshiron del dhe kthehet prapë në burg”, ka thënë ambasadori Ruairi O’Connell gjatë së mërkurës.

PDK-AAK-Nisma por edhe Lëvizja Vetëvendosje, do të zgjedhin ndërmjet degradimit dhe ecjes përpara, ndërmjet shtetit dhe pushtetit, ndërmjet drejtësisë dhe padrejtësisë.

Fatkeqësisht, me tentimin e 22 dhjetorit u pa se ato nuk mendojnë për shtetin por vetëm për pushtetin dhe egon e tyre personale. Vetëm presioni edhe më i madh i shteteve të kuintit do ta parandalonte nismën e rrezikshme të personave që tani kanë në duar shtetin e Kosovës. Drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj. Gjykata Speciale është shpresa e vetme.

Kujtojmë se, Gjykata Speciale ka mandatin të hetoje dyshimet për krimet e bëra nga pjesëtaret e UÇK-së. Krimet që do të hetohen gjithnjë sipas raportit të Williamsonit janë: Krimet për vrasje të motivuara etnikisht, vrasje politike, vrasje të ish bashkëpunëtorëve të regjimit, frikësim, dëbim, dhunë seksuale dhe shkatërrim të monumenteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat