Prelati ynë i përndritshëm Imzot Mark Sopi, kujtohet në 12 vjetorin e ikjës së tij në amshim - Bota Sot
Prelati ynë i përndritshëm Imzot Mark Sopi, kujtohet në 12 vjetorin e ikjës së tij në amshim

Opinione

E enjte, 19 korrik 2018

Prelati ynë i përndritshëm Imzot Mark Sopi, kujtohet në 12 vjetorin e ikjës së tij në amshim

Nga: Lekë Mrijaj Më: 11 janar 2018 Në ora: 19:54
Mark Sopi

Prelati ynë i përndritshëm dhe i përhirshëm imz. Mark Sopi do të kujtohet përherë si një bari i ndritur i fesë dhe kombit. Ai tërë kohën sa jetoi ndoqi dhe interpretoi besnikërisht ungjijt apostolik e gjurmët e etërve të Kishës e paraardhësve të tij dhe të kombit. Imzot Marku, që nga shugurimi i tij si meshtar e më vonë si bari i devotshëm i grigjës së Ipeshkvisë së Kosovës, predikoi paqën e mirëkuptimin në mes njerëzve pa dallim, njëkohësisht vlerësoi tejët lart tolerancën e harmoninë, dhe praktikoi gjithmonë bashkëpunimin e frytshëm ndërfetar, tamam ashtu në frymën e vëllazërimit të gjakut, si domosdoshmëri për të mbajtur sa më gjallë e fuqishëm fundamentet e kombit tonë arbëror.

Andaj sot, më 11 Janar 2018, në Kishën e “Zojës së Këshillit të Mirë” në Klinë, u mbajt një shërbesë fetare e veçantë në përkujtim të përvjetorit të dymbdhjetë të ikjës në amshim të dishepullit të Ipeshkvisë së Kosovës, imz. Mark Sopit.  Mesha në fjalë është celebruar nga Dekani i Dekanatit të Pejës don Lenc Sopi, e famullitar i Kishës së Klinës, përcjellë nga besimtarët e famullisë sonë.

Ndërsa reportazhit të sotëm nga tereni iu bashkangjitën edhe prof. Mikel Gojani i cili në dymdhjetëvjetorin e  ikjës në amshim të imz. Mark Sopit tha se: “Prelati ynë imz. Mark Sopi, i takon profilit të personaliteteve të shquara, emri i të cilit posa t’u zihet ngojet të kreshpëros në shtat, të drithëron në ndërgjegjje, të mbush me frymëzim dhe, që, me porosinë e veprat e tij të jep shumëçka për të kuptuar brendinë dhe qëllimin e krejt asaj për të cilën janë përkushtuar; të mobilizojnë edhe më shumë për t’iu qasur edhe më me ngulm studimit të jetës dhe veprës së tyre njëkohësisht ia vlenë të potencohët se vertetë ky prelat ishte nismëtari i parë për ndërtimin e katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë. Ai, bashkë më presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën bëri edhe bekimin e parë të kësaj Katedraleje, pra vuri gurin themeltar të këtij tempulli të fesë dhe të kombit. Kjo nismë e tij tashmë po bëhet realitet, pasi që punët në sublimimin e kësaj katedraleje po shkojnë mjaft mbarë.

Kështu, me këtë rast, do të realizohet ëndrra e Imzot Mark Sopit dhe e Dr. Ibrahim Rugovës, po ashtu edhe e gjithë popullatës vullnetmirë të Kosovës dhe më gjerë”. Ish i burgosuri politik e publicisti z. Ismet Sopi, tha: “Imzot Mark Sopi, është një personalitet kombëtar dhe fetar, i cili vetëm disa muaj pas dëshmisë në Kongresin Amerikan, kaloi në amshim duke u bërë yll dhe diell që ndriçon dhe ngroh mendjen dhe shpirtin tonë! Imzot, lutu për ne dhe popullin tonë, ashtu si lutemi edhe ne për Ty!”

Ndërsa në fund ishte studiuesi e publicisti shqiptar z. Tomë Mrijaj, nga New York-u, i cili siç u prononcua e në mes tjerash tha se: “Imzot Mark Sopi  që nga viti 1981, në kohën e demonstratave të shqiptarëve në Kosovë si ish-famullitar i Kishës së famullisë sime në Zllakuqan, ishte gjithmonë në mes miqve dhe shokëve të tij, ai e ngriti zërin në mbrojtje edhe të minatorëve të Trepçës, pikërisht ishte pjesëmarrës e prijës shpirtëror edhe në pajtimet e gjaqeve, gjatë viteve 1990, bamirës dhe i dhembshur, për të mjerë dhe të varfër, këshilltar për të pasigurtët, ngushëllues për të pikëlluarit, udhëheqës për të pavendosurit, me një fjalë vëlla apo gjithçka”.

Edhe Famullia e Shën Mëhillit në Doblibarë të Gjakovës, ishte ajo e cila sot e përkujtoi 12 vjetorin e  kalimit në amshim të Ipeshkvit të nderuar dhe të dashur, Imz. Mark Sopi, i cili shërbeu në krye të Kishës Katolike në Kosovë për 10 vite (1996-2006).

Pas përfundimit të meshës së sotme ashtu si çdo të enjte përmes procesioneve Kishtare u bë edhe Adhurimi i të Shënjtueshmit Sakrament!

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test