Vetëvendosje dhe përralla me priftin

Opinione

Vetëvendosje dhe përralla me priftin

Nga: Arben Sylejmani Më: 12 janar 2018 Në ora: 09:27
Arben Sylejmani

Dorëheqjet e fundit nga postet kyçe në Lëvizjen Vetëvendosje nga të pakënaqurit, me arsyetimin se po linçohen në rrjetet sociale nga aktivistë të afërm me Albin Kurtin apo se nuk duan të lejojnë ndërtimin e kultit të individit brenda këtij subjekti politik, ngjason me atë përrallen italiane me priftin dhe dy vëllezërit e vegjël jetimë.

Sipas kësaj përralle, prifti çdo ditë shkonte në këmbë në kishën në të cilën ai shërbente. Një mëngjes, rrugës ai takon dy djem të zbathur dhe të uritur. Prifti si njeri human, i vjen keq për gjendjen e tyre dhe vendos t’i marr me vete.

Me t’i futur në kishë, u përgatit atyre ushqim dhe u jep rroba të reja për t’i veshur. Në bisedë e sipër, ai e merr vesh se të dy djemtë ishin jetimë dhe të pastrehë. Kështu që prifti vendos t’i strehoj ata në dhomën e kishës që shërbente për ndonjë mysafir, me kushtin e vetëm që djelmoshat të mësonin biblën dhe të jetonin sipas parimeve themelore të ungjillit.

Natyrisht, se me kalimin e kohës djemtë rriten dhe mësojnë shumë nga bibla dhe gjatë ritualeve fetare që praktikonin së bashku me priftin. Por një ditë ata përgatisin një planë djallëzor. Vendosin që ta mbysin priftin dhe të bëheshin vet udhëheqësit e kishës.

Plani tyre ishte që ta hidhnin atë nga ura e lumit të thellë të fshatit. Një mbrëmje, ata i thonë priftit se gjëja dëshironin ta shoqëronin atë deri në shtëpi me arsyetimin se ishin të merakosur për gjendjen e tij shëndetësore që nuk ishte aq e mirë.

Kur hipin në urën prej drurit, njëri nga ta që e mbante priftin për dore, bën sikur merr në thua dhe e hedh atë në ujë. Prifti i gjorë me që nuk dinte notë, lëvizte me duar dhe më këmbë që mos të mbytej me shpresën se njëri nga djemtë do të kërcente në ujë për ta shpëtuar atë.

Pasi prifti e sheh se ata nuk e kishin ndërmend që ta shpëtonin, ai u thotë atyre: “Ju lutem, më ndihmoni se po mbytem! Keni mëshirë për mua! Unë kam bërë shumë për juve, tash ju po më lini të vdes”.

Por, të dy vëllezërit në vend se ta shpëtojnë priftin, ata ikin me vrap nga ura dhe e lënë priftin të mbytet.

Një gjë e tillë sikurse priftit, i ndodhi edhe liderit shpirtëror të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nga ana e të pakënaqurve brenda këtij subjekti, sepse edhe ky sikurse prifti i mori nga rruga disa nga të dorëhequrit. I futi në lëvizjen që ai vet e krijoi, u mësoi atyre ABC-në e politikës, u dha pozita të larta në funksionet më të larta brenda Vetëvendosjes, i mbështeti për tu bërë deputetë dhe kryetar të komunave, e kështu me radhë.

Këta të fundit në vend se të jenë mirënjohës ndaj tij për të gjitha këto privilegje, ata dolën të kenë përgatitur terrenin për të marrë në dorë vet Lëvizjen Vetëvendosje.

Por, ky i fundit për dallim nga prifti, e nuhati qysh në fillim planin djallëzor që ishte përgatitur me vite ndaj tij, dhe kështu ua bëri të ditur atyre se ata nuk do të mund ta dërgonin atë për dorë në urë, e pastaj ta hedhin në ujë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat