Ka-Kaa-Kaaa tra më tra veç një vet tjetër hiq - Bota Sot
Ka-Kaa-Kaaa tra më tra veç një vet tjetër hiq

Opinione

E mërkurë, 20 qershor 2018

Ka-Kaa-Kaaa tra më tra veç një vet tjetër hiq

Nga: Kalosh Çeliku Më: 13 janar 2018 Në ora: 10:56
Kalosh Çeliku

Herët e kam thënë në shkrimet e mia publicistike, që nga koha e PPD -ës, PDP -ës, e PDSH -ës, se: Fatkeqësisht, Partitë Politike Shqiptare gjithë jetën u muarrën kotnasikoti me ndarjen e lugëve dhe enëve me “vëllezëririt” në shtetin e “përbashkët”. Luftën politike për pushtet argati. E Shtëpinë e Babait, arat, livadhet dhe malet e trashëguara brez pas brezi ua lanë “vëllezërve” të Njerkës. Kurrë, nuk më ka shkuar mendja se, ato edhe sot e kësaj dite do të merren ende me ndarjem e enëve dhe lugëve në sofrën e “përbashkët” politike. Përmëkeq, vazhdojë traditën e tyre politike euforike, edhe Lëvizja me “besë” dhe Aleanca për Shqiotarët.

Përsëri, edhe mbi 25 vite jetë politike në “demokraci” do të dalldisen me të njëjtat kërkesa politike elementare, ndarjen e lugëve dhe enëve: flamur kuqezi, gjuhë shqipe, shkolla shqipe, tekste mësimore e lektyra shkollore, që moti kohë i fituam me demonstrata paqësore në ish sistemin komunist jugosllav.

Ndryshimi i kësaj radhe, nuk janë kërkesa arsimore e kulturore të shqiptarëve, por gjoja “kushte” politike për të hyrë krah për krahu me “vëllezërit” e Njerkës në Qeverinë e “Vëllazërim-Bashkimit”. Fjalën e kam për Platformën e “përbashkët historike” të Partive Politike Shqiptare pët “zyrtarizimin” me ligj të gjuhës shqipe. Njëra Parti Politike Shqiptare (PDSH) nuk e ka nënshkruar Platformën e “përbashkët”. Lëvizja Politike “Besa” është pro Platformës, por nuk merr pjesë në Qeveri me “kriminelët dhe të korruptuarit”. Platformën e përkrah edhe Aleanca për Shqiptarët, por edhe ajo nuk hy në Qeveri me Gruevskin. BDI delë pak më e përmbajtur, bënë politikë “madhore” me “vëllezërit” e Njerkës. Ende, nuk deklarohet haptas se, me cilën Parti Politike “maqedonase” do të vazhdojë koalicion në Qeveri.

Platformë e “përbashkët shqiptare”, siç thotë populli: Hipë se të vrava, zbritë se të vrava! “Analistët” politik me këmbët dhe trutë në legen, dihet si i kemi në mjetet e informacionit e portalet elektronike kokë më kokë rreth partive politike në pushtet, të gjithë të “mençur”, dhe “parashikues” për Politikën Shqiptare, jo vetëm për Nesër, por edhe për Pasnesër?! Njëri i bie patkonit, tjetri këmbës sakate të Kalit Trojës.

Edhe kjo Platformë e “përbashkët” e Partive Politike Shqiptare, frikë kam se do të përfundojë mu si ato marrëveshjet e djeshme politike shqiptare: “Ilirida”, “Marrëveshja e Ohërit”, “Pyka” shqiptare, “Grupi kordinues mbipartiak”, Lëvizje me “Besë”, “Përzhino” e “Vëllazni” tjera politike partiake. Shkaku se, vështirë rrinë në një thes me arna: speca, domate, patate, kastraveca, qepë, hudhra dhe kunguj Stambolli.

Qëllimi i tyre “vëllazërues” pushtues, shihet larg edhe me dylbitë e turkut. “Vëllezërit” bëjnë politikë me shqiptarët. Platforma e “përbashkët” Politike e Partive Shqiptare, gjoja e nënshkruar në Tiranë (sipas “vëllezërve), vetëm, se: është si farsë për të hyrë në Qeveri me “vëllezërit” e Njerkës për punësimin e disa partizanëve partiak dhe asgjë më shumë për zgjidhjen e Çështjes Shqiptare, në Ballkan. E, përderisa nuk zgjidhet Çështja Shqiptare, nuk ka rehati dhe paqe për Ballkanin.

Fatkeqësisht, me këtë shkrim publicistik dua të them: Partitë Politike Shqiptare duhet të bëjnë luftë për pushtet (Shtet Shqiptar), e jo të merren me ndarjen e lugëve dhe enëve. Mendja ma thotë, se: edhe kjo Platformë e “përbashkët” e Partive Politike Shqiptare, bashkë me mosnëshkrimin e saj nga një Parti Politike Shqiptare (PDSH), është sa për sy e faqe, vizë që vetëm edhe kësaj radhe të hyjnë në Qeveri si argatë.

E Nesërmja, me siguri edhe këtij “pajtimi” formal politik të Partive Politike Shqiptare do t’ia vë vulën në ballë. Edhe pse, mezi dolën me një Platformë të “përbashkët” politike, frikë kam se: Edhe kjo marrëveshje do të përfundojë në kontejnierët e bërllokut, në Bit - Pazar, mes Shkupit. Shkaku, se: E kam thënë moti kohë në shkrimet e mia publicistike e libra: Trumbetat e Tellallit (1992), Kali i Trojës nëpër Bit - Pazar (1994), Kur bërtet “vojvoda” e pjell Kurvë Partia (2008), Xhadia (2011), Rrufjani (2012), Lavdi “heronjëve” të Xhadisë (2015) dhe PYKË shelgu (2018). Tashti, vetëm e përsëris në kët shkrim publicistik si thënie parashikuese për Ditën e Nesërme. Brumi politik shqiptar e ka fajin, nuk ka farë. Brumi! Fundekrye, është i njëjti brumë politik i PPD -ës, PDP -ës dhe PDSH -ës. Kulaç pa farë,! Nuk bëhet me këtë brumë bukë, pite, petulla me farë. e as krunde për kafshët shtëpiake. Nuk piqet dot në çerep e nën saçin me shpuzë buka. Maxhatorja ta shtrojë për darkë në sofrën shqiptare.

Duartrokitje, Pulës tek vjersha e Rexhep Hoxhës në Librin e leximit, se: duke kakarisur tra më tra mezi e ka bërë një ve laraske, e tjetër hiç! Fjalën e kam për zyrtarizimin e Gjuhës Shqipe me ligj, në Kuvend. I madh e i vogël u çuan në këmbë plot eufori me përurime: Kryetari i Shtetit Shqiptar, Kryeminstri e ambasadorë. Edhe, vetë Zaevi (“Shpëtimtari” i shqiptarëve), në një emision debativ teleleviziv tha, se: Vetë ai si Kryeministër ka merita për zyrtarizimin e gjuhës Shqipe?! Populli, thotë: Fëlterja në zjarr e peshku në lumë. Edhe, atë: Ditën, kur si “fitore” e publikojnë në mjetet e informacionit nga ambasadori i Shqipërisë edhe pullën postare në Vitin e Skënderbeut me shkronja të alfbetit qirilik. Dëshmi në vepër, para syve të popullit shqiptar.

E pyes sot veten: deri kur Partitë Politike Shqiptare me “vëllezërit” do t’i ndajnë ende lugët e enët?! Vërtetë, as vetë nuk e di si autor i këtij shkrimi publicistik parashikues për Ditën e Nesërme. Vetja, ma thotë: Shqiptarët, sot kanë nevojë për një Tru tjetër politik. Gjak të ri shqiptar, që rrjedhë nga Baba Tomorri. Mali i Perëndive: Tyrbja. Ku rakia e rrushit pihet me ibrikë, vera me Dy shtamba. Dhe, lindë pioezia. E, bëhet dashuri me Hënën e plotë dhe Diellin që zbret maleve. Tru, që me “vëllezërit” nuk i ndajmë lugët dhe enët, por Shtëpinë. Arat, livadhet dhe malet. Pastaj, a kanë “besë” Partitë Politike Shqiptare që të dalin sot me një Platformë të “përbashkët” politike, kur ato dikur ishin “bashkë” në kohën e PPD -ës dhe PDP -ës, PDSH -ë?! Asaj kohe, edhe ishin “bashkë” si politikanë të arratisur mes Livadheve.

Pamarrë parasysh, se: Edhe këto Parti Politike të para shqiptare e mbëlodhën gjithë bërllokun partiak të Partisë Komuniste ish jugosllave. Vite më vonë, edhe kur do t’i pjellin viçat e palëpi si prodhime të tyre serike në grazhd të Lopës Koperativës, shterret e tyre azgane bishtëpërpjetë na mbetën shterpa livadheve.

Pyetja ime publike si shkrimtar dhe publicist: Pse, tashti me kaq vonesë e përvojë politike mbi 25 vjeçare, këto Parti Politike Shqiptare duhet të bëhen bashkë në grazhd rreth një Platforme Politike gjoja të “përbashkët” Shqiptare?! A, deri më tani nuk kanë qenë bashkë si Parti Politike Shqiptare gjatë këtyre viteve?! Përgjigja, është këmbëkryq pas dere. Ende, duhet t’u hudhim taxhi dhe barë në grazhd si Lopë Katundi?! E, ato gjatë këtyre viteve, së paku  mos të na e hudhin edhe një Viç të lëpi në grazhd?

I përgjigjem vetë kësaj pyetje politike shqiptare: Vetëm e vetëm, të hyjnë në Qeveri në rolin e argatit. Partizanëve të tyre të arratisur deri dje nëpër parti politike shqiptare e “maqedonase”, sot t’u sigurojnë nga një vend pune dhe rrogë deputeti të popullit. Përkundër asaj, që gjatë këtyre viteve “vetëqeverisje demokratike” me “vëllezërit” e Njerkës, popullin e lanë pa punë, dhe pa brekë në bythë e bukën e gojës.

Parashikimi im si shkrimtar i kësaj Platforme të “përbashkët” Politike, është: Anekdotë popullore e Nastradin Hoxhës:  Prit gomar, të dalë bar! Një mashtrim politik i radhës: Gjoja, “bashkimi” i Partive Politike Shqiptare për ta shpëtuar edhe kësaj radhe IRJ e Maqedonisë. Dhe, asgjë më tepër për ndonjë “fitore” historike të shqiptarëve.  Mirë, them Unë: Po. kush i ka penguar këto parti politke shqiptare deri më sot të jenë bashkë?! Përsëri, përgjigjem, vetë Unë: Postet politike, tenderët kabinetet, shtëpizat malore, dashnoret dhe honoraret e majme për të shëtitur hoteleve luksoze, pritur Vitin e Ri nëpër botë pa tesha, këmisha, kravata e çorape.

Vetë pikat e Platformës “përbashkët” të Partive Politike Shqiptare, flasin mjaftë në politikën e tyre “madhore” me të cilën merren me vite: Flamuri kombëtar, gjuha shqipe, shkollat shqipe, tekstet e lektyrat shkollore, ravistat për fëmijë...

Fatkeqësisht, padashtas xjerrin në sipërfaqe një dukuri politike të dalldisur shqiptare, që flet shumë në Ditën e Sotshme, kur jemi në rrezik si popull. Dhe, janë nën nivelin arsimor, shkencor, kulturor e politik të sitemimit ish komunist të shokut Tito.

E, harruan siç duket “vëllezërit” e Njerkës dhe këto politikanë të dalldisur e arratisur postin politik që e kemi pasur në sistemin komunist, edhe atë të Shtetit “përbashkët”?! Kryetarit të Republikës Socialiste të Jugosllavisë (Sinan Hasani). Krahasim qesharak i Kryeparlamentarit të sotshëm, që mezi arriti pas një “Kurbani” (Selës) në Kuvend të jetë si politikan shqiptar në krye të vendit.

Poste politike në Shtetin e “përbashkët” Neokomunist, që gjatë fushatës parazgjedhore parlamentare e lokale të jashtëzakonshme me plot gojën i lakonin para kamerave televizive kalorësit e arratisur në të gjitha sistemet komuniste e neokomuniste me emra e mbiemra. Padyshim, siç thotë populli: Ishin të Hurit e Litarit. Veprim politik, që duket haptas, se: Partitë Politike Shqiptare, nuk bëjnë politikë me palën “maqedonase”, por me popullin shqiptar pa pushtet. Përsëri, Nesër këto kalorës të arratisur politik në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare do t’i hudhin grepat me nga një “krimb” fushe mes hurdhe, dhe do ta kapin para kamereve televizive “peshkun e madh” jo në det, por ugareve mes arave rrëzë Çukës. “Armikun” e shtetit “përbashkët”: popullin shqiptar.

Partitë Politike Shqiptare në vathë, siç duket ende përgjumshëm me “vëllezërit” e Njerkës vazhdojnë t’i ndajnë lugët dhe enët. E, jo Shtëpinë, arat, livadhet dhe malet me barë të njomë e borë, strukur rrëzë Sharrit Plak...

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test