Demarkacionit në formën e propozuar a duhet me i thënë PO apo JO...!

Opinione

Demarkacionit në formën e propozuar a duhet me i thënë PO apo JO...!

PhD(c) Reshat Nurboja Nga PhD(c) Reshat Nurboja Më 17 mars 2018 Në ora: 15:51
PhD(c) Reshat Nurboja

Përfaqësuesit tanë aktual politik e institucional mendojnë se me vendime të vështira nënkuptohet se ato  detyrimisht duhet të jenë PO, nuk kuptojnë se më shpesh vendimet e vështira janë ato kur për interesa madhore e afatgjata të shtetit e popullit ato duhet jenë JO…!

Këtë, dua të dokumentoj me dy vendime JO, që Ibrahim Rugova i ka thënë fillimisht trysnisë vendore e pastaj edhe të asaj ndërkombëtare, e të cilat tek shumë kohë më vonë janë dëshmuar se ishin përcaktuese për ardhjen e mundësive të reja…!

Në vitin 1991, kur ka filluar lufta në Kroaci, të gjitha partitë tjera, në kuadër të saj edhe PRK ku isha unë kryetar , kritikonim, shanim e çka nuk bënim  duke kërkuar që në atë kohë të fillojmë luftën me Serbinë edhe në Kosovë…! Ibrahim Rugova ka vendosur JO…! Nga kjo perspektivë vlerësoj se e ka pasur më shumë se të drejtë, se Kosova do të përjetonte me qindra herë më shumë se Srebrenica etj.

Në vitin 1990, Warren Zimmermann ish ambasadori i fundit amerikan në Jugosllavi, në vizitën e parë që ia bëri Kosovës, ai kishte tentuar që ta bind udhëheqësin politik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugovën që të pranoi të dal në zgjedhjet e Serbisë të vitit 1990, duke e arsyetuar këtë  propozim, “kërcënim” të tij, me fjalët “se përndryshe hedhja poshtë e pjesëmarrjes në zgjedhjet në Serbi nuk do ta ndihmonte besueshmërinë e tij si demokrat që e ka Amerika... Në librin e tij .”Burimet e një katastrofe”, Ambasadori amerikan Ëarren Zimmermann shkruan se si Ibrahim Rugova në këtë kërkesë ultimative të tij vetëm buzëqeshi me ngrohtësi siç e kishte zakon dhe “ nuk lëshonte pe ”...Ibrahim Rugova ia bëri të qartë se nuk do të qëndronte as edhe një ditë si udhëheqës i shqiptarëve, nëse do të i thoshte PO daljes së shqiptarëve në zgjedhjet e Serbisë...! I tha JO ambasadorit të Amerikës për këtë çështje...!

Shumë më lehtë dhe më në interes për vete në ato kohëra e rrethana dr. Rugova e ka pasur po të i thoshte PO ambasadorit amerikan...!? Por burrështetasit nga tregtarët politikë diferencohen e dallohen me vendimet e jo deklarimet e tyre...!

Andaj, edhe liderët politikë e deputetet e Kosovës sigurisht shumë më lehtë do ta kanë që të martën me 20 mars 2018 me votuar PO se JO trysnisë ndërkombëtare për ratifikimin e Marrëveshjes të demarkimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi... Por çfarë do të i thonë të tillët, historisë e sidomos pasardhësve të tyre kur dikur pas 10, 50 apo 100 viteve në librat e historisë, gjeografisë e sidomos të atyre të shkencave politike e të marrëdhënieve ndërkombëtare mësojnë se si paraardhësit e tyre me emra e mbiemra supozohet se me PO-në e tyre i kanë falur mbi 8223 hektarë territor të shtetit për “viza” e për të mbetur në pushtet.... Jo si kritikë e as si akuzë por vetëm si këndvështrim e analizë: a do të mburren apo turpërohen me këtë PO apo JO të paraardhësve të tyre ...?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat